|
J@mes
|
 |
« : Mars 09, 2009, 11:17:58 MD » |
|
Ismail Kadare lindi në qytetin e Gjirokastrës. Atje ai kaloi fëmijërinë dhe kjo la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Asim Zeneli". Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Këto studime iu ndërprenë për shkak të krizës politike ndërmjet Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", pastaj drejtoi revistën "Les letres albanaises". Së fundi punonte në profesion të lirë. I.Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve '60. Në fund të vitit 1990, dy muaj pas rënies së shtetit diktatorial, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, por mbajti lidhje mjaft të shpeshta me Shqipërinë. Ismail Kadare është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë. Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të. Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale. Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.
POEZIA E KADARESË Poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve '60 për të realizzar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve. Frymëzime dialoshare (1954), Ëndërrimet (1957), Endërr industriale (1960), Shekulli im (1961), Poemë e blinduar (1962), Përse mendoben këto male (1964), Shqiponjat fluturojnë lart (1966), Motive me diell (1968), Koha (1976), Shqipëria dhe tri Romat, përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë. Ismail Kadare, ndryshe nga Agolli, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet '60 -'70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë:
Po s'ndërron ai kurrë Art i skulpturës Gënjeshtrën mbi mua ka ngrírë përgjithnjë. I mbërthyer në dëshminë e saj të rremë Të vërtetën kujtoj dhe qaj për të. (Laokonti)
Poezia e Kadaresë, ndryshe prej prozës së tij, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e Kadaresë është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe. Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me "motin e madh", të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar:
Njëzet e katër luftra bëri, Njëzet e katër vdekje theu. çka mangut linte ditën Gjergji, Plotësonte natën Skënderbeu. (Portreti i Skënderbeut)
Përgjithësisht poezia e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon, përmes poezisë së tij, ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj:
Dhe kur binin në prille a në vjeshtra Nëpër brinja të shtrirë, nëpër lugje, Si me zjarre të vegjël të pëtjetshëm Era loste me xhufkat e kuqe. (Nisja e shqiptarëve për në luftë)
Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si "Përse mendohen këto male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart", pastaj me "Shekulli i 20-të", "Poemë e blinduar", "Shqipëria dhe tri Romat" e vepra të tjera. Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në miedise të ndryshme. Kadare në problematikën e poezisë shqipe, krijoi emërtesën e "temës së madhe". dhe jo vetëm kaq, ai e ktheu në mit atë, duke e bërë mbizotëruese në jetën letrare të vendit për më shumë se dy dekada. Para së gjithash poezinë e Ismail Kadaresë e intereson ajo që shpesh quhet gojëdhënë kombëtare ose mit i origjinës. Sfidat më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar janë stacione të poezisë së tij. Kadare i shkroi disa prej veprave të tij më të rëndësishme në vargje të lira, duke përvetësuar vlera të rëndësishme të vjershërimit tradicional, prej De Radës deri tek Migieni. Në fillimet e veta ishte i ndikuar prej poezisë ruse, veçmas prej Majakovskit. Poezia intime e Kadaresë është mjaft e ngrohtë, e drejtpërdrejt, një bashkëbisedim me të dashurën që përgiithësisht është larg si vend apo si kohë:
Do shkoj të ulem përmbi pellgjet, Të pi në gjunjë duke rënë, Në grykë e di që do më ngelet I ftohti medaljon i hënës.
Gjithashtu poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.
