psikologji.net
Gusht 29, 2014, 05:58:21 PD *
Miresevini, Vizitor. Ju lutemi identifikohuni ose regjistrohuni.

Identifikohuni me emrin, fjalekalimin dhe kohen e identifikimit
Njoftime: Lexoni materiale të ndryshme në: Psikologji - Gjithçka nga www.Psikologji.net <> Për të pasur të drejta dhe akses të plotë në të gjithë forumin, ju duhet të regjistroheni së pari. Për t'u regjistruar klikoni këtu: Regjistrohuni. Për çdo problem mund të na kontaktoni në: eldi@psikologji.net
 
  Kreu Forum Ndihme Kerko Kalendari Shop Identifkohuni Regjistrohuni  
Faqe: [1]   Shko Poshte
  Printo  
Autor Teme: Sëmundjet më të shpeshta të fëmijërisë  (Lexuar 4749 here)
0 Anetare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.
J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« : Janar 19, 2009, 07:29:54 MD »

Diarreja është shenjë e infeksioneve të shkaktuara nga viruset ose bakteret 
 
Autori i Lajmit: red. - Gazeta Ballkan

Çdo sëmundje tek një fëmijë është më e rëndë, sesa e njëjta sëmundje tek një i rritur sepse sistemi imunitar nuk është zhvilluar tërësisht dhe sepse mund të shfaqen rëndime, probleme. Një infeksion në fyt përshembull mund të përhapet në kraharor, sepse rrugët e frymëmarrjes janë shumë të shkurtra.

DIARREJA

Diarreja ose heqja e barkut karakterizohet nga të dala jashtë të ujshme të shpeshta dhe në gjuhën popullore quhet barkqitje. Diarreja është mjaft e shpeshtë tek fëmijët e moshave të vogla, veçanërisht nga 6 muaj deri në 2 vjeç. Diarreja e shpeshtë mund të paraqitet tek foshnjat nën 6 muaj, që ushqehen me qumësht lope apo ushqim artificial. Diarreja së bashku me të vjellat është shenjë e infeksioneve të stomakut dhe zorrëve, shkaktuar nga viruset ose bakteret. Diarretë e shkaktuara nga viruset janë më të shpeshta në dimër dhe shfaqen me të vjella, mungesë oreksi që ndiqen nga diarreja me jashtëqitje të lëngshme dhe të shumta. Nëse ka temperaturë, mund t i kalojë 38 gradët. Pas dy ditësh, diarreja pakësohet dhe brenda dy ditëve të ardhshme zhduket. Infeksionet e murit të brendshëm të stomakut dhe të zorrëve të holla (gastroenteritet bakteriale) shfaqen më shumë në muajt e verës dhe shkaktohen shpesh nga ushqimet e infektuara. Bakteret më të zakonshme janë Salmonella, Dizanteria ose Escherichia Coli: Këtë e tregon analiza e jashtëqitjeve.

Si dallohet?

Jashtëqitjet e lëngshme dhe të vazhdueshme janë shenja e pagabueshme e diarresë. Megjithatë, mund të lindë ndonjë dyshim, veçanërisht kur fëmija ushqehet me qumësht dhe është pak muajsh. Në këtë rast ai ka shpesh jashtëqitje gjysmë të lëngshme. Si mund të sigurohemi që ka vërtet diarre?
Është me siguri diarre, kur numri i jashtëqitjeve kalon shumë atë të zakonshmin (më shumë se 6-7 herë në ditë për foshnjat). Tek fëmijët mbi dy vjeç mund të flitet për diarre me më pak se 5-6 jashtëqitje të lëngshme në ditë. Edhe pamja e jashtëqitjeve është e rëndësishme. Kur është diarre, jashtëqitjet janë të ujshme ose gjysëm të lëngshme. Edhe tek fëmija më i madh, jashtëqitjet mund të jenë të lëngshme
dhe gjysmë të lëngshmem

