psikologji.net
Korrik 24, 2014, 12:13:21 PD *
Miresevini, Vizitor. Ju lutemi identifikohuni ose regjistrohuni.

Identifikohuni me emrin, fjalekalimin dhe kohen e identifikimit
Njoftime: Lexoni materiale të ndryshme në: Psikologji - Gjithçka nga www.Psikologji.net <> Për të pasur të drejta dhe akses të plotë në të gjithë forumin, ju duhet të regjistroheni së pari. Për t'u regjistruar klikoni këtu: Regjistrohuni. Për çdo problem mund të na kontaktoni në: eldi@psikologji.net
 
  Kreu Forum Ndihme Kerko Kalendari Shop Identifkohuni Regjistrohuni  
Faqe: [1]   Shko Poshte
  Printo  
Autor Teme: Astrologjia  (Lexuar 2324 here)
0 Anetare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.
J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« : Shkurt 07, 2009, 10:20:45 MD »

Astrologjia krijon principet e saj mbi baza shkencore dhe mund te percaktohet si nje instrument i njohjes per te ndihmuar njeriun ne njohjen sa me te mire te cilesive te tij. , duke u nisur nga mendimi qe, planetet e sistemit tone diellor, nepermjet ritmeve orbitale, krijojne influenca.

Astrologjia e orientit ka lindur ne Mesopotami rreth vitit 3000 p.k, dhe eshte trasheguar deri ne ditet tona, nepermjet Grekeve dhe Romaneve. “DOKUMENTI”, antik me i rendesishem qe ka arritur deri ne ditet tona, eshte Enuma Anu Emil, e cila eshte e perbera nga 70 pllaka te shkruara rreth vitit 900 p.k.. Aty dukeshin qarte kontaktet midis fenomeneve qiellore te lidhura me jeten e njerezve. Ikonografia zodiakale eshte me e re dhe vjen nga periudha e Egjiptit, te cilet kane zbuluar qe nje grup yjesh ndikonte mbi disa nevojshmeri njerezore, ketyre fenomeneve ju bashkangjitej nje gjeoglif, duke zgjedhur nje lloj kafshe, ose xhesti qe simbolizonte kete fenomen. P.sh. Ujori konkordonte me grupin e yjeve ne te cilat ndodhej Hena e plote dhe me fillimin e permbytjeve te Nilit. Shenjat jane zgjedhur ne kete menyre duke pershkruar kafshe (Dashi, Demi, Gaforrja, Luani, Akrepi, Peshqit), disa pershkruan personazhe fantastike ose njerezore (Binjaket, Virgjeresha, Shigjetari, Bricjapi), ndersa disa te tjera prezantohen me emra sendesh (Peshorja). Nga antikiteti deri ne shekullin e XVIII, astrologjia eshte konsideruar si nje shkence dhe nuk ndahej ne menyre thelbesore nga Astronomia. Shume njerez te ditur kane qene dhe njohes shume te mire te astrologjise si p.sh Pitagora, Talete e Newton. Sistemi astrologjik oriental eshte i bazuar, po ashtu si dhe e paraardheseve te mirenjohur, mbi vezhgimin e sistemeve dhe llogaritjen e statistikave, kjo organizohet rreth Diellit dhe u jep karakteristika te vecanta planeteve. Zhvillohet sipas nje zodiaku tropikal, shenjat e zodiakut jane nje ndarje arbitrare e rripit zodiakal yjor, nepermjet te cilit kalojne planetet. Jane imazhe te kohes, te cilat takohen ne shenjen e Dashit dhe kane te gjitha nje kend prej 30 gradesh. Jane domethene nje prezantim i kohes diellore, te stineve dhe te ciklit jetesor te natyres. /Medialb/

Një shpjegim i shkurtër i astrologjisë I

Sigurisht se shumë herë gjatë jetës tuaj jeni pyetur se cili është roli juaj unik në këtë botë - kush ua dhuron talentin, kush frikën e kush dashurinë. Madje, mund të keni pasur edhe shumë pyetje të tjera, për të cilat asnjëherë nuk keni gjetur përgjigje ose mund të keni marrë përgjigje të prera të formës – vjen nga natyra ose Zoti. Një gjë duhet kuptuar mirë, astrologjia nuk i mohon këto shpjegime - mirëpo çdoherë ka kërkuar dhe kërkon më shumë - kërkon të dijë se cili është roli i njeriut në këtë botë dhe se në çfarë forme është i lidhur mikrokozmosi i brendshëm i tij me makrokozmosin që e rrethon atë. Pra, astrologjia është metodë shumë e përparuar e vetënjohjes. Më ndihmën e saj ne jemi në gjendje t’i njohim dhe t’i zhvillojmë potencialet tona, duke iu përshtatur energjive të planetëve në planin shpirtëror, mental, emotiv dhe fizik. Imazhi i pozitave të planetëve në momentin e lindjes së një personi është, në të vërtetë, mikrokozmosi i atij personi, respektivisht ID-ja e tij e përhershme. Karakteri i njeriut, por edhe momentet e ndryshme të evoluimit në jetën e tij, janë të dhëna të marra nga ndërlidhja e shenjave dhe e planetëve.

Çfarë është raporti i njeriut me Universin?
Si ndikon lëvizja e trupave qiellorë në jetën e njeriut?
Si ndikon astrologjia në vullnetin e lirë?


T’u përgjigjesh këtyre pyetjeve, do të thotë të fillosh një rrugëtim drejt vetënjohjes dhe vetëkuptimit. Astrologjia është një vegël antike që ju mundëson të vetënjiheni, vetinformoheni dhe vetëtransformoheni. Astrologjia ju shpie drejt kuptimit më të madh të asaj se kush në të vërtetë jeni dhe si mund të rriteni.

Astrologjia ju ndihmon ta realizoni potencialin tuaj dhe t’i zhvilloni aftësitë tuaja. Së fundi, nëpërmjet vetëkuptimit që e promovon, astrologjia ka kapacitet të ndikojë në shpirtin e njeriut dhe ta mbajë gjallë atë.

Të gjitha gjërat lëvizin. Sikundër që Toka sillet rreth boshtit të vet brenda 24 orëve, po ashtu edhe planetët e tjerë lëvizin me shpejtësi të ndryshme në orbitën e madhe rreth Diellit. Astrologjia, pra, ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet këtij kozmosi të madh që na rrethon dhe kozmosit brenda secilës qenie njerëzore. Energjitë e njëjta që funksionojnë rreth jush në univers, po ashtu veprojnë edhe brenda jush: ato reflektojnë, formojnë dhe ndikojnë në botën tuaj të brendshme.

Çka është horoskopi?

Origjina e fjalës horoskop rrjedh nga fjala greke “horoscopos”, që do të thotë “shenjë e ngritur mbi horizontin lindor në një moment të caktuar”. Horoskopi më i vjetër i ruajtur deri sot, daton nga viti 410 para erës sonë.

Horoskopi, ose harta jetësore, është imazh ose diagram që prezanton orën e ndalur kozmike në momentin kur keni lindur, pra imazh që shpërfaq pozicionin e planetëve në atë moment. Lëkundjet planetare, ose energjitë që kanë vepruar në momentin kur keni lindur, janë unike. Horoskopi është projektplan i karakterit dhe potencialeve tuaja – pra portreti juaj kozmik.

