|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #2 : Gusht 18, 2010, 05:54:11 MD » |
|
Çfarë është çrregullimi post-traumatik
Çrregullimi i stresit post-traumatik (shkurt ÇSPT) është një çrregullim i rëndë i ankthit, i cili mund të zhvillohet pas ekspozimit ndaj një ngjarjeje e cila shkakton traumë (tronditje) psikologjike. Kjo ngjarje mund të përfshijë rrezikun e vdekjes së vetë personit apo të një personi tjetër ose të integritetit fizik, seksual, ose psikologjik të vetvetes ose të një personi tjetër, duke i mposhtur mbrojtjet psikologjike të personit.
ÇSPT-ja është më i rrallë dhe me një pasojë më të zgjatur të traumës psikologjike, sesa përgjigjja e stresit akut që shihet më shpesh. ÇSPT-ja njihej gjithashtu në të kaluarën si grupi i simptomave të shfaqura pas aksidenteve hekurudhore, sindroma e stresit, lodhja nga beteja, trauma psikike nga bombardimet, neuroza traumatike e luftës ose sindroma e stresit post-traumatik.
Siptomat diagnostikuese përfshijnë, ripërjetimin e traumës (traumave) fillestare, nëpërmjet kujtimeve të shpejta ose ëndrrave të këqia; shmangien e stimulit të shoqëruar me traumën; dhe rritjen e eksitimit fiziologjik siç është vështirësia për të fjetur ose për të qëndruar në gjumë, zemërimi dhe mbivigjilenca. Kriteret diagnostike formale (si DSM-IV ashtu dhe ICD-9) kërkojnë që simptomat të zgjasin më tepër se një muaj dhe të shkaktojnë çrregullim të funksionimit social, profesional ose në fusha të tjera të rëndësishme (p.sh. probleme në punë dhe/ose në marrëdhënie me të tjerët).
Diagnoza e çrregullimit të stresit post-traumatik
Kriteret diagnostike për ÇSPT-në sipas Manualit Diagnostik dhe Statistik të Çrregullimeve Mendore IV, mund të përmblidhen si:
A. Ekspozimi ndaj një ngjarjeje tronditëse.
B. Ripërjetimi i vazhdueshëm (p.sh. kujtime të shpejta, ëndrra të këqia).
C. Shmangia e vazhdueshme e stimulit që shoqëron traumën (p.sh. shmangie e përjetimeve që kanë frikë se do të shkaktojnë kujtime dhe ripërjetime të simptomave, frikë se mos humbin kontrollin).
Ç. Simptoma të vazhdueshme të eksitimit të rritur fiziologjik (p.sh. vështirësia për të fjetur ose për të qëndruar në gjumë, zemërimi dhe mbivigjilenca).
D. Zgjatja e simptomave më tepër se 1 muaj.
DH. Çrregullimi i madh i funksionimit social, profesional ose në fusha të tjera të rëndësishme (p.sh. probleme në punë dhe/ose në marrëdhënie me të tjerët.
Veçanërisht, kriteri A kërkon që "përgjigjja e personit të përfshijë frikë të madhe, dëshpërim ose tmerr". Kriteri i DSM-IV-TR ndryshon shumë nga kriteri për stresorët në DSM-III-R e mëparshëm, i cili specifikonte që ngjarja tronditëse duhet të jetë e tillë që do të shkaktonte "simptoma të rëndësishme shqetësimi pothuajse te çdonjëri" dhe që ngjarja të ishte "jashtë gamës së përjetimeve të zakonshme të njerëzve".
Që nga paraqitja e DSM-IV, numri i traumave të mundshme të ÇSPT-së është rritur dhe një studim sugjeron se rritja është rreth 50%. Ekzistojnë shkallë të ndryshme për të matur se sa të rënda dhe sa të shpeshta janë simptomat e ÇSPT-së.
Terapia e çrregullimit të stresit post-traumatik
Ndërhyrjet e hershme
Me vlerë konsiderohet të jetë trajtimi i hershëm me anë të terapisë konjitive-biheviorale si dhe të disa barnave siç është propranololi. Efektet e të gjitha këtyre strategjive të ndërhyrjes janë të pakta.
Menaxhimi i stresit nga ngjarjet kritike (shkurt MSNK) përdoret që të bëhen përpjekje për zvogëlimin e efekteve të një ngjarjeje të mundshme tronditëse dhe që të bëhen përpjekje për parandalimin e rikthimit kulminant të ÇSPT-së. Sidoqoftë, studime të kohëve të fundit lidhur me MSNK-në tregojnë efekte jatrogjenike. Gjashtë studime kanë kontrolluar efektet e MSNK-së, ku katër e gjetën të padobishme për parandalimin e ÇSPT-së dhe dy studime treguan se MSNK-ja në të vërtetë i keqësoi gjërat. Kështu që ky është një trajtim që nuk rekomandohet.