Masat parandaluese të diarresë
• Respektimi i rregullave të pastërtisë, e sidomos i larjes së duarve
• Ushqyerja me gji
• Përdorimi i ushqimeve të freskëta të sapopërgatitura
• Përdorimi i ujit higjenikisht të pastër
• Pastrimi i mirë i enëve
• Mbrojtja e enëve nga mizat
• Përpunimi i mirë i ushqimit, gatimi i plotë i tij
• Përdorimi i rrobave të lara

Çfarë të bëni duke pritur pediatrin?
Janë pak, por të rëndësishme, mjetet që duhen përdorur:
• Jepini për të pirë lëngje sa më shumë fëmijës. Përdorni solucionin e trisolit (për të fituar lëngjet, nga goja).
• Ndërprisni ushqimin me qumësht artificial, duke hequr edhe dy - tre vakte në ditë. Nëse fëmija është më i madh, mos i jepni qumësht dhe djathë, pasi nganjëherë sheqeri i qumështit (laktoza) nuk thithet nga trupi dhe mund të shtojë diarrenë.
• Ushqeni foshnjën sa më shumë me gji.
• Mos i jepni fëmijës ilaçe kundër diarresë pa këshillën e mjekut. Shumë ilaçe nuk janë të dobishme dhe mund të jenë edhe të dëmshme për stomakun.
• Mos i jepni suposte (ilaçe që vendosen në rektum) kundër temperaturës, pasi do të dilnin përmes diarresë, përpara se të thitheshin nga stomaku.
• Në ndonjë rast, diarreja është kaq e shpeshtë dhe e shumtë, sa shkakton shumë shpejt një dehidratim, edhe pse prania e të vjellave pengon rihidratimin me anë të gojës; atëherë bëhet e nevojshme të shtrohet fëmija në spital, për ta rihidratuar.

Si të dalloni dhe trajtoni tharjen e lëngjeve tek fëmija
Fëmija juaj mund të ketë humbur lëngje të trupit, në rast se paraqet një apo më shumë nga shenjat e mëposhtme:
• Goja dhe buzët e thara
• Urina në ngjyrë të errët dhe e pakët në sasi
• Mungesë urinimi mbi 6 orë (në fëmijët e vegjël mund të ketë më pak se 6 panolina të lagura në 24 orë, ose mungesë urinimi për 6-8 orë).
• Sytë e fundosur, të futur thellë në zgavrat
• Fontanela e thelluar. (pjesa e butë e kokës)
• Përgjumje apo këputje e pazakontë, ose grindet shumë.
•Lëkura e tij është e thatë, dhe në rast se tërhiqet me gishtin e madh dhe gishtin tregues, pala e lëkurës kthehet prapa me ngadalë.

Si trajtohet diarreja në shtëpi
Mund të trajtohet në shtëpi atëherë kur fëmija pi mirë, nuk ka të vjella, temperatura është deri në 37.5 C, të dalat jashtë në formë diarreje janë jo më shpesh se 6-7 herë në ditë. Për shkak të të dalave jashtë të shpeshta, fëmija humbet lëngjet e trupit dhe kjo e rëndon gjendjen. Që fëmija të fitojë lëngjet e humbura, duhet t i jepen lëngje dhe sa më shumë, por aq sa pranon fëmija dhe jo më shumë se 2-3 ditë.

Lëngjet më të përshtatshme në kushtet e shtëpisë janë:
• Trisoli
• Çaji i lehtë
• Lëngu i orizit
• Uji i zier
• Kosi
• Banane e shtypur pure
• Suprat e ndryshme.

Sasia e lëngjeve shtesë që duhen dhënë është:
• Për fëmijët deri në 2 vjeç, rreth 50-100 ml pas çdo daljeje jashtë
• Për fëmijët mbi 2 vjeç, rreth 100-200 ml pas çdo defekimi.
Nëse jepen këto lëngje, shpesh diareja shërrohet brenda disa ditëve pa përdorur ilaçe.