Sidoqoftë, trupat qiellorë nxisin, por nuk largojnë: një kuptim i energjive planetare që operojnë në jetën tuaj ju lejojnë të jeni në kontroll dhe t’i përdorni këto energji me mençuri, për suksesin dhe evoluimin tuaj personal.

Për çka shërben astrologjia?

Astrologjia është një vegël që ju mundëson përparimin personal dhe që ta përmirësoni cilësinë e jetës suaj. Sot, miliona njerëz në botë, kërkojnë t’u punohet harta e jetës për t’i vjelë të mirat e ditës dhe për t’i shfrytëzuar mundësitë që ua ofrojnë planetët.
Një shpjegim më i avancuar na thotë se ndryshimet dhe përparimet janë mësimet që duhet t’i marrim në një kohë të caktuar të jetës dhe kështu mund t’i përballim sfidat, periudhat e vështira dhe ta rrisim qenien tonë shpirtërore.

Asnjë mashkull ose femër nuk e sheh veten sikur i shohin të tjerët dhe shpesh ndodh që para njerëzve të tjerë ata të shfaqin paragjykimet për vetveten, por pyetja e vërtetë është – a dëshironi të bëheni më të vetëdijshëm, t’i pranoni vetitë e këqija dhe të filloni t’i zhvilloni vetitë e mira? Astrologjia ju mëson ta njihni veten më mirë dhe si të jetoni në harmoni me të tjerët rreth jush, sidomos me partnerin ose familjarët. Për këtë shkak është i nevojshëm krahasimi i horoskopëve të njerëzve.

Astrologjia: Shkencë, ose art?

Mund të thuhet se astrologjia është edhe shkencë, edhe art. Astrologjia studion ndikimin e forcave kozmike mbi karakterin e njeriut, që burojnë nga trupat qiellorë. Përpilimi i një harte jetësore (horoskopi) është punë që kërkon llogaritjen e saktë të çdo faktori. Ndërsa arti i astrologjisë gjendet në aftësinë e astrologëve për ta sjellë një kuptim të duhur psikologjik, shpirtëror dhe human për mënyrën se si energjitë kozmike ndikojnë mbi jetën tonë.

(AE)
« Ndryshimi I Fundit: Shkurt 08, 2009, 12:52:17 MD nga J@mes » Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #1 : Shkurt 07, 2009, 10:23:07 MD »

A është shkencë astrologjia?

Ka mendime se astrologjia është shkencë. Lidhur me çështjen se me çka merret astrologjia ka pikëpamje të ndryshme, ndërsa njëra ndër më të shpeshtat është se astrologjia është shkencë e cila merret me studimin e ndikimit të energjisë së planetëve dhe yjeve në njeriun. Kjo pikëpamje daton nga astrologët të cilët e praktikojnë të ashtuquajturën astrologji moderne (të popullarizuar), është plotësisht e gabuar, paraqet përpjekjen që me qëllim të komercializimit, astrologjia të harmonizohet më mirë më mënyrën bashkëkohore të të menduarit dhe me idetë bashkëkohore shoqërore dhe, veç tjerash, është pasojë e mosnjohjes elementare të natyrës së përmbajtjes së astrologjisë.

Po çka është në të vërtetë astrologjia?

 
Kjo është një pyetje shumë e komplikuar, të cilës nuk është lehtë t’i jepet një përgjigje e shkurtër. Dikur afërsisht deri në shekujt XVI - XVII, në kohën kur ka jetuar dhe ka vepruar Francis Bekoni, astrologjia konsiderohej shkencë, por në atë kohë edhe vetë shkenca kishte një kuptim dhe një domethënie krejtësisht tjetër kundruall asaj moderne, kundruall shkencës postbekoniane. Astrologjia merret me studimin e lidhjeve ndërmjet qiellit të dukshëm dhe tokës, ndërsa natyra e saj lidhjeje nuk është fizike, shkak-pasojë, por simbolike. Astrologjia, pra, nuk studion kurrfarë ndikimi të energjisë së planetit dhe të yjeve në njeriun, por vetëm lidhjen simbolike ndërmjet qiellit të dukshëm (shtatë planetëve të dukshëm, yjve të palëvizshëm, kometave të dukshme dhe të dukurive të tjera në qiell të cilat gjithashtu mund të shihen) dhe zhvillimeve në tokë. Pikërisht për shkak të simbolizmit të cilin e studion, astrologjia assesi nuk mund të jetë shkencë në konceptimin modern të kësaj fjale. Edhe pse është pararendëse e shumë shkencave, astrologjia sot konsiderohet shkathtësi ezoterike, e cila nënkupton unitetin e gjithësisë dhe ndërlidhjen e çdo gjëje në të, ndërsa në pikëpamje të njohurive të saja dhe metodave që zbaton është plotësisht e përmbyllur dhe e përfunduar, ndaj në këtë pikëpamje, për dallim nga shkenca moderne, lënda dhe metodat e saj nuk mund të ndryshohen, përkatësisht të zgjerohen. Astrologjia është një sistem i përkufizuar i njohjes, që nuk mund të ndryshohet dhe i cili pranohet ashtu sikundër është. Nga ky shkak astrologjia më parë mund të konsiderohet shkathtësi ezoterike sesa shkencë.

Cilave pyetje mund t’u përgjigjet astrologjia?


Besoj se astrologjia mund t’i përgjigjet çdo pyetjeje. Do ta vëreni se kam theksuar se astrologjia (dhe jo astrologu) mund t’i përgjigjet çdo pyetjeje me çka dua të theksoj se astrologjia është e kufizuar vetëm me dijen dhe përvojën e atyre që e praktikojnë. Astrologjia është e saktë po aq sa është i shkathtë astrologu.

Secili astrolog, i cili merret me astrologjinë në mënyrë serioze, herët ose vonë do të përballet me çështjet, sikundër janë përcaktimi profesional i personit që parashtron pyetjet, pastaj se si do të jetë statusi financiar në një periudhë të ardhshme, marrëdhëniet me partnerin, numrin e fëmijëve që do të lindin dhe në raste të shpeshta madje edhe bëjnë pyetje lidhur jetën në botën e jashtme e të ngjashme. Astrologu, nganjëherë, mund të ndodhet në një situatë delikate, posaçërisht kur parashtrohen pyetje lidhur me vdekjen e ndonjë personi, përfundimin e ndonjë sëmundjeje të rëndë, gjetjen e personave të zhdukur etj. Është çështje e secilit astrolog që, në pajtim me shkathtësinë, përvojën dhe parimet morale, të vendosë nëse do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Për hir të së vërtetës, duhet theksuar se astrologu më parë fokusohet në mënyrën sesa në kohën e vdekjes, për shkakun se përcaktimi i jetëgjatësisë është njëra nga çështjet më komplekse astrologjike, e cila kërkon zbatimin e teknikave të përparuara të kësaj fushe dhe çështjes së zënë ngoje astrologët me përvojë duhet t’i qasen në mënyrë shumë të kujdesshme. Gjithashtu, horoskopi vazhdon “të jetojë” edhe pas vdekjes së personit për të cilin bëhet horoskopi, ashtu që nga horoskopi i personit tashmë të ndjerë mund të konstatohen shumë zhvillime lidhur me personat e tij të afërm të cilët kanë mbijetuar.

Rëndësia e horoskopëve ditorë, javorë dhe mujorë?