RAPORTI NDËRMJET JETËS DHE VDEKJES Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve, midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Synimi parësor i çdo letërsie serioze që të qëndrojë mbi kohën dhe hapësirën zuri vend kryesor që tek romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Ky roman i kushtohet misionit të një shtabi ushtarak të gjallë, i cili duhet t'i bëjë nderet e fundit një armate të tërë ushtarësh të mbuluar me dhè. Vlera e jetës, çmimi i vdekjes, taksa e gjakut, varrimi dhe zhvarrimi, muranat anonime dhe piramidat hijerënda, ringjallja dhe rivdekja (rivrasja), arka e hirit dhe dosja e zezë, kamarja e turpit dhe përmendorja e nderit, harrimi dhe përjetësia, vetëflijimi dhe kurbani, trupi dhe hija (fantazma, sozia, spiritus), janë nocione themelore artistike të shkrimtarit. Në mënyrë të veçantë vdekja përbën një zgjedhje të dendur të autorit për të dhënë qëndrimin e tij ndaj jetës njerëzore. Ajo paraqitet në formë individuale dhe kolektive, natyrore dhe heroike, të mirëqenë dhe të sajuar. Ajo vjen nga fati, nga hakmarrja, nga lufta, nga gjyqi, nga sëmundja nga mplakja; në të gjitha pamjet e saj, si ndërprerje e zakonshme e jetës, si shpagim për vdekjen e tjetrit, si prurje e lëngatës, si varje apo pushkatim nga shteti, si zvarrisje apo linçim nga hakmarrja. "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", vepra që i dha njohjen ndërkombëtare Kadaresë, nuk është e para që trajton raportin midis jetës dhe vdekjes. Qysh tek "Balada e zhvarrimit", kushtuar fatit pas-vdekjes të prijësit arbër Gjergj Kastrioti, duket qartë prirja për të zbuluar, nëpërmjet qëndrimit ndaj varrit, kulturën nga barbaria, dhunimin nga shenjtërimi, sundimin e të vdekurve mbi të gjallët. Në tregimin "E krehura", vdekja dhe varret, në heshtjen e tyre, marrin vlerë fisnikëruese. Njeriu që edhe me vdekjen dëshiron të tregojë dinjitet dhe fuqi shpirtërore ka një varr të thjeshtë, pa shenjë, në një kënd të padukshëm të varrezave verilindore të kryeqytetit, ndryshe nga shumë të tjerë, që, në përputhje me hierarkinë zyrtare mbitokësore, mbajnë mbi krye statuja, ornamente, lule dhe figura. Por ata nuk kanë bërë më shumë se Egla e vogël për Shqipërinë dhe s'kanë asnjë meritë për të qenë të diferencuar edhe përpara vdekjes e varrit. Nëpërmjet varreve Kadareja ka stratifikuar gjithë shoqërinë shqiptare, në kuadrin e së cilës veprojnë personazhet e tij. Shtresëzimi i shoqërisë në veprën e Kadaresë fillon me varret pa emër, me muranat e thjeshta në gryka malesh e pusish, me varrezat e zakonshme shqiptare, pranë kishës, rrethuar me selvi; për të vazhduar më tej me përmendoret dhe lapidarët, me varret e shenjtëruar për motive patriotike, siç janë varret e dëshmorëve (le të kujtojmë, për shembull, varrin e veçantë të Alush Tabutgjatit; varrin e Skënderbeut ose edhe të pashait turk në Orikum) dhe për të përfunduar me piramidën e faraonit Keops ose arkën e hirit të trupit të djegur të Çu En Lait, që, sipas testamentit të tij, u derdh mbi hapësirën ndërkontinentale të Kinës, për ta pushtuar me frymën e vet.
Ismail Kadare është nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqiptare. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në rreth 32 gjuhë të huaja) ai e bëri të pranishme Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Kadareja që në vitet '60 shënoi kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t'i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh. E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse asktu e meriton, ndihet të pohojë autori. (letersia/fajtori)
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #1 : Mars 09, 2009, 11:21:20 MD » |
|
Botimet e Veprës