Përgatitja dhe përdorimi i trisolit
Trisoli merret me paketë i gatshëm ose përgatitet në shtëpi: Tetë lugë kafeje të mbushura me sheqer, një lugë kafeje e mbushur me kripë gjelle, treten në 1 litër ujë të pastër, të zier dhe të vakur. Fëmijës kjo përgatitje i jepet me lugë. Nëse heqja e barkut i vazhdon mbi 2-3 ditë dhe ka të vjella, fëmija duhet të vizitohet tek mjeku. Nënat me fëmijë të vegjël mund të gjejnë trisol në të gjitha pikat farmaceutike, ose ta kërkojnë atë nga mamitë dhe infermieret e shërbimit shëndetësor.

Si kurohet diarreja

Në përgjithësi, ilaçet nuk shërbejnë, vetëm duhen dhënë lëngje, që fëmija të fitojë lëngjet e humbura.
Nëse fëmija ka temperaturë të lartë, pediatri do të japë ilaçe kundër temperaturës. Gjithashtu mund t ju këshillojë të zëvendësohet qumështi pluhur me qumësht të veçantë etj.

Fëmijët deri në 6 muaj
Nuk i duhet ndërprerë dhënia e gjirit, por të jetë më e shpeshtë. Kur fëmijët ushqehen me qumësht lope, ose kutie, qumështi duhet holluar përgjysmë me lëng orizi ose me ujë për një periudhë gati 2- ditore.

Fëmijët mbi 6 muaj
Përveç gjirit jepet një vakt më shumë në ditë sipas moshës, si për shembull paluze me miell orizi dhe kos.

Fëmijët mbi 1 vjeç
Rekomandohet të jepet lëng orizi i gatuar me mish të grirë dhe perime, duke i shtuar një ose dy lugë kafeje me vaj. Kjo përgatitje duhet të jetë e butë dhe e përzier mirë. Fëmijës me diarre nuk i duhet ndërprerë ushqimi. Dhënia e ushqimit ndikon në ndalimin e diarresë dhe në ruajtjen e peshës. Sasia e ushqimit të jetë e shpeshtë dhe nga pak, të paktën 6 herë në ditë. Kur fëmijës i shtohet oreksi, mund të marrë racion ushqimor të plotë.
Fëmijët më të mëdhenj, pasi kalon e vjella, do të përshtaten disa ditë me një ushqim me bazë orizi, me vaj dhe djathë, supë me patate dhe karrota, çaj me biskota. Pasi kalon diarreja, jepini të njëjtat ushqime që i keni dhënë më parë, duke i shtuar edhe një vakt më shumë, për dy javë mbas ndalimit të diarresë. Drejtohuni tek mjeku në rast se fëmija juaj: Ka diarre për më shumë se gjashtë orë rresht; Ka gjak në jashtëqitje; Ka shenja të humbjes së lëngjeve, siç i përshkruam më lart.