Shumica e astrologëve, të cilët merren me astrologjinë e popullarizuar (moderne) merren njëkohësisht edhe me të ashtuquajturit "horoskopë natyrorë", te të cilët shenja në të cilën ka dalë Dielli në ditën e lindjes merret si substitut për shtëpinë e vërtetë që bazohet në momentin e saktë të lindjes dhe në koordinatat gjeografike të vendit të lindjes, ndërsa shenja pasuese deri te Dielli është si zëvendësim për shtëpinë tjetër dhe kështu me radhë deri te shenja e dymbëdhjetë, e cila i paraprin shenjës diellore. Në bazë të pozitave ditore, javore, mujore etj. të planetëve, bazuar në shenjat e tilla e tilla dhe në marrëdhëniet e ndërsjella, mund të bëhen analiza dhe parashikime për personat e lindur në kuadër të një shenje të caktuar. Kjo është plotësisht e pamjaftueshme, sepse trajtohet vetëm Dielli dhe madje në kuadër të të tridhjetë shkallëve të një shenje që, gjithashtu, vetvetiu del shumë e palogjikshme. Përndryshe pozita e Diellit përfaqëson pjesën qendrore në pikëpamje të treguesit të individualizimit të personit, por në mënyrë të pashmangshme vetëm në lidhje me elementet e tjera të një horoskopi radikal. Dielli, në këtë pikëpamje, nuk mund të analizohet në mënyrë të izoluar, sepse personaliteti i paraqitur nëpërmjet të gjitha elementeve të një horoskopi, për të cilin Dielli është përbërës i rëndësishëm, por gjithsesi jo i vetmi.

Horoskopët natyrorë kanë lindur në kohët e fundit si pasojë e komercializimit të astrologjisë. Kjo gjë e ka sjellë astrologjinë në një nivel të sensacionit të ulët, të përmbajtjeve sipërfaqësore dhe në rastet më të shpeshta edhe të përmbajtjeve të pasakta, të cilat i gjejmë, pothuajse përditë, në media. Astrologjia nuk është një argëtim banal, por një shkathtësi e komplikuar e interpretimit ndërmjet të raporteve ndërmjet Tokës dhe pjesë së dukshme të Kozmosit.

Astrologjia tradicionale nuk i njeh horoskopët ditorë, javorë, mujorë, pastaj horoskopët e kanakarëve dhe sajime të ngjashme kuaziastrologjike.

A mund ta parashikojë astrologu të ardhmen e një personi?

Ka mundësi, me kusht që koha e lindjes së atij personi të komunikohet saktësisht, me një dallim prej më së shumti katër minutash (gjë që natyrisht është një rast i rrallë). Madje, edhe në rast të mossaktësimit prej katër minutash (por jo më shumë se pesëmbëdhjetë minuta) edhe më tej është e mundur që, me një saktësi të madhe, të parashikohen ngjarjet në të ardhmen e jetës së një personi (nga lindja deri te ditëlindja). Kuptohet e gjithë kjo është e kushtëzuar nga dija dhe shkathtësia e vetë astrologut.

Në qoftë se është e njohur vetëm përafërsisht koha e lindjes së një personi, është e mundur që të aplikohet një metodë e përparuar astrologjike, i ashtuquajturi rektifikacioni i horoskopit, që paraqet përcaktimin e shkallës së saktë të ashendentit të horoskopit që analizohet. Për ta përcaktuar shkallën e saktë të ashendentit, nëpërmjet zbatimit të rektifikacionit të horoskopit me rëndësi jetike është njohja e rregullave tradicionale të astrologjisë dhe përvoja e astrologut për rektifikacionin e horoskopit.

Personave, të cilëve nuk u dihet koha, madje as edhe data e lindjes, është e mundur t’u jepet përgjigje për çështje konkrete. Përgjigjet për këto çështje i gjejmë në kuadër të astrologjisë horare, nëpërmjet analizimit të horoskopit për kohën dhe vendin e saktë në t cilin astrologu është njoftuar lidhur me pyetjet që i janë bërë.

Telegrafi
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #2 : Shkurt 07, 2009, 10:25:50 MD »

DASHI

MOTOJA: UNË JAM
KARAKTERISTIKAT: Ndërmarrës, i guximshëm, impulsiv, kokëfortë, dinamik. Ka energji të madhe, por nuk ka vullnet të qëndrueshëm. Ka bukurinë fizike. Bën luftë të përjetshme dhe është në aktivitet të vazhdueshëm. Adhurues i sportit dhe i të gjitha aktiviteteve fizike.
PLANETI: Marsi.
PROFESIONI: Politikan, inxhinier, avokat, komik, ushtar, kimist, astronom, kirurg, mishshitës, floktar.
MANGËSIA: Arrogant, i pamatur.

DEMI

MOTOJA: UNË KAM
KARAKTERISTIKAT: Stabil, i durueshëm, këmbëngulës, inert. Ka një vullnet të jashtëzakonshëm. Adhuron shtëpinë dhe familjen. Është i dhënë pas përfitimeve ekonomike. Nuk heq dorë lehtë. I do gjërat luksoze, stolitë, rrobat e bukura. Mund të jetë tepër i bukur, ose i shëmtuar.
PLANETI: Venera.
PROFESIONI: Artist, kreator mode, lulishtar, ëmbëltor, tregtar, ekonomist, piktor, muzikant, skulptor, shkencëtar.
MANGËSIA: Posesiv, i ngutshëm.

BINJAKËT

MOTOJA: UNË MENDOJ
KARAKTERISTIKAT: I shpejtë, i zhdërvjelltë, kureshtar, komunikues, i shoqërueshëm, i aftë. Bën disa punë njëkohësisht. Në fytyrë mban maskë. E do dijen vetëm për vete. Ka pamje rinore dhe shpirt të ri.
PLANETI: Merkuri.
PROFESIONI: Jurist, ekonomist, matematikan, shkrimtar, shkencëtar, shahist, basketbollist, artist, spiker, mësues, postier, tregtar, nëpunës, zanatçi, botues.
MANGËSIA: Sipërfaqësor dhe mosmirënjohës.

GAFORRJA

MOTOJA: UNË NDIEJ
KARAKTERISTIKAT: Epshor, misterioz, i përkushtuar. Ka imagjinatë të bujshme. Në aspektin amësor është i butë. I do shtëpinë dhe familjen. Ka vullnet të dobët dhe është i dhënë pas pijes. Rëndom personat e kësaj shenje nënat i përmbytim me ndjeshmëri të tepruar. Kjo është shenja astrologjike më emocionale. Ka imagjinatë të fortë.
PLANETI: Hëna.
PROFESIONI: Fotograf, aktor, marinar, hotelier, historian, shkrimtar, piktor, moler, tregtar, shtegtar, ekonomist, mësues, psikoterapeut.
MANGËSIA: Së tepërmi i ndjeshëm, koprrac.

LUANI

MOTOJA: UNË DUA
KARAKTERISTIKAT: Dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes, në krye të aksionit. I do jetën, fëmijët, pushtetin. Dëshiron të urdhërojë, të shtypë. Është autoritar, shpirtgjerë dhe elegant. Bie në komplimente. Me kalimin e viteve e humb elanin jetësor. Nëse niset rrugës religjioze, bëhet përjashtues dhe dogmat.
PLANETI: Dielli.
PROFESIONI: Organizator, shef, politikan, artist, aktor, bankier, argjendar.
MANGËSIA: Snobizmi.