1- Frymëzime djaloshare, Lirika; Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1954 2- Ëndërrimet, lirika dhe poema; Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1957 3- Princesha Argjiro, poemë; Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1958 4- Princesha Argjiro, poemë; Naim Frashëri, Tiranë, 1967 5- Princesha Argjiro, poemë; Rilindja, Prishtinë, 1970 6- Princesha Argjiro, poemë; Rilindja, Prishtinë, 1972 7- Princesha Argjiro, poemë; Rilindja, Prishtinë, 197(?) 8- Princesha Argjiro, poemë; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1977 9- Princesha Argjiro, poemë; Rilindja, Prishtinë, 1983 10- Shekulli im, vjersha dhe poema; Naim Frashëri, Tiranë, 1961 11- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1963 12- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1967 13- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1971 14- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Rilindja, Prishtinë, 1973 15- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman, botim i dytë; Rilindja, Prishtinë, 1976 16- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1978 17- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman, botim i tretë; Rilindja, Prishtinë, 197(?) 18- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman, botim i katërt; Rilindja, Prishtinë, 1980 19- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1980 20- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Rilindja, Prishtinë, 1990 21- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Fayard, Paris, 1998 22- Përse mendohen këto male; Naim Frashëri, Tiranë, 1964 23- Vjersha dhe poema të zgjedhura; Naim Frashëri, Tiranë, 1966 24- Gurëgdhendësit, poemë; Naim Frashëri, Tiranë, 1967 25- Motive me diell, vjersha dhe poema; Naim Frashëri, Tiranë, 1968 26- Motive me diell; Rilindja, Prishtinë, 1978 27- Qyteti i Jugut, tregime dhe reportazhe; Naim Frashëri, Tiranë, 1967 28- Qyteti i Jugut, tregime; Rilindja, Prishtinë, 1971 29- Dasma, roman; Rilindja, Prishtinë, 1967 30- Dasma, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1968 31- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1970 32- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1973 33- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1976 34- Kështjella, roman; Rilindja, Prishtinë, 1976 35- Kështjella, roman; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1977 36- Kështjella dhe helmi, pjesë teatrore; Naim Frashëri, Tiranë, 1977 37- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1978 38- Kështjella, përshtatur për fëmijë; Naim Frashëri, Tiranë, 1979 39- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1980 40- Kështjella, roman; Rilindja, Prishtinë, 1980 41- Kasnecët e shiut, roman motërzim përfundimtar; Fayard, Paris, 1994 42- Kasnecët e shiut, roman motërzim përfundimtar; Dukagjini Pejë 1997 43- Kronikë në gur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1971 44- Kronikë në gur, roman; Rilindja, Prishtinë, 1972 45- Kronikë në gur, roman; Rilindja, Prishtinë, 1976 46- Kronikë në gur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1978 47- Kronikë në gur, roman: Rilindja, Prishtinë, 1980 48- Kronikë në gur, roman; Fayard, Paris, 1997 49- Kronikë në gur, roman; Onufri, Tiranë, 2000 50- Linja të Largëta, shënime udhëtimi; Naim Frashëri, Tiranë, 1971 51- Autobiografia e popullit në vargje, studim, shënime kritike; Naim Frashëri, Tiranë, 1971 52- Dimri i vetmisë së madhe, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1973 53- Dimri i madh, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1977 54- Dimri i vetmisë së madhe, roman; Fayard, Paris, 1999 55- Nëntori i një kryeqyteti, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1975 56- Nëntori i një kryeqyteti, roman; Rilindja, Prishtinë, 1980 57- Nëntori i një kryeqyteti, roman; Fayard, Paris, 1997 58- Përse mendohen këto male; Shqiponjat fluturojnë lart; Ëndërr industriale, poema; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1975 59- Poema të zgjedhura për fëmijë; Naim Frashëri, Tiranë, 1975 60- Koha, vjersha dhe poema; Naim Frashëri, Tiranë, 1976 61- Poezi; Naim Frashëri, Tiranë, 1976 62- Emblema e dikurshme, tregime dhe novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1977 63- Emblema e dikurshme, tregime dhe novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 64- Kështjella dhe helmi, pjesë teatrore; Naim Frashëri, Tiranë, 1977 65- Ura me tri harqe, novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1978 66- Ura me tri harqe, novela; Rilindja, Prishtinë, 1980 67- Në muzeun e