TË VJELLAT E FËMIJËS
Kur duhet përfillur vjellja e ushqimit
Me fjalën të vjella, kuptohet nxjerrja e pjesës më të madhe të përmbajtjes së ushqimit në stomak. Janë shumë dhe të ndryshme shkaqet për të cilat vjell një fëmijë. Tek foshnjat, shpesh nxjerrja e të gjithë ushqimit është pasojë e një dobësie të përkohshme të muskulit që mbyll hyrjen e stomakut. Ky muskul duhet të pengojë, që ushqimi të dalë prapë nga gryka. Në muajt e parë, ndodh që ky muskul të mos mbyllet mirë. Kështu, nëse gjatë ushqimit fëmija ka gëlltitur shumë ajër, mund të ndodhë që në vend të gromësimës normale, të vjellë.
Të vjellat theksohen veçanërisht kur kur ushqimi jepet me orar të përafërt; ushqimi jepet me sasi të tepërt dhe shpejtësi; ushqimi nuk është gatuar mirë ose kur nëna ka pak qumësht. Fëmija vjell sepse thith sasi të madhe ajri gjatë ushqyerjes me gji. Shpeshtësia e vjelljes së zakonshme pakësohet pas muajit të gjashtë të jetës. Nëse kjo ndodh kohë pas kohe dhe nuk pengon rritjen e fëmijës, nuk ka gjë për t u shqetësuar: është diçka normale dhe që kalon vetë. Nëse përsëritet aq shpesh sa ngadalëson rritjen në peshë, pediatri duhet të sigurohet, që nuk bëhet fjalë për një problem tjetër.Tek fëmijët më të mëdhenj, vjellja është një mbrojtje që përdor trupi, për të nxjerrë diçka që e shqetëson: një ushqim të patretur, një tepricë ushqimesh të pasura me yndyrna, por edhe baktere e viruse që sulmojnë stomakun dhe zorrët (temperaturë, anoreksi, diarre, gjendje e keqe në përgjithësi).
Kujdes: Të vjellat e shumta – rrezik serioz!
Çfarë duhet të bëni? Një fëmijë që vjell, humbet shumë lëngje dhe ky është problem. Në rastin e foshnjes, drejtohuni menjëherë tek pediatri. Në rast se fëmija është pak më i madh se 1 vjeç, jepini të pijë pak, por shpesh. Është e kotë të përpiqeni që ai të hajë: më mirë të mos hajë për 10- 12 orë deri sa shqetësimi të ketë kaluar dhe të rifillohet pastaj ushqimi ngadalë. Nëse fëmija ka temperaturë, është mirë t i jepet një supost kundër temperaturës, sipas këshillës së mjekut: pikat ose shurupi mund të villen para se të bëjnë efekt. Është plotësisht e ndaluar t i jepen ilaçe kundra të vjellave pa këshillën e pediatrit: në doza të tepërta këto ilaçe mund të japin probleme të rënda. Mbani fëmijën mbi një legen dhe qetësojeni ndërsa vjell. Më tej pastrojini fytyrën dhe jepini disa gllënjka ujë. Stomaku i fëmijës që vjell duhet të ketë një periudhë qetësie.
Mundohuni të pijë lëngje sa më shumë. Fëmija ka nevojë për rreth 1.5-2 litra ujë në ditë. Përgatisni solucionin rehidrues të trisolit (shih Diarreja), që duhet ta keni gjithnjë në shtëpi. Për disa orë mos jepni asnjë ushqim tjetër përvec lëngjeve. Mbasi të jenë ndërprerë të vjellat, mund të fillohet të futet fëmija në ushqyerjen normale, duke filluar në orët e para ushqime pa shumë yndyrë, që treten lehtë, për shembull, makarona, pilaf, qumësht pa yndyrë, me sheqer.
Shpesh, të vjellat janë shenjat e një sëmundjeje: do të jetë pediatri që, pasi e dallon, do të japë edhe terapinë e duhur. Kur është shenjë e një sëmundjeje kalimtare, nuk duhet të shqetësoheni: mjafton të ndiqni këshillat që ju kemi përshkruar për trisolin (shih Diarreja) dhe do të zhduket vetë brenda pak kohe.

Drejtohuni tek mjeku, në rast se fëmija juaj:
• Vjell dhe duket shumë i përgjumur, apo është mjaft i këputur dhe nuk reagon
• Nxjerr të vjella në ngjyrë të verdhë-jeshile, ose të përziera me rryma gjaku
• Ka të vjella të pandërprera për më shumë se 6 orë, apo rifillon të vjellë, pasi ju i keni filluar ushqimin normal
• Ka shenjat e humbjes së lëngjeve dhe nuk merr asgjë nga goja për 10-12 orë
• Ka temperaturë shumë të lartë.