VIRGJËRESHA

MOTOJA: UNË ANALIZOJ
KARAKTERISTIKAT: Preciz, i ndërgjegjshëm, pedant, racional, mosbesues. Bashkëpunëtor i shkëlqyeshëm, tek i cili gjithnjë mund të mbështeteni. Më shumë beson në arsye sesa në intuitë. Është i dhënë pas shëndetit, bujqësisë, por edhe artit. Jeton nga puna e vet.
PLANETI: Merkuri.
PROFESIONI: Farmacist, tregtar, shkrimtar, gjuhëtar, pianist, piktor, aktor, sportist, jurist.
MANGËSIA: Është vesveseli, cikërrimtar.

PESHORJA

MOTOJA: UNË MAT
KARAKTERISTIKAT: I kujdesshëm, i matur, harmonik, pajtohet mirë me të tjerët. Është estet i madh. Ka bukurinë, graciozitetin, pamjen transparente. Në punë është diplomat, në shtëpi nuk është taktik. E do punën ekipore, elegancën dhe ka shije të mirë.
PLANETI: Venera.
PROFESIONI: Jurist, gjykatës, aktor, këngëtar, politikan, piktor, pianist, diplomat, arkitekt, edukator, mësues.
MANGËSIA: Tekanjoz, harxhon shumë.

AKREPI

MOTOJA: UNË DËSHIROJ
KARAKTERISTIKAT: Kanë vullnet të fortë, janë dinamikë, të shpërqendruar, këmbëngulës dhe seriozë. I tërheqin provokimet. Janë enigmatikë, misterioz dhe të errët. Bëjnë gjithçka për miqtë, por gjinisë tjetër nuk i besojnë. Motoja e tyre është "gjithçka ose asgjë". Janë dashnorë të mëdhenj dhe shkencëtarë.
PLANETI: Plutoni.
PROFESIONI: Financier, psikiatër, detektiv, avokat, spiun, speleolog, okultist, tregtar.
MANGËSIA: Xheloz, hakmarrës.

SHIGJETARI

MOTOJA: UNË KUPTOJ
KARAKTERISTIKAT: E do lirinë, është entuziast, gaztor. Është tip sportiv, ka një energji të jashtëzakonshme, lakmitar i madh. I do udhëtimet, filozofinë, arsimimin. E përcjell fati. Kryelartë, snob, por gati gjithnjë në anën e ligjit.
PLANETI: Jupiteri.
PROFESIONI: Gazetar, ambasador, jurist, filozof, shtegtar nëpër botë, gjykatës, mjek, person religjioz, person që përkatësinë e tij e lidh me institucionet shtetërore dhe publike.
MANGËSIA: I mungon guximi.

BRICJAPI

MOTOJA: UNË SHFRYTËZOJ
KARAKTERISTIKAT: Serioz, mendimtar, ambicioz, synon suksesin në moshën e shtyrë. Është këmbëngulës, ka vullnet të madh, i mençur, shpirtëror, i pasigurt, por materialist dhe egoist. Arrin çdo gjë që i përkushtohet. Nuk kërkon mirënjohje për vete. Kontrollon ndjenjat.
PLANETI: Saturni.
PROFESIONI: Murator, kopshtar, murg, eremit, polic, drejtor, menaxher, artist, kompozitor, piktor, skulptor, kontabilist.
MANGËSIA: I turpshëm.

UJORI

MOTOJA: UNË DI
KARAKTERISTIKAT: Individualist, origjinal, jokonvencional, adhurues i së vërtetës. Është kontrovers, i pakapshëm, mendjelehtë, joshës, boem, kumarxhi. Shpik ide të reja. Nuk e duron kontrollin.
PLANETI: Urani.
PROFESIONI: Fotograf, inxhinier, kompjuterist, regjisor, aktor, balerin, shpikës, hulumtues, fizikan, antikuar, gazetar, okultist, profesione të reja.
MANGËSIA: Egoist kundruall të afërmve dhe human ndaj të tjerëve.

PESHQIT

MOTOJA: UNË BESOJ
KARAKTERISTIKAT: Person jo i drejtpërdrejtë, enigmatik, romantik, hipersensitiv, selektiv. Megjithëse i kupton gjërat më mirë se të tjerët, ka dëshirë të bëjë dredhi. Është simbol i njeriut universal. Tolerant, emocional, por në punë është lider. Jeton në botën e imagjinatës. Ka intuitë të fortë. Është vizionar dhe ndërmjetës i shkëlqyeshëm.
PLANETI: Neptuni.
PROFESIONI: Profesionet që lidhen me spitalin, institucionet sociale, okultizmin, artin, posaçërisht piktura dhe aktrimi.
MANGËSIA: Dyfytyrësia.

Telegrafi
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #3 : Shkurt 08, 2009, 12:48:05 MD »

Elementet astrologjike

Dymbëdhjetë shenjat e Zodiakut i përfshijmë në grupe në bazë të karakteristikave të përbashkëta. Njëra nga mënyrat e kategorizimit të tyre është që ato t’i përmbledhim në grupe në bazë të temperamentit. Një kategorizim të tillë e quajmë si grupim sipas elementit.
Katër elementet janë: zjarri, toka, ajri dhe uji dhe këta janë arketipat e energjisë, të cilët e formojnë temperamentin e ndokujt, ndërsa temperamenti përbën elementin dominues të horoskopit.

SHENJAT E ZJARRIT

Zjarri përfaqëson energjinë vitale, burimin e aktivitetit të gjithmbarshëm, burimin e tërë jetës. Forca, komunikueshmëria, energjia dhe vitaliteti, ngrohtësia dhe entuziazmi – këto janë cilësitë e zjarrit. Ajri dhe zjarri ngjiten përpjetë; esenca e tyre është ekspansioni. Toka dhe uji zbresin poshtë, duke u përpjekur që të zënë një vëllim sa më të vogël.

Njerëzit, te të cilët mbizotëron ky element, shprehin një natyrë afirmative, të pavarur, të guximshme dhe të fortë. Dispozitat e të lindurve në këtë shenjë janë të orientuara nga krenaria, besimi, trimëria, guximi. Kanë një shpirt pushtues, i cili lakmon që më shumë të urdhërojë e më pak të jetë i dëgjueshëm. Ata janë shpesh agresivë, mund të thuhet edhe arrogantë; kërkojnë sherre dhe i besojnë vetëm vetes; janë shumë mosbesues. Gjithnjë kanë dëshira të mëdha dhe synime të pangopura. Ata janë "pjekur në vullnetin e tyre". Njerëzit e tillë vetë e krijojnë fatin e tyre, ose të paktën e kanë bindjen se e bëjnë atë.

Zjarri është element që u përgjigjet syrit dhe vizionit – nga të pesë shqisat syri është shqisa që i arrin caqet më të largëta. Yjet në qiell janë zjarre të mëdha, të cilat shihen në largësitë prej disa miliarda vitesh drite. Të lindurit në shenjën e zjarrit, sipas kësaj, kanë prirje për gjëra të largëta, abstraksione. Ata kanë, më shumë ose më pak të shprehura, aspirata spirituale në varësi nga fakti se a janë të udhëhequr nga zjarri, apo vetëm janë djegur nga ai. Në përgjithësi, planetët janë më aktivë në këtë triciplitet kundruall të tjerëve. Elementi kimik që i përgjigjet zjarrit është oksigjeni; ai bashkohet pothuajse me të gjithë trupat e tjerë gjatë djegies.

Shenjat të cilat i përkasin zjarrit janë: dashi, luani dhe shigjetari.