Ndërhyrjet psikoterapeutike
Shumë forma të psikoterapisë janë mbështetur për problemet e lidhura me traumën, siç është ÇSPT-ja. Praktikat themelore të këshillimit, të zakonshme për shumë përgjigje të trajtimit për ÇSPT-në, përfshijnë edukimin rreth gjendjes dhe parashikimin e sigurisë dhe të mbështetjes.
Programet e psikoterapisë me efikasitetin më të fortë të provuar përfshijnë programet konjitive-biheviorale, variantet e terapisë së ekspozimit, trainimin për imunizimin ndaj stresit, variantet e terapisë konjitive, desensibilizimin dhe ritrajtimin nëpërmjet lëvizjes së syve (shkurt DRLS) dhe shumë kombinime të këtyre procedurave.
Gazeta britanike e psikiatrisë ka rekomanduar DRLS-në ose terapinë konjitiv-biheviorale specifike për traumën, si trajtime të vijës së parë për viktimat me trauma. Një krahasim meta-analitik i DRLS-së dhe terapisë konjitiv-biheviorale zbuloi se të dyja protokollet nuk kishin dallime lidhur me efektshmërinë në trajtimin e ÇSPT-së.
Terapia konjitiv-biheviorale
Terapia konjitiv-beheviorale është një metodë psikoterapeutike që ka si synim të ndryshojë mënyrat e të menduarit dhe/ose të sjelljes, të cilat janë përgjegjëse për emocionet negative të viktimës që ka pësuar traumë dhe duke vepruar kështu, ndryshon mënyrën se si ndjehet dhe vepron. Terapia konjitiv-biheviorale është provuar të jetë një trajtim i efektshëm për ÇSPT-në dhe aktualisht konsiderohet standardi i kujdesit për ÇSPT-në nga Departamenti i Mbrojtjes [citation needed]. Në terapinë konjitiv-biheviorale, personat mësojnë të identifikojnë mendimet që i bëjnë të ndjejnë frikë ose dëshpërim dhe t'i zëvendësojnë ato me mendime më pak shqetësuese. Qëllimi është që të kuptojnë se si disa mendime të caktuara rreth traumës shkaktojnë stres dhe i keqësojnë simptomat.
Desensibilizimi dhe ritrajtimi nëpërmjet lëvizjes së syve
Desensibilizimi dhe ritrajtimi nëpërmjet lëvizjes së syve (shkurt DRLS) është specifikisht i synuar si një trajtim për ÇSPT-në. Bazuar në provat e kërkimit shkencor të kontrolluar, Shoqata Amerikane e Psikiatrisë si dhe Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Çështjet e Veteranëve dhe Departamenti i Mbrojtjes, e kanë vënë DELS-në në kategorinë më të lartë të efektshmërisë dhe të ndihmës për trajtimin e traumës. Disa organizata ndërkombëtare kanë bërë rekomandime të ngjashme.
Terapia e ekspozimit
Ekspozimi përfshin ndihmën e të mbijetuarve me trauma që të përballojë në mënyrë terapeutike kujtimet shqetësuese që kanë lidhje me traumën, në mënyrë që ta bëjnë më të lehtë kujtesën e traumës dhe trajtimin e suksesshëm emocional të saj. Shumica e programeve të terapisë së ekspozimit përfshijnë si konfrontimin imagjinar me kujtimet traumatike, ashtu edhe ekspozimin në jetën reale ndaj kujtuesve të traumës.
Në të vërtetë, suksesi i terapive të bazuara në ekspozim ka ngritur pyetjen nëse ekspozimi është një përbërës i nevojshëm në trajtimin e ÇSPT-së. Disa organizata e kanë mbështetur nevojën për ekspozim.
Psikoterapia interpersonale
Të rëndësishme mund të jenë edhe metoda të tjera, që implikojnë veçanërisht mbështetjen sociale. Një provë e hapur e psikoterapisë interpersonale, raportoi përqindje të larta të lehtësimit të përkohshëm të simptomave të ÇSPT-së pa përdorur ekspozimin. Një provë aktuale në Nju Jork, e mbështetur financiarisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor, është duke krahasuar psikoterapinë interpersonale, terapinë e ekspozimit të tejzgjatur dhe terapinë e relaksimit.