armëve, poemë; Naim Frashëri, Tiranë, 1978 68- Në muzeun e armëve, poemë; Naim Frashëri, Tiranë, 1989 69- Poezi; Naim Frashëri, Tiranë, 1979 70- Komisioni i festës; Rilindja, Prishtinë, Rilindja, Prishtinë, 1980 71- Gjakftohtësia, novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1980 72- Gjakftohtësia, novela; Rilindja, Prishtinë, 1980 73- Autobiografia e popullit në vargje, studim; Naim Frashëri, Tiranë, 1980 74- Buzëqeshje mbi botë, poezi e zgjedhur; Rilindja, Prishtinë, 1980 75- Prilli i thyer; Rilindja, Prishtinë, 1980 76- Vepra letrare 1, poezi; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 77- Vepra letrare 2, poema; Naim Frashëri, Tiranë, 1982 78- Vepra letrare 3, Gjenerali i ushtrisë së vdekur; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 79- Vepra letrare 4, Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 80- Vepra letrare 5, Kronikë në gur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 81- Vepra letrare 6, Nëntori i një kryeqyteti; Naim Frashëri, Tiranë, 1983 82- Vepra letrare 7, Dimri i madh; Naim Frashëri, Tiranë, 1983 83- Vepra letrare 8, Kush e solli Doruntinën; Ura me tri harqe; Lëkura e daulles; 1981 84- Vepra letrare 9, Pashallëqet e mëdha; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 85- Vepra letrare 10, Prilli i thyer; Muzgu i perëndive të stepës; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 86- Vepra letrare 11, Tregime dhe novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 87- Vepra letrare 12, Publiçistikë, Autobiografi e popullit në vargje, reportazhe, shënime udhëtimi, intervista; Naim Frashëri, Tiranë, 1981 88- Poezi; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1985 89- Koha e shkrimeve, tregime, novela, përshkrime; Naim Frashëri, Tiranë, 1986 90- Koncert në fund të dimrit, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1989 91- Koncert në fund të dimrit, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1990 92- Koncert në fund të stinës, roman; Fayard, Paris, 1999 93- Dosja H, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1990 94- Dosja H, roman; Fayard, Paris, 1996 95- Ftesë në studio; Naim Frashëri, Tiranë, 1990 96- Ftesë në studio; Rilindja, Prishtinë, 1990 97- Eskili, ky humbës i madh, studim; 8 Nëntori Tiranë, 1990 98- Viti i mbrapshtë; Rilindja, Prishtinë, 1990 99- Përbindëshi, roman; Vreber, Prizren, 1990 100- Përbindëshi, roman; Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë 1991 101-Përbindëshi, roman; Fayard, Paris, 1998 102-Ëndërra mashtruese, tregime, novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1991 103-Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, studime; 8 Nëntori, Tiranë, 1991 104- Nga një dhjetor në tjetrin, kronikë, këmbim letrash, përsiatje; Fayard, Paris, 1991 105- Pesha e Kryqit; Fayard, Paris, 1991 106- Vepra, vëllimi i parë: Tregimet e tejkohshme: Prometheu, Ëndërra mashtruese, Përpara banjës, Nata e Sfinksit, Piramida, Kush e solli Doruntinën, Ura me tri harqe, Muri i madh; Fayard, Paris, 1993 107- Vepra vëllimi i dytë: Tregimet e ditës që po thyhej, Kisha e Shën Sofisë, Shënime nga Kapiteneria e Portit, Sjellësi i fatkeqësisë, Kamarja e turpit; Fayard, Paris, 1994 108- Vepra vëllimi i tretë: Komisioni i festës, Qorrfermani, Pallati i Ëndërrave, Vjedhja e gjumit mbretëror, Breznitë e Hankonatëve, Heqja e mjeshtërisë së munxadhënësve, Lamtumira e së keqes; Fayard, Paris, 1995 109- Vëllimi i katërt: Viti i mbrapshtë, Prilli i thyer, Dosja H, Kënga, Kalimet e nëndheshme, Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Nëmuna; 1996 110- Vëllimi i pestë, Kronikë në gur, Nëntori i një kryeqyteti, Rrëfim trikohësh, Triptik: Koha e shkrimeve, Koha e parasë, Koha e dashurisë; 1997 111- Vepra vëllimi i gjashtë: Qyteti pa reklama, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Muzgu i perëndive të stepës, Përbindëshi; Fayard, Paris, 1998 112- Vepra vëllimi i shtatë, Dimri i vetmisë së madhe, roman; Fayard, Paris, 1999 113- Vepra vëllimi i tetë: Koncert në fund të stinës, roman; Fayard, Paris, 1999 114- Piramida, roman, Vepra, vëllimi i parë; Fayard, Paris, 1993 115- Piramida, roman, Çabej, Tiranë, 