SHENJAT E TOKËS

Toka paraqet përbërjen materiale, e cila është e pranishme në të gjitha gjërat, madje edhe në ato më të imëtat. Maturia, stabiliteti, pesha dhe pjelloria janë karakteristika e këtij elementi. Ajri dhe zjarri ngjiten përpjetë; esenca e tyre është ekspansioni. Toka dhe uji zbresin poshtë, duke u përpjekur që të zënë një vëllim sa më të vogël.

Shenjat e tokës paraqesin natyrën e kujdesshme, praktike, emocionale dhe misterioze. Të lindurit me elemente të theksuara të tokës janë të ngadalshëm dhe të mbyllur, të rezervuar dhe të përmbajtur, ekonomikë dhe metodikë. Ata i bartin gjatë shenjat e të ndodhurave; por edhe janë më të aftë se sa të tjerët që për një kohë të gjatë ta lënën shenjën e tyre në atë që e prekin. Toka, parimisht, është e plogësht, e butë dhe e errët; por ajo mund të bëhet e përhershme dhe transparente sikur një diamant. Toka i përgjigjet shqisës së të prekurit, e cila pranon sinjale tepër të afërta, të shkaktuara nga objektet e vendosura në periferi të trupit.

Të lindurit në shenjën e tokës dëshirojnë t’i prekin gjërat; me fjalë të tjera t’i ndiejnë njëkohësisht ngjashmëritë dhe ndryshimet. Vlera e tyre spirituale mund të vijë nga ky distinksion, të cilin ata janë të aftë ta bëjnë ndërmjet asaj që prekin (gjegjësisht, asaj që kanë, që duan, ose që bëjnë) dhe asaj që janë vetë. Por, kur e harrojnë këtë distinksion, ata jetojnë vetëm për t’i mbushur xhepat dhe stomakun. Materializmi, kryeneçësia, frika e cila paralizon, pakënaqësia e tepruar, dembelia – janë disa nga të metat e tyre më të mëdha. Përndryshe, elementi kimik, i cili i përgjigjet tokës është karboni, lidhjet e forta të të cilit forcojnë strukturën e molekulave organike.

Shenjat të cilat i përkasin tokës janë: demi, virgjëresha dhe bricjapi.

SHENJAT E AJRIT

Ajri është element i relacionit. Ai paraqet diçka më tepër sesa një përzierje e gazrave – që sajohet nga azoti, oksigjeni, hidrogjeni dhe në sasi minimale edhe nga substanca të tjera – që e bëjnë të përshtatshme për jetë një ambient në të cilin ndodhemi.

Ajri si element ndërambiental është substanca e përkryer dhe e pashkatërrueshme, e cila përmban materien, por që nuk përzihet kurrë me të. Me këtë rast mendohet edhe për hapësirën intersiderale (ndëryjore) dhe zbrazëtirën ndëratomike. Në këtë kontekst, mbase ajrit më shumë do t’i përgjigjej emri eter. Elasticiteti grandioz, stërhollimi, aftësia që të plotësojë çdo gjë, ose më parë ta bëjë të pakufishëm mungesën e formës, por edhe ekzistimin e substancës nga e cila është krijuar çdo gjë, pavarësia – këto janë vetitë themelore të këtij elementi.

Ajri dhe zjarri ngjiten përpjetë; esenca e tyre është ekspansioni. Toka dhe uji zbresin poshtë, duke u përpjekur që të zënë një vëllim sa më të vogël. Të lindurit në shenjën e këtij tripliciteti dhe të përbërësve të tij më të rëndësishëm janë subtilë, të rafinuar, me prirje që të kultivohen, kureshtarë, kënaqen në shprehjen e kujdesit. Parë në përgjithësi, kanë sjellje të mirë dhe janë matur. Vitaliteti i tyre lë shumë për të dëshiruar, ndërsa baraspesha e tyre nervore shpesh është e pasigurt. Rëndom shprehin ndonjë talent artistik, por jo edhe shkencor.

Shenjat e ajrit paraqesin një natyrë mjaft humane, të gëzuar, zbavitëse, të dashur dhe simpatike. Kanë intelekt të madh dhe imagjinatë të bujshme. Paqëndrueshmëria, jokonsekuenca, plogështia, shkujdesja, sipërfaqësia – këto janë disa nga të metat e tyre. Ajri si element u përgjigjet shqisave të transmetimit në distancë, në rend të parë shqisës së të dëgjuarit. Kjo është logjike, pasi që ajri është element i relacionit; sepse meqenëse krijesat njerëzore merren vesh nëpërmjet fjalës së folur, të dëgjuarit paraqet organin e marrëveshjes, pajtimit (edhe më tutje kolektivisht përdoret fjala dëgjoj si sinonim për kuptoj – për dallim nga shprehja jonë "hyn për njërin vesh dhe del për tjetrin ").

Vlera spirituale e të lindurve te të cilët mbizotëron elementi i ajrit mund të jetë shumë e madhe, nëse ata në atë komunikim gjurmojnë edhe për gjëra të tjera dhe jo vetëm për burimin e fitimit. Të dëgjuarit merr sinjale mjaft të largëta, por gjithnjë me vonesë të vogël kundruall shqisës së të parit; zëri nganjëherë na vjen shumë më vonë sesa drita. Nëse nuk merret parasysh kjo zmbrapsje, kumtimi nëpërmjet fjalëve bëhet i pamjaftueshëm, mjegull që bie mbi natyrën e vërtetë të gjërave dhe shndërrohet në pengesë në rrugën drejt dijes. Elementi kimik që i përgjigjet ajrit është azoti – substanca inerte e cila e përbën esencën e atmosferës së tokës.

Shenjat të cilat i përkasin ajrit janë: binjakët, peshorja dhe ujori.

SHENJAT E UJIT

Uji paraqet tërësinë e brendshme të të gjithë organizmave të gjallë, por gjithashtu edhe esencën e jashtme të numrit më të madh të llojeve të gjalla. Në ujë, para mijëra shekujsh, kishte filluar jeta, në të e ka fillin çdonjëri prej nesh. Uji, sipas kësaj, del se është edhe më shumë i lidhur me jetën kundruall tokës, ajrit, por edhe zjarrit.

Elementi i ujit është i brumosur me shumë domethënie simbolike – misteri i jetës, lashtësia e rrënjëve të tij, thellësia oqeanike. Ajri dhe zjarri ngjiten përpjetë; esenca e tyre është ekspansioni. Toka dhe uji zbresin poshtë, duke u përpjekur që të zënë një vëllim sa më të vogël. Nëpërmjet përroskave, lumenjve dhe lumëmëdhenjve, ujërat që janë të njëkahshme dhe të ngjashme, në rënien e tyre përfundojnë në dete. Uji, pra, është element, i cili në mënyrë më kuptimplote synon unitetin. Natyra e tij është e butë dhe dashamirëse. Uji qarkullon nëpër trupin tonë sikur ta përkëdhelte atë, por uji di ta ketë edhe anën tjetër; marinarët e dinë se pikërisht kur uji duket shumë i padjallëzuar e i qetë, ekziston rreziku që të tërbohet.