KAPSLLËKU
Çfarë është?
Fëmija juaj ka kapsllëk kur nxjerr feçe më të forta se sa zakonisht. Jashtëqitja tek fëmijët e vegjël është e ndryshme, disa dalin jashtë dy herë në ditë, të tjerë një herë në ditë, apo një herë çdo dy tre ditë. Cilado qoftë mënyra e jashtëqitjes së fëmijës tuaj, ajo është normale dhe mos u mundoni ta ndryshoni. Shpesh foshnjet e vogla kanë kapsllëk në momentin kur mësojnë të qëndrojnë ulur apo zvarriten dhe
ende nuk janë në gjendje të ecin.
Çfarë mund të bëni:
• Mos u shqetësoni nëse fëmija juaj ka përkohësisht kapsllëk, kjo nuk do t i shkaktojë ndonjë dëm të rëndë. Mos i jepni asnjë ilaç, qoftë edhe popullor kundër kapsllëkut, sepse ai do të çrregullojë aktivitetin normal
të zorrëve dhe mos i hidhni më shumë sheqerna apo mjaltë ushqimeve të fëmijës.
• Jepini më shumë lëngje, veçanërisht në kohë të nxehtë, për të zbutur feçet. Në rast se fëmija është nën 6 muajsh dhe ushqehet vetëm me gji, jepini më shpesh dhe më gjatë qumështin e gjirit.
• Lëngu i frutave, veçanërisht ai i kumbullave të zeza, mund të ndikojë në lehtësimin e kapsllëkut tek fëmijët mbi një vjeç.
• Mos e nxitoni fëmijën në rast se është ulur në uturak, por edhe mos e lejoni që të qëndrojë për një kohë shumë të gjatë në të.
• Përpiquni që në dietën e fëmijës tuaj të shtoni ushqime që ndihmojnë jashtëqitjen normale, pra ushqime të pasura me fibra si buka e zezë, makaronat, perimet (patatet, karrotat, frutat e freskëta, pjeshka, frutat e thata, kumbullat e thata etj). Fibrat i bëjnë feçet më të buta dhe kështu ato arrijnë me lehtësi të shtyhen përpara nga zorrët.

Drejtohuni tek mjeku në rast se fëmija juaj:
• Qan, apo ankohet për dhimbje kur mundohet të dalë jashtë
• Paraqet gjak në feçet e tij, apo në panolina, ose në mbathje
• Ka kapsllëk për më shumë se tri ditë.

INFEKSIONI I ZORRËVE DHE I STOMAKUT
(GASTROENTERITI)
Gastroenteriti është një infeksion i zorrëve dhe stomakut, që shkaktohet nga ushqimi i prishur. Ai jep të vjella, diarre dhe dhimbje. Ka dhe disa forma gastroenteriti që shkaktohen nga antibiotikët dhe ushqimet pikante. Gastroenteriti nuk zgjat zakonisht më shumë së tre ditë dhe kalon pa ndonjë mjekim të vecantë, por me dhënien e lëngjeve. Megjithatë një foshnjë e vogël nuk mund ta durojë dot humbjen e lëngjeve dhe nëse ajo vjell dhe ka diarre për më tepër se tre ditë, duhet thirrur mjeku.

Konvulsionet
Sëmundjet nervore
Janë mjaft të përhapura, ngaqë sistemi nervor ende nuk është pjekur, por rrallë janë shenjë e një sëmundjeje serioze. Pothuajse gjithmonë shkaktohen nga temperatura e lartë: truri reagon në mënyrë të pakontrolluar nga rritja e temperaturës dhe i dërgon muskujve komandën që të ngurtësohen e mblidhen.
Si dallohen
Kriza konvulsive është e papritur: fëmija ngurtëson të gjithë trupin, humb ndjenjat dhe është i pandjeshëm kundrejt stimujve të jashtëm, kthen sytë mbrapa dhe ka ngërçe muskujsh që s i kontrollon dot, tund këmbë e duar, ka shkumë në gojë.
Në pritje të pediatrit
Mbi të gjitha mundohuni të ruani qetësinë: një krizë e tillë të tremb shumë por, siç e thamë zgjidhet pa pasoja të rënda. Mos u nisni menjëherë për të thirrur pediatrin, por rrini me fëmijën deri sa t i kalojë kriza: rrijini afër, por mos u mundoni t i bllokoni lëvizjet, mund ta vrisni. Nëse është në shtrat kthejeni anash. Mbajeni në këtë pozicion edhe nëse ka rënë në dysheme, sepse kështu pështyma nuk do t i kalojë keq.
Pasi të kalojë kriza, matini temperaturën dhe nëse është ende e lartë, vendosini disa peceta të lagura me ujë të vakët dhe shtrijeni në krevat me pizhama të lehta dhe pa batanije të rënda.
Si kurohen
Mjeku do t ju këshillojë të çoni fëmijën në spital: mos u trembni, është mënyra e vetme për të bërë një elektroencefalogram dhe analizat e tjera të nevojshme, që të sigurohet që nuk ka shkaqe të tjera të mundshme të rënda. Përsa i përket trajtimeve, pediatrët sot mundohen të mos të japin ilaçe për fëmijët që kanë pasur vetëm raste të vecuara të konvulsioneve të temperaturës. Është e këshillueshme t i dilet para konvulsioneve me mjekime për uljen e temperaturës, që duhen dhënë në shenjat e para të temperaturës.