Mjekimi
Barnat kanë treguar se janë të dobishme në reduktimin e simptomave të ÇSPT-së, por "nuk ekziston asnjë trajtim vetëm me barna për ÇSPT-në". Terapia mjekësore standarde e dobishme për trajtimin e ÇSPT-së përfshin SSRI-të (frenuesit selektivë të rikapjes së serotoninës) dhe TCA-të (antidepresivët triciklikë). Simptomat pozitive (ripërjetimi, mbivigjilenca, eksitimi i rritur fiziologjik) përgjithësisht i përgjigjen më mirë mjekimit sesa simptomat negative (shmangia, tërheqja).
Triciklikët kanë tendencë të shoqërohen me efekte anësore më të mëdha dhe me përmirësim më të vogël të tre grupeve të simptomave të ÇSPT-së, sesa SSRI-të. SSRI-të për të cilët ekzistojnë të dhëna që mbështesin përdorimin e tyre përfshijnë: citalopramin, escitalopramin, fluvoksaminën, paroksetinën dhe sertralinën.
Ekzistojnë të dhëna që mbështesin përdorimin e "barnave të pavarur" të tilla si propranololi (bllokues beta) dhe klonidina (agonist alfa-adrenergjik) nëse ekzistojnë simptoma të shumta të "mbieksitimit fiziologjik". Këto mund të frenojnë formimin e kujtesave traumatike duke bllokuar efektet e adrenalinës në amigdalë. Janë përdorur në një përpjekje për të zvogëluar ndikimin e ngjarjeve traumatike ose thjeshtë mund t'i demonstrojnë një personi se simptomat mund të kontrollohen, duke ndihmuar kështu me "vetëefektshmëri" dhe duke e ndihmuar personin që të mbetet më i qetë.
Gjithashtu ekzistojnë të dhëna në mbështetje të përdorimit të stabilizuesve të humorit të tillë si karbonati i litiumit dhe karbamazepina, nëse personi shfaq humor mjaft të pakontrollueshëm ose agresion. Risperidona është përdorur për të ndihmuar me mosshoqërimin, humorin dhe agresionin dhe benzodiazepinat përdoren për lehtësimin e ankthit afatshkurtër.
Kohët e fundit, antikonvulsanti lamotriginë është raportuar si i dobishëm në trajtimin e disa personave me ÇSPT.
Ekzistojnë prova që sugjerojnë që dhënia e glukokortikoidëve menjëherë pas një përjetimi traumatik, mund të ndihmojë në parandalimin e ÇSPT-së. Disa studime kanë treguar se individët që marrin doza të mëdha hidrokortizonesh për trajtimin e shokut septik ose pas një operacioni, kanë një incidencë më të ulët dhe më pak simptoma të ÇSPT-së. Gjithashtu kohët e fundit u zbulua se dhënia e një doze të madhe kortikosteroni pas stresit, i pakëson sjelljet e ngjashme me ato të ÇSPT-së në një kavie për ÇSPT-në. Në këtë studim, kortikosteroni e dobësoi funksionimin e kujtesës, duke sugjeruar se mund ta pakësojë rrezikun për ÇSPT duke ndërhyrë në përforcimin e kujtimeve traumatike. Sidoqoftë, efektet neurodegjenerative të glukokortikoideve, mund ta nxjerrin këtë trajtim si kundërproduktiv.
Kombinimi i terapive
ÇSPT-ja zakonisht trajtohet duke përdorur një kombinim të psikoterapisë dhe barnave. [citation needed]
Në Zvicër dhe Izrael, janë duke u zhvilluar prova klinike për të vlerësuar metilenedioksimetamfetaminën (MDMA, "Ecstasy") së bashku me psikoterapinë. Një provë klinike po ekzaminon gjithashtu efikasitetin e hidrokortizonit së bashku me terapinë e ekspozimit për simptomat e ÇSPT-së.
Varësia ndaj substancave komorbide si një frenues i shërimit
Shikoni gjithashtu: Vetëmjekimi dhe komorbiditeti
Varësia ndaj alkoolit ose benzodiazepinës mund ta pengojë shërimin nga çrregullimi i stresit post-traumatik ose nga çrregullime të tjera të ankthit ose mund ta keqësojë gjendjen. Trajtimi i varësive ndaj substancave komorbide, veçanërisht varësia ndaj alkoolit ose benzodiazepinës, mund ta prapësojë një përmirësim të theksuar të gjendjes së shëndetit mendor dhe të niveleve të ankthit të një personi. Shërimi nga benzodiazepinat ka prirje të zgjasë më shumë sesa shërimi nga alkooli, por njerëzit mund ta rifitojnë shëndetin e tyre të mirë. Sidoqoftë, simptomat mund të keqësohen gjatë largimit nga alkooli ose largimit nga benzodiazepina.
Nga 1ypattmental-health.gr/sq/
|