Dykuptimësia, misterioziteti, qetësia, pjelloria, përshtatshmëria – këto janë disa nga karakteristikat e këtij elementi. Zjarri spastron çdo gjë – por ky spastrim vret – për dallim nga spastrimi nëpërmjet ujit, i cili ringjall. Të lindurit me cilësi të theksuara të këtij tricipliteti kanë natyrë të prekshme, të ndjeshme, të lëndueshme dhe konteplative. Ata, rëndom janë të rezervuar dhe të turpshëm, të qetë dhe misteriozë, pak të dhënë pas aksionit. Më shumë interesohen për anën e fshehtë të gjërave sesa për aspektet e prekshme dhe më shumë rëndësi u japin domethënieve të ngjarjeve sesa vetë realitetit. Janë të dhënë pas komentimit të çdo gjëje, qoftë fjala për gjëra të mëdha, qoftë për të vogla. Janë shumë të larguar nga planet e vërteta materiale. Kanë një natyrë mjaft të pjellore dhe imagjinatë të bujshme.

Fuqia e tyre e ripërtëritjes është shumë e dobët (duke e përjashtuar akrepin); por ata nuk kanë ndonjë nevojë të theksuar për energji të madhe. Zakonisht shprehin disa talente të "paranormalitetit". Mund të bëhen artistë të mëdhenj ose mendimtarë të mëdhenj, sepse nganjëherë dëshmohen në fushat e dijes në të cilat shumica e vdekatarëve nuk kanë qasje. Rrallëherë janë të lumtur për shkak të hipersensibilitetit të tyre dhe mungesës evidente te energjisë e entuziazmit.

Dobësia në të gjitha nivelet, shpirtngushtësia, konfuzioni dhe inertësia – janë disa nga të metat më serioze të shenjave të ujit. Ky element u përgjigjet shijeve dhe aromave që janë tejet të veçanta dhe të pashoqërueshme. Shija është shqisa me "afërsi" më të madhe, më e afërta që mund të ekzistojë, ngase është lëndë e cila emeton sinjal vetëm nëse e prekim me buzë. Vlera spirituale e ujit është e madhe, sepse ky element u përgjigjet bashkimeve kulmore. Elementi i cili i përgjigjet ujit është hidrogjeni, i cili bashkohet me ujin nëpërmjet djegies...

Shenjat të cilat i përkasin ujit janë: gaforrja, akrepi dhe peshqit.

Telegrafi
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #4 : Shkurt 25, 2009, 10:41:18 PD »

Planetët

Të gjithë planetët zënë në Zodiak pozicione të caktuara, të rregulluara nga shpejtësitë e ndryshme të orbitave të tyre. Ata ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë, në harmoninë familjare dhe në të gjitha veprimet që bëjmë. Një planet që qëndron i palëvizshëm është Dielli. Të tjerët: Hëna, Merkuri, Venera, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani, Neptuni e Plutoni, krijojnë pozicione dhe lidhje me kalimin e kohës. Çdo planet ushtron influencën e tij mbi një grup fenomenesh, përveçse mbi një sektor të përcaktuar të sjelljes së njeriut. Sipas pozicionit në të cilin ndodhet planeti, kjo influencë do të marrë karakteristika të ndryshme, të nevojshme për ta inkuadruar personalitetin e një individi, duke i dhënë arsyet e sjelljes së tij dhe duke na ofruar të dhëna mbi të ardhmen e tij. Karakteri, por edhe momentet e ndryshme të evolucionit të një jete, janë të dhëna të marra nga ndërlidhja e shenjave dhe e planetëve.

Dielli

Dielli personalizon esencën e njeriut, personalitetin e tij. Ai po ashtu përfaqëson unin aktiv dhe treguesin bazilar të sjelljes së një individi. Dielli është baza e karakterit dhe e vullnetit, i cili shpreh potencialin e energjisë që kemi, krijimtarinë, marrjen e një pozicioni në jetë dhe që përgjithësisht ofron përmasat e një individi. Virtytet diellore janë: ndershmëria, kuraja, përbuzja e rrezikut, zemërmadhësia, por të cilat shumë lehtë mund të kalojnë në: mashtrim, krenari, mendjemadhësi dhe autoritarizëm. Në tema natale, Dielli përfaqëson një figurë mashkullore, edhe pse vlera e tij simbolike është e influencuar nga pozicioni i planetëve të tjerë. Ne trupin njerëzor, Dielli është i identifikuar në krahun e djathtë të trupit, ose në zemër. Shenjë shtëpiake e tij është luani.

Hëna

Hëna ka një imazh femëror dhe amësor, përfaqëson unin marrës, kontaktet emotive me botën rrethuese. Hëna korrespondon me fëmijërinë dhe ka lidhje të forta me prehrin amësor dhe nga ana e karakterit përcakton mentalitetin fëmijëror, mungesën e eksperiencës, pakujdesinë. Nga një anë është element i pasigurisë e konservatorizmit, nga ana tjetër e surprizës dhe e papërcaktimit të reagimit, por edhe e imagjinatës dhe e përshtatshmërisë me ambientin. Në sferën natale Hëna përfaqëson gruan. Ajo është komponent i domosdoshëm për inteligjencën, e cila, n.q.s. është në pozicion të keq, mund te krijojë nervozizëm, forma të tjera paqëndrueshmërie nervore. Në trupin njerëzor, Hëna identifikohet në zonën e gjinjve dhe pjesën e majtë të trupit. Bashkimi Diell-Hënë ka simbolizuar gjithmonë binomin mashkull–femër, domethënë realitet dhe ëndërr, dritë dhe errësirë. Shenja e saj shtëpiake është gaforrja.

Merkuri

Është planeti më afër Diellit. Në astrologji Merkuri përfaqëson kontaktin me botën e jashtme. Pra, ky planet simbolizon inteligjencën, perceptimin intelektual të lidhur me dinakërinë, zotësinë dhe llogaritjen. Po ashtu jep edhe një vizion në perspektivë të gjërave, që lejon sensin e humorit dhe një ndarje nga pasioni, që favorizon sensin kritik, kundërshtimin dhe kapacitetin e përshtatshmërisë. Duke rregulluar dëgjimin dhe zërin, Merkuri kontrollon shkëmbimin e ideve si dhe instrumentet teknike, të cilat favorizojnë komunikacionin (shtypin, telefonin….), ushtron influencë në fushën e tregtisë, të shkencës dhe të letërsisë. Merkuri korrespondon me adoleshencën, me padurimin e tij dhe me gatishmërinë e reflekseve mendore. Në sferën natale, Merkuri përfaqëson vëllezërit, fëmijët dhe burrin e ri. Ne aspektin fizik, ai përfaqëson nervat, mushkëritë, daullen e veshit dhe vetë veshët. Shenjat e tij shtëpiake janë, binjakët dhe virgjëresha.

Venera

Venera gjithmonë ka simbolizuar dashurinë, kontaktin e ndjenjave me botën e jashtme, domethënë fillimin e përshtatshmërisë sociale të individit: nga njëra anë kapacitetin për të dashuruar, nxehtësinë dhe intensitetin e ndjenjave dhe të ndjeshmërisë, kurse nga ana tjetër sensin e paraqitjes, transformimet artistike, shijet e së bukurës e të lumturisë. Nga këtu zhvillohet tërheqja personale, mundësia e sukseseve në fushën e dashurisë, dëshira për qetësi, lumturi e harmoni rreth vetes. Edhe dëshira për të shkuar mirë me të tjerët është element i Venerës. Ne sferën natale ajo përfaqëson edhe ndihmën e fatit dhe mbrojtjen e shëndetit. Në trupin fizik rregullon metabolizmin dhe funksionet e veshkave dhe korrespondon me ovalet. Venera ka si qëndrim të saj kryesor peshoren, ndërsa qëndrimin bazë në shenjën e demit.

