psikologji.net
Nntor 01, 2014, 06:12:05 PD *
Miresevini, Vizitor. Ju lutemi identifikohuni ose regjistrohuni.

Identifikohuni me emrin, fjalekalimin dhe kohen e identifikimit
Njoftime: Lexoni materiale të ndryshme në: Psikologji - Gjithçka nga www.Psikologji.net <> Për të pasur të drejta dhe akses të plotë në të gjithë forumin, ju duhet të regjistroheni së pari. Për t'u regjistruar klikoni këtu: Regjistrohuni. Për çdo problem mund të na kontaktoni në: eldi@psikologji.net
 
  Kreu Forum Ndihme Kerko Kalendari Shop Identifkohuni Regjistrohuni  
Faqe: [1]   Shko Poshte
  Printo  
Autor Teme: Çrregullimi i ankthit social  (Lexuar 3444 here)
0 Anetare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.
J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« : Gusht 18, 2010, 05:43:15 MD »

Çfarë është çrregullimi i ankthit social?

Çrregullimi i ankthit social (DSM-IV 300.23), i njohur edhe si ankthi social ose fobia sociale, është një diagnozë në psikiatri dhe në profesionet e tjera të shëndetit mendor që i referohet ankthit të tepërt social (ankthit në situatat sociale) duke shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm dhe aftësi të kufizuar për të funksionuar në të paktën në disa aspekte të jetës së përditëshme. Diagnoza mund të jetë një çrregullim specifik (kur ndjehet frikë vetëm për disa situata të veçanta) ose një çrregullim i përgjithësuar. Çrregullimi i përgjithësuar i ankthit social tipikisht përfshin një frikë të vazhdueshme, të fortë dhe kronike nga gjykimi i të tjerëve dhe nga mundësia për t'u turpëruar ose poshtëruar prej veprimeve të veta. Kjo frikë mund të shkaktohet nga vëzhgimi i perceptuar ose aktual i të tjerëve. Ndërsa frika e ndërveprimit social mund të njihet nga personi si e tepërt ose e paarsyeshme, mund të haset një vështirësi e madhe për ta kapërcyer atë. Afërsisht 13,3% e popullsisë së përgjithshme mund të plotësojë kriteret për çrregullimin e ankthit social në një moment në jetën e tyre, sipas llogaritjes më të lartë të studimit, ku raporti midis meshkujve dhe femrave është 1:1,5.

Simptomat fizike që shoqërojnë shpesh çrregullimin e ankthit social përfshijnë, skuqjen e tepërt të fytyrës, djersitjen (hiperhidroza), dridhjen, palpitacionet, të përzierat dhe bëlbëzimin si dhe në disa raste ekstreme rrjedhjen e pështymës. Krizat e panikut mund të ndodhin nën një frikë të fortë dhe angështi. Një diagnozë e hershme mund të ndihmojë në minimizimin e simptomave dhe në zhvillimin e problemeve shtesë siç është depresioni. Disa të sëmurë mund të përdorin alkool dhe droga të tjera për të zvogëluar frikën dhe frenimet në ngjarjet sociale. Është mjaft e zakonshme që të sëmurët nga fobia sociale të vetëmjekohen në këtë mënyrë, veçanërisht nëse janë të padiagnostikuar dhe/ose të patrajtuar. Kjo mund të çojë në alkoolizëm ose në lloje të tjera të abuzimit të substancave.

Një person me këtë çrregullim mund të trajtohet me psikoterapi, mjekim ose me të dyja. Kërkimet kanë treguar se terapia konjitiv-biheviorale, qoftë individuale ose në grup, është efektive në mjekimin e fobisë sociale. Komponentët konjitiv (njohës) dhe bihevioral (të sjelljes) kërkojnë të ndryshojnë mënyrat e të menduarit dhe reagimet fizike ndaj situatave që krijojnë ankth. Barnat që jepen në recetë përfshijnë disa klasa antidepresivësh: frenuesit selektivë të rikapjes së serotoninës (SSRI-të), frenuesit e rikapjes së serotoninë-norepinefrinës (SNRI-të) dhe frenuesit e monoaminë oksidazës (MAOI-të). Disa barna që përdoren zakonisht përfshijnë bllokuesit-beta dhe benzodiazepinat, si dhe antidepresivë të rinj si mirtazapina. Gjithashtu, një bimë e quajtur kava ka tërhequr vëmendjen si një mjekim i mundshëm, megjithëse ekzistojnë shqetësime për sigurinë e saj, veçanërisht duke pasur parasysh natyrën e parregulluar me ligj të bimëve  në Shtetet e Bashkuara.