1995 116- Shkaba, roman; Çabej, Tiranë, 1995 117- Shkaba, roman; Dukagjini, Pejë, 1996 118- Spiritus, roman; Onufri, Tiranë, 1996 119- Spiritus, roman; Onufri, Tiranë, 2000 120- Dialog me Alain Bosquet; Onufri, Tiranë, 1996 121- Dialog me Alain Bosquet; Onufri, Tiranë, 1996 122- Legjenda e legjendave, ese; Dukagjini, Pejë, 1996 123- Pallati i Ëndërrave, roman; Dukagjini, Pejë, 1996 124- Pallati i ëndërrave, roman; Onufri, Tiranë, 1999 125- Kush e solli Doruntinën; Flaka e Vllazërimit, Shkup, 1997 126- Kush e solli Doruntinën; Album, Tetovë, 1997 127- Kushëriri i ëngjëjve, ese; Onufri, Tiranë, 1997 128- Tri këngë zie për kosovën, tregime; Onufri, Tiranë, 1998 129- Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë, ese; Onufri, Tiranë, 1998 130- Ikja e shtërgut, tregim; 1999 131- Ra ky mort e u pamë; Onufri, Tiranë, 1999 132- Qorrfermani; Onufri, Tiranë, 1999 133- Vjedhja e gjumit mbretëror, tregime; Onufri, Tiranë, 1999 134- Ra ky mort e u pamë; Onufri, Tiranë, 2000 135- Kohë barbare, Nga Shqipëria në Kosovë, Biseda me Denis Fernandez Rècatala; Onufri, Tiranë, 2000 136- Breznitë e Hankonatëve, roman; Onufri, Tiranë, 2000 137- Bisedë përmes hekurash me Ushkin Hotin; Onufri, Tiranë, 2000 138- Lulet e ftohta të marsit, roman; Onufri, Tiranë, 2000
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #2 : Mars 09, 2009, 11:24:14 MD » |
|
Qëndresa
Romanin "Kështjella" (1968) Kadare e shkroi në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe me të fitoi çmimin e parë të konkursit. Por ngasja për kështjellën, në një kuptim më të gierë, në veprën e tij duket më herët dhe nuk mbaron me këtë libër. Figurativisht simboli i kështjellës është qysh tek "Poemë e blinduar". Njëfarë kështjelle ishte padyshim edhe kali i drunjtë i Gent Ruvinës dhe i miqve të tij të ngujuar të novelës "Përbindëshi". Një kështjellë gjigante është piramida në novelën "Ndërtimi i piramidës së Keopsit". Kulla e ngujimit e Gjorg Brezftoftit në "Prillin e thyer", bashkë me shumë kulla të tjera me një frëngji të vockël të vetë-mbrojtjes prej hakmarrjes, janë kështjella të vogla që sundonin malësitë shqiptare. Pallati i Ëndrrave, me seksionet e tij, është ndërtuar në formën e një kompleksi kullash të hekurta. Vetë laboratori krijues i shkrimtarit, i përshkruar me hollësi në librin "Ftesë në studio", ka pjesët e rezervuara të saj, që mbrohen prej daljes në dritë si në një burg të heshtur. Hauret dhe steretë e shtëpive gjirokastrite në "Kronikë në gur", shtëpia etnografike e princit të Mirditës (Gjomark) tek "Prilli i thyer", vila e frikshme dhe e harruar e ish-ministrit në prag të gjyqit tek "Koncert në fund të dimrit", kampi i rreptë i të internuarve tek "Përçmimi", baza ushtarake e Vlorës (Pasha-Liman) tek "Dimri i madh", shtëpia me portë (detyrimisht) të hapur e dijetarit Martin Shkreli në Prishtinë tek "Krushqit janë të ngrirë", janë vetëm disa nga variantet e shumtë të simbolit të kështjellës në veprën e Kadaresë. Prej botimit të parë (1968), deri tek botimi i fundit (1995); prej "Kështjellës" deri tek "Daullet e shiut", për të cilën shkrimtari është shprehur se nuk ka për të vënë dorë më, ekziston një ndryshim i dukshëm jo vetëm artistik (si është shkruar), por edhe në përmbajtje (çfarë është shkruar). Nëse në botimin e parë romani është quajtur si një vepër e qëndresës historike shqiptare, si një përmendore e heroizmit kombëtar, me një aludim të qartë që mund ta quanim "anti-bllokadë", theksi i së cilës drejtohej kundër pushtuesve të huaj, që nuk lanë kërkim pa bërë për t'u ndërprerë zotërve të kështjellës "Al-Hisar" edhe ujësjellësin; në botimin e dytë, ndonëse nuk ndryshon asgjë në evokimin e trimërisë së arbërve të shekullit të 15-të, ndryshon pothuajse rrënjësisht ai që mund ta quanim "mbitekst" apo "lexim i super-pozuar": "Daullet e shiut" nuk është romani i anti-bllokadës së imponuar, por denoncim i vetëveçimit (izolimit) të zgjedhur vullnetarisht. Sido që të jetë vetë simboli i kështjellës, në traditën letrare shqiptare, i ka bartur historikisht të dyja mbishtresat kuptimore: ajo është figurë qëndrese, rrethimi ose ngujimi (izolimi, në kuptimin modern).
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #3 : Mars 09, 2009, 11:25:15 MD » |
|
Dilema Ndërmjet Urës dhe Kështjellës (analizë)
Bashkë me një varg veprash të tjera, "Ura me tri harqe" bën pjesë në një cikël romanesh e novelash, që Kadare i ka shkruar me një qëllim të qartë për të krijuar imazhin e një "Shqipërie tjetër", e cila ndryshon shumë nga ajo që shihet me sy, një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar, që gati ishin të përjashtuar nga letërsia si figura me misione pozitive. Autori, në pamundësi për të shprehur hapur mendimin e tij mbi zhvillimin e avancuar të qytetërimit perëndimor, përpiqet t'ua tregojë këtë lexuesve duke gjetur në traditën e "Shqipërisë tjetër" atë fazë të historisë kur vendi, edhe sipas dijetarëve, ecte në një hap me fqinjët e tij përtej Adriatikut. Shkrimtarin nuk mund të mos e shqetësojë fakti i njohur se balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për një murim kryesisht në kështjellë. Ai është i vetëdijshëm se kjo është kushtëzuar nga rrethanat kritike historike që kanë shoqëruar fatin e popullit të tij. Eshtë e vështirë që një popull vazhdimisht në rrudhje të vendosë pëlqimin e urës para kështjellës. Kjo, ndoshta, është një nga dilemat më tronditëse që kanë përjetuar shqiptarët. Ura është për ta edhe e dëshiruar, por njëkohësisht edhe e frikshme, sepse "në urë kalon i miri dhe i keqi, miku dhe anmiku". Rreziku i ekspansionit, që mund ta kthejë urën e Ujanës së Keqe në një kuçedër, ndihet në gjithë romanin, si një kontekst historik i domosdoshëm për të treguar se edhe në "Shqipërinë tjetër" marrja e vendimit ka qenë e vështirë. Sikurse në rrjedhat e historisë, edhe në këngë, populli i ka ngritur urat, duke u kushtuar edhe flijimin njerëzor, sa herë që kanë fryrë erëra paqeje dhe miqësie. Por shumë shpesh është mbyllur në kështjella, madje me tri-katër rrethime, pikërisht për shkak të erërave të frikshme që i kanë zënë vendin paqes. Këto ndërrime lidhen jo me gjurmë vitesh, por me prurje kohërash historike. "Shtatqin vjet do t'i djeg kullat", i kërcënohet një prej heronjve kreshnikë të eposit shqiptar kundërshtarit të vet. Në veprën e Kadaresë dilema midis urës dhe kështjellës është po aq tronditëse sa në vetë historinë e popullit. Në formën më të pjekur artistike kjo dilemë shprehet në romanet "Kështjella" dhe "Ura me tri harqe". Në një farë mënyre ato janë vazhdim i njëri--tjetrit. Ai që krijoi kështjellën e qendresës në kushtet e darës së armiqësisë nuk mund t'i lejonte vetes të mbetej pa urë i ndarë dhe i vetmuar nga bota. Këtë ide Kadare e arriti duke krijuar "Urën me tri harqe", vështruar në shumicën e rasteve si një çmitizim i legjendës.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #4 : Mars 09, 2009, 11:26:21 MD » |
|
Ringjallja dhe Kulti i Besës (analizë)
Romani i Kadaresë "Kush e solli Doruntinën" ka në qendër një personazh që ringjallet. Ndoshta nuk është aq e rëndësishme se ç'mundim a mision e kthen atë në këtë botë. Më e rëndësishme është se si u ringjall ai, me ç'fuqi shpirtërore erdhi prej andej nga nuk ka kthim, duke u barazuar me një Krisht? Ringjallja e Kostandinit është kyçi i librit "Kush e solli Doruntinën". Ai dëshmon se fuqia e njeriut mund të jetë e barabartë me të hyjve. Pikërisht shpresa e një rilindjeje, besimi i një ringjalljeje të njeriut, të energjisë dhe shpirtit të tij, në një kohë kur rreziku i shuarjes së individit në bashkësi ishte evident, duket se ka qenë joshja e autorit. Kalimi prej ringjalljes biblike tek ringjallja laike ishte