Sëmundjet e hundës
Një hundë e bllokuar nga të ftohtit, gripi apo rrallë nga alergjia është e zakonshme në fëmijëri dhe shpesh nuk është serioze.
HUNDET E BLLOKUARA APO QË RRJEDHIN
Sekrecionet e tepërta në hundë që çon në rrjedhjen e hundëve shkaktohet nga një virus i të ftohtit. Cipa e brendshme e kanaleve të hundës infektohet, fryhet dhe shkakton bllokimin. Shkaqet e tjera mund të jenë alergjia apo ndonjë trup të huaj në hundë.
Shenjat
Qurrat që shkaktohen nga viruset e të ftohtit, në fillim janë të rrjedhshme dhe të pastra, por mund të trashen dhe të zverdhen kur trupi sulmon infeksionin.
Trajtimi
Nxiteni fëmijën t i shfryjë hundët shpesh. Tregojini si ta bëjë duke pastruar njëherë njërën anë e pastaj tjetrën. Disa pika mentol në jastëkun apo rrobat e fëmijës mund të ndihmojnë. Konsultoni me mjekun nëse hundët rrjedhin më shumë se tre ditë.

RRJEDHJA E GJAKUT NGA HUNDET
Shumica e gjakrrjedhjeve mund të ndalohen lehtësisht. Nëse gjakrrjedhja vazhdon më shumë se 30 minuta, çojeni fëmijën tek mjeku. Ajo shkaktohet tek fëmijët nga kapja me forcë e hundës.
Shenjat
Gjakrrjedhja vjen nga enët e vogla të gjakut në pjesën e brendshme të hundës. Mund të formohet një kore në hundë, që nuk duhet të hiqet.
Trajtimi
Vendoseni fëmijën me kokën poshtë në lavaman dhe shtrëngojini pjesën e butë të hundës. Ushtroni presion për tre minuta deri sa gjakrrjedhja të ndërpritet. Asnjëherë mos ia vendosni kokën mbrapa, sepse ai mund të gëlltisë gjak dhe të sëmuret.
SINOZITI
Sinuset janë zgavra në kockat e hundës, faqeve dhe mbi sy që janë të mbështjella nga cipa. Mukusi/ sekrecioni rrjedh nga ato tek hundët. Sinoziti shfaqet kur rrjedhja e mukusit keqësohet. Kjo vjen kur për arsye të një të ftohti ose të një gripi, ose kur ndonjë infeksion kalon nga fyti te hundët.
Shenjat
Qurret në fillim kur fëmija ftohet janë të pastra dhe të rrjedhshme. Më pas bëhen të trasha dhe më të verdha. Kjo është normale. Por nëse kjo është e vazhdueshme, atëherë ka shumë të ngjarë që të jetë zhvilluar sinoziti. Jep dhimbje koke, bllokim të hundëve, ulje të shijes dhe ndonjëherë ethe.
Trajtimi
Trajtohet me antibiotikë dhe ilaç me pika në hundë. Mbajeni mjedisin të lagësht në shtëpi, përgatisni mentol dhe jepini paracetamol për dhimbjet.
Sëmundjet e syve
Problemet më të zakonshme të syve janë infeksionet, që mund të kurohen me higjenë të mirë dhe me antibiotikë me pika.