Marsi

Marsi konsiderohet si planet sundues i shenjës së dashit, ndërsa për disa astrologë edhe i akrepit. Marsi shoqërohet me fshehtësi, agresion, energji, ambicie dhe mospërmbajtje. Marsi është sundues i shtëpisë së parë dhe asaj të tetë. Para së të zbulohej planeti i Plutonit, Marsi është konsideruar si sundues i shenjës së akrepit. Një mori astrologësh modernë e konsiderojnë Plutonin si sundues të shenjës së akrepit, por shumica sish janë të mendimit se Marsi është bashkësundues i kësaj shenje. Astrologët tradicionalë ndërkaq i referohen Marsit si sunduesit të vetëm të kësaj shenje. Në astrologjinë kineze, Marsi sundohet nga elementi i zjarrit, që përfaqëson pasionin, energjinë dhe aventurat. Edhe në astrologjinë indiane ky planet përfaqëson energjinë, fshehtësinë dhe egon.

Jupiteri

Jupiteri është planeti më i madh i sistemit diellor. Influenca e tij ka një karakter përmbledhës. Në fakt, ai shpreh integrimin e lumtur në jetë, simbolizon gëzimin për të jetuar, përfshirjen në shoqëri dhe shpirtin e drejtësisë. Nga Jupiteri varen fjalët, përpunimi i gjuhës, euforia dhe kënaqësia materiale, si dhe dëshira për paqe e qëndrueshmëri. Tradita e lidh Jupiterin me pasurinë dhe fatin, besimin në vetvete dhe tërheqjen personale, e cila e hap rrugën drejt suksesit në botën e tregtisë e të parasë, por edhe të lumturisë personale. Nga Jupiteri, në të vërtetë, vijnë cilësitë, si: simpatia, lehtësia e bashkëbisedimit, cilësia e bindjes dhe dëshira për të bindur. Si burim i jetës dhe i drejtësisë, ky planet përfaqëson pikën e forcës në sferën natale, duke bërë ndërmjetësin midis individit dhe botës rrethuese. Në pozicion negativ mund të prezantohet si pak human dhe kokëfortë. Fizikisht Jupiteri korrespondon me gjuhën, gojën, e sytë dhe e rregullon qarkullimin e gjakut. Shenja shtëpiake primare e Jupiterit është shigjetari, kurse ajo bazë peshqit.

Saturni

Saturni për shumë kohë konsiderohej si mbajtës i mallkimeve. Ai njihet si ruajtje dhe përqendrim i të gjitha energjive në vetvete, domethënë përfaqëson integrimin racional në jetë, vlerësimin e çdo situate, duke organizuar më mirë mbrojtjen e individit. Saturni është personifikimi i një miqësie të pamundur, nuk arrin t’i mbajë raportet shoqërore, por ka një forcë të madhe shpirtërore dhe shumë vendosmëri, kurajë morale dhe inteligjencë. Negativisht, mosbesimi dhe pesimizmi e nxitin që të marrë masa, duke e shtyrë në një ambicie të llogaritur, në ftohtësi dhe në mungesë mëshire. Për shumë kohë Saturni ka qenë i njohur si bartës i fatit të keq. Në fakt edhe traditat e lidhin me tersllëkun. Materialisht Saturni përfaqëson pleqërinë, kohën e vetmisë dhe të heqjes dorë nga shumë gjëra. Në trup korrespondon me skeletin e njeriut, më dhëmbët dhe mëlçinë. Shenja shtëpiake primare e tij është bricjapi, ndërsa ajo bazë ujori.

Urani

Urani është planeti i fundit që mund të bëjë xhiro rreth Diellit brenda harkut të jetës së një njeriu. Ai e përshkon këtë rrugë për 84 vjet. Urani është forca primare që krijon, shkatërron dhe detyron. Prej tij varet mbijetesa në kushtet më të veçanta (si Saturni) dhe kështu influenca e tij është e papritur, e papërcaktuar, duke përfaqësuar një shtytje për të vepruar në rastet urgjente. Urani përfaqëson ngjarjet e papritura, ndryshimet e rrufeshme të drejtimit dhe largimin nga bindjet. Duke e parë kapacitetin e tij për të arritur një qëllim, me gatishmëri dhe me zotësi, Urani është planeti i teknikës, në të gjitha mundësitë e shprehisë, është i lidhur me zotësinë manuale dhe me aplikimet teknike e mekanike. Nga ana anatomike korrespondon me duart. Shenja e tij shtëpiake primare është ujori, ndërsa ajo e bazës bricjapi. Nga astrologët modernë Urani konsiderohet si sundues i shtëpisë së 11-të, bashkë me Saturnin.

Neptuni

Para se të zbulohej Neptuni (në vitin 1846), Jupiteri është konsideruar si sundimtar i shenjës së peshqve, ndërsa sot një mori astrologësh modernë e konsiderojnë Jupiterin si bashkësundimtar i kësaj shenje, por ka edhe të tjerë që vlerësojnë se Neptuni nuk sundon asnjë shenjë të veçantë. Në astrologjinë moderne Neptuni konsiderohet si planet që sundon shtëpinë e 12-të bashkë me Jupiterin. Neptuni simbolizon ujin e kripur të detit dhe të oqeaneve, ndërsa në trupin e njeriut përfaqëson jetën e jashtëqitjes, lëngun amniotik dhe rregullon imunitetin. Neptunit i nevojiten 165 vjet për ta përshkuar rrugën rreth diellit. Ky planet konsiderohet si frymëzuesi i njerëzve për të udhëtuar drejt vendeve të largëta, qoftë gjeografike, qoftë shpirtërore, pra përfaqëson të panjohurën, fantazinë etj. Mirëpo, ky planet ka ndikim edhe në mënyrën e të menduarit të njeriut dhe në disa veti negative që mund të shkojnë deri te skizofrenia.

Plutoni

Roli dhe simbolika e Plutonit kanë filluar të zbatohen vetëm në astrologjinë moderne. I zbuluar më 1930, ashtu sikurse planetët e tjerë të ngadaltë, Plutoni vepron në një nivel më të thellë. Ai rregullon forcat sekrete, të cilat bazohen në kënaqësinë dhe në pakënaqësinë e njeriut ndaj vetes. Ky planet konsiderohet si simbol i principeve mashkullore. Ai përfaqëson kapacitetin për ta vënë në praktikë forcën e krijimit që secili person e ka brenda vetes, pastaj cilësinë e ringritjes pas një krize, por edhe të vullnetit për të dominuar, ambicien për pushtet dhe influencën mbi masën. Plutonit i duhen 248 vjet për ta përshkuar rrugën rreth Diellit, ndërsa shenja e tij shtëpiake primare është akrepi. Plutoni nga astrologët modernë konsiderohet si bashkësundimtar i shtëpisë së tetë bashkë me Marsin. /MediaAlb/
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #5 : Shkurt 25, 2009, 10:42:51 PD »

Tipat themelorë astrologjikë/numerologjikë

TIPI SOLAR (DIELLOR) – Jeni të lindur ndërmjet orës katër të mëngjesit dhe dhjetë të mbrëmjes. Karakteristikat: të kthjellët, të shkathtë, optimistë, racionalë, praktikë, plot dritë dhe energji jetësore. Tipi solar i ka këto vlera numerologjike: 1, 3, 5, 7 dhe 9. Nëse i mbledhim numrat brendapërbrenda tipit solar, shohim se na del shuma 25, gjegjësisht 2+5= 7. Pra, numri 7 i përket tipit solar.