Në Shtetet e Bashkuara, vëmendja që i jepet çrregullimit të ankthit social është rritur shumë që nga viti 1999 me miratimin dhe hedhjen në treg të barnave për mjekimin e tij.

Diagnoza e çrregullimit të ankthit social

Sipas DSM-IV-TR, që një person të diagnostikohet me fobi sociale, duhet të plotësojë të gjitha kriteret (A-H) në vijim:

A. Frikë të fortë dhe e vazhdueshme ndaj një ose më tepër situatave të veprimtarisë sociale, në të cilat personi bie në kontakt me persona të panjohur ose me vëshgimin e mundshëm të të tjerëve. Frika individuale se mos personi do të veprojë në mënyrë (ose do të shfaqë simptoma ankthi) përulëse ose hutuese. Shënim: Te fëmijët, duhet të ketë prova të aftësisë për marrëdhënie sociale të përshtatshme për moshën me persona të njohur dhe ankthi duhet të ndeshet në mjediset e moshatarëve, jo vetëm në ndërveprimin me të rriturit.

B. Ndodhja në situata të veprimtarisë sociale provokon, pothuajse pa ndryshim, një përgjigje të menjëhershme ankthi.Kjo përgjigje mund të marrë formën e krizës së panikut të lidhur ose të predispozuar nga situata ose njerëz të caktuar. Shënim: Te fëmijët, ankthi mund të shprehet me qarje, nerva, ftohje ose druajtje nga situatat sociale me njerëz të panjohur.

C. Personi e di që frika e tij është e tepruar ose e paarsyeshme. Shënim: Te fëmijët, kjo karakteristikë mund të mungojë.

Ç. Situata sociale ose e jetës së përditshme shmanget, megjithëse ndonjëherë durohet me tmerr (ankth të fortë ose shqetësim).

D. Shmangia, pritja me ankth ose shqetësimi për situatat sociale ose të jetës së përditëshme që ka frikë, ndërhyn shumë në rutinën normale të personit, në funksionimin profesional (akademik), jetën sociale; ose nëse personi është mjaft i shqetësuar se mos ketë fobinë.

DH. Te personat nën moshën 18 vjeç, kohëzgjatja është të paktën 6 muaj.

E. Frika ose shmangia nuk është për shkak të efekteve të drejtpërdrejta fiziologjike të një substance ose të një gjendjeje të përgjithshme mjekësore dhe nuk shpjegohen më mirë nga një çrregullim tjetër mendor (p.sh. çrregullimi i panikut, çrregullimi i ankthit të ndarjes, dismorfofobia, çrregullimi i përgjithshëm i zhvillimit ose çrregullimi skizoid i personalitetit).

Ë. Nëse është e pranishme një gjendje e përgjithshme mjekësore ose një çrregullim tjetër mendor, frika në kriterin A ose shmangia në kriterin Ç nuk ka lidhje me të, (p.sh. frika nuk është nga belbëzimi, dridhja te sëmundja e Parkinsonit ose shfaqja e ngrënies anormale tek anoreksia).

Si trajtohet çrregullimi i ankthit social?

Çështja më e rëndësishme klinike që del nga studimet e çrregullimit të ankthit social, është dobia e diagnozës dhe e trajtimit të hershëm. Çrregullimi i ankthit social mbetet pak i njohur në procedurat e kujdesit shëndetësor parësor, me pacientët që shpesh paraqiten për mjekim vetëm pas fillimit të ndërlikimeve të tilla si depresioni klinik ose çrregullimet e abuzimit të substancave.

Kërkimet kanë dhënë prova për efikasitetin e dy formave të trajtimit të disponueshëm për fobinë sociale: disa barna dhe një formë specifike e një psikoterapie afatshkurtër të quajtur terapia konjitiv-biheviorale, komponenti kryesor i së cilës është terapia e ekspozimit gradual.

Nga 1ypattmental-health.gr/sq/
Identifikuar


Faqe: [1]   Shko Lart
  Printo  
 
Shko te:  

SimplePortal Classic 2.0.5
Mundeshuar nga MySQL Mundesuar nga PHP psikologji.net | Mundesuar nga SMF 1.1.7.
© 2005, Simple Machines LLC. Te Gjitha Te Drejtat Te Rezervuara.
XHTML 1.0! CSS!
Faqja u krijua ne 0.121 sekonda me 21 veprime.