SYTE
INFEKSIONI I QERPIKËVE (BLEFARITIS)
Ky është një infeksion i qerpikëve të syrit. Nuk është serioz dhe mund të ndalohet me masa ndihmëse. Flisni me mjekun nëse sytë bëhen ngjitës ose nuk pastrohen brenda një jave.
Shenjat
Cepat e syrit janë të kuqe, të infektuara dhe mund të vini re pika qelbi të tharë tek qerpikët. Kurimi. Duke përdorur pambuk me ujë të zier me gjysmë luge kripë, pastroni sytë e fëmijës duke nisur nga hunda. Përdorni pambuk të ri sa herë që i pastroni dhe bëjeni këtë çdo mëngjes dhe darkë, derisa
të shërohet. Mjeku mund t ju japë ilaç me pika, nëse ka infeksion.

INFEKSIONI I MEMBRANËS QË MBULON KOKËRDHOKËT E SYRIT (KONJUKTIVIT)
Ky infeksion mund të vijë nga një virus, nga futja e një trupi të huaj në sy dhe një reaksion alergjie. Eshtë shumë ngjitës, kështu që kujdesuni për syrin tjetër nëse nuk është infektuar.
Shenjat.
Infeksioni shkakton dhimbje dhe vështirësi për të parë dritat e forta. Kur konjuktivi shkaktohet nga bakteret, mund të ketë qelb në kapakun e poshtëm të syrit. Konjuktivi alergjik shkakton lot dhe
qepalla të fryra.
Trajtimi
Pastrojeni mirë syrin me ilaç të përshtatshëm ose me ujë. Duhet të trajtohen të dy sytë, sepse ky infeksion është shumë ngjitës. Kur ka trup të huaj hiqeni me kujdes. Në rastin e një infeksioni të rëndë, mjeku do t ju japë antibiotikë apo ilaç me pika.

BYCI
Kur rrënja e qerpikut infektohet, atëherë në sy shfaqet një fryrje e dhimbshme, plot qelb, në anë të qepallës. Fërkimi i syve mund ta keqësojë.
Shenjat
Në fillim qepalla enjtet pak dhe pastaj mbushet me qelb.
Trajtimi
Megjithëse byci nuk është aq ngjitës, fëmija duhet të përdorë peshqir të veçantë. Mjeku do t ju rekomandojë antibiotikë dhe kompresa me ujë të ngrohtë.

SYTË E VËNGËR/ STRABIZMI
Sytë e fëmijës shohin në drejtime të ndryshme, ndonjëherë drejt njëri-tjetrit dhe ndonjëherë në drejtim të kundërt. Deri në tetë javë kjo është normale, por më vonë duhet të flisni me mjekun.
Shenjat
Nëse dyshoni për strabizëm, shikoni sesi reflektohet drita në sytë e fëmijës. Drita duhet të reflektohet nga i njëjti vend në çdo sy, nëse jo, pra nëse sytë janë drejtuar në drejtime të ndryshme, thërrisni mjekun.
Trajtimi
Mbuloni syrin e fortë me një fasho. Kjo do të detyrojë muskujt e syrit të dobët të bëhen më të fortë. Sytë duhet të drejtohen brenda 5 muajsh, megjithëse mund të duhet edhe më tepër kohë. Për fëmijët që janë mbi 1 vjec, mjeku mund t ju këshillojë syze.

 
Identifikuar


Faqe: [1]   Shko Lart
  Printo  
 
Shko te:  

SimplePortal Classic 2.0.5
Mundeshuar nga MySQL Mundesuar nga PHP psikologji.net | Mundesuar nga SMF 1.1.7.
© 2005, Simple Machines LLC. Te Gjitha Te Drejtat Te Rezervuara.
XHTML 1.0! CSS!
Faqja u krijua ne 0.112 sekonda me 20 veprime.