TIPI VEROR - Jeni të lindur ndërmjet datave 30 prill dhe 31 tetor. Karakteristikat: racionalë, ndërmarrës, praktikë, të shoqërueshëm, të balancuar, mërdhacë. Tipi veror i ka këto vlera numerologjike: 5, 6, 7, 8, 9 dhe 1. Nëse i mbledhim numrat brendapërbrenda tipit veror na del numri 9.

TIPI LUNAR (HËNOR) – Të lindurit ndërmjet orës dhjetë në mbrëmje dhe orës katër të mëngjesit. Karakteristikat: të qetë, të këndshëm, joimponues, nga pak të melankolikë, pesimistë, ëndërrimtarë të lindur dhe poetë. Tipi lunar i ka këto vlera numerologjike: 2, 4, 6, 7. Nëse i mbledhim numrat brendapërbrenda tipit lunar: 2+4+6+8=20, gjegjësisht, 2+0=2, që do të thotë se numri 2 është i tipit lunar.

TIPI DIMËROR – Të lindurit ndërmjet 31 tetorit dhe 30 prillit. Karakteristikat: filozofikë, meditativë, më pak praktikë, nervozë, të shoqërueshëm po aq sa edhe të tërhequr në vete, lehtë e përballojnë të ftohtët. Nëse i mbledhim numrat përbrenda tipit dimëror si karakteristik i këtij tipi del numri 6.

Domethënë, tipat solarë dhe verorë e kanë vlerën numerologjike 7, gjegjësisht 9, derisa tipat lunarë dhe dimërorë - 2, gjegjësisht 6. Pothuajse në të gjithë literaturën okulte numrat tek (sidomos 7 dhe 9) simbolizojnë Diellin, ditën, dritën, kthjelltësinë dhe optimizmin, derisa numrat çiftë (sidomos 2 dhe 6) shënjojnë Hënën, natën, melankolinë, botën e hijeve dhe pesimizmin.

Telegrafi
Identifikuar


Gresa Pirana
Global Moderator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Femer
Postime: 2982
8978.00 Kredite

View Inventory
Send Money to Gresa Pirana


Shiko Profilin
« Pergjigje #6 : Korrik 01, 2009, 09:14:16 PD »

Astro orët gjatë një dite

Sikundër e ka çdo ditë në muaj vibracionin e saj numerik, ashtu edhe çdo orë në ditë ka frekuentimin e caktuar astrologjik, gjë që në shumëçka ndikon në lëkundjet e ngarkesës sonë bioenergjetike.

Ora e lindjes sonë është e rëndësisë së posaçme, kur e dimë se ndikimi i planetëve të caktuar ndryshon në mënyrë alternative gjatë 24 orëve. Me fjalë të tjera, nuk është njësoj nëse jemi lindur në mëngjes, në mesditë, ose vonë në mbrëmje. Disa veprime tona, qëndrime dhe disponime do t’i kuptojmë më mirë në rast se e dimë vibracionin numerik të orës së lindjes sonë. Cikli prej 24 orësh është i ndarë në gjashtë njësi (stacione) numerike. Stacioni i parë numerik është ndërmjet orës zero dhe katër, stacioni i dytë ndërmjet orës 4 dhe 8, stacioni i tretë ndërmjet orës 8 dhe 12, i katërti ndërmjet orës 12 dhe 16, i pesti ndërmjet orës 16 dhe 20; dhe i gjashti, i fundit, ndërmjet orës 20 dhe 24, do të thotë orës zero.

Për të lindurit ndërmjet orës zero dhe katër
Ju keni natyrë të qetë. Dëshironi të ëndërroni dhe të ndërtoni kulla mbi re. Keni imagjinatë të bujshme, por vështirë ia dilni në botën e realitetit fizik. Jeni fantazist dhe poet i lindur, ndaj për shkak të kësaj njerëzit nuk ju kuptojnë. Jeni nga pak edhe i somnabul dhe çamarrok, por, megjithatë keni një shpirt bujar.

Për të lindurit ndërmjet orës katër dhe tetë
Juve ju shquajnë shkathtësia dhe rregullshmëria. Jeni këmbëngulës dhe insistues në të gjitha punët, e posaçërisht në çështjet praktike. Si pakkush ia dilni të gjendeni në botën e realitetit të përditshëm. Përpiqeni me mish e shpirt që të tjerëve t’u bëhen shembull, që të tregoheni dhe të pranoheni si i tillë.

Për të lindurit ndërmjet orës tetë dhe dymbëdhjetë

Jeni krijesa të përbëra nga besimi, shpresa dhe optimizmi. Jeni të shkathtë, gjithnjë të preokupuar nga shqetësimi krijues. Kudo rrezatoni dashurinë për të tjerët dhe ngrohtësinë magnetike. Jeni epshorë dhe spiritualë. Jeni të dhënë pas artit dhe filozofisë. Ju dallojnë vlerat dhe talenti.

Për të lindurit ndërmjet orës dymbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë

Jeni të kthjellët, të shkathtë, dinamikë, plot energji. Punët praktike sikur janë krijuar nga Zoti për ju. Jeni oratorë të mirë, matematikanë dhe fizikanë. Por nuk do të ishit më pak sesa letrarë, në rast se do ta kishit orientuar energjinë tuaj në atë drejtim. Me një fjalë, ju jeni persona të talentuar në mënyrë të shumanshme, ashtu që në shumë profesione dhe zanate ia dilni ta shprehni shpirtin tuaj kreativ.

Për të lindurit ndërmjet orës gjashtëmbëdhjetë dhe njëzet

Jeni shpirtra të trazuar dhe bredharakë, nga pak nervozë dhe hutaqë. Lëvizjet i keni dinamike, fjalët të forta, mendoni dhe veproni shpejt. Dëshironi që të rrëmbeni sa më shumë nga jeta, e doni jetën në të gjitha aspektet dhe trajtat. Shpesh i ndryshoni vendimet, në të njëjtën kohë merreni me disa punë. Kush nuk ju njeh mirë aty për aty do të mendonte se jeni të ngutshëm, por ju gjithsesi jeni të ndërgjegjshëm për çdo gjë që e bëni.

Për të lindurit ndërmjet orës njëzet dhe njëzetekatër

Jeni të matur, këmbëngulës dhe insistues në të gjitha fushat. Keni synim që të dominoni mbi punët dhe situatat. Keni prirje për filozofi e letërsi dhe jeni racionalë e spiritualë. Në mënyrë magnetike veproni ndaj ambientit, jeni autoritete në familje dhe në shoqëri, mes miqsh dhe farefisit. Nga pak lini përshtypjen e qëndrimit robust dhe mendjemadh, por kjo vjen nga fakti se jeni plot vetëbesim dhe energji kreative jetësore.


Telegrafi
Identifikuar

Faqe: [1]   Shko Lart
  Printo  
 
Shko te:  

SimplePortal Classic 2.0.5
Mundeshuar nga MySQL Mundesuar nga PHP psikologji.net | Mundesuar nga SMF 1.1.7.
© 2005, Simple Machines LLC. Te Gjitha Te Drejtat Te Rezervuara.
XHTML 1.0! CSS!
Faqja u krijua ne 0.229 sekonda me 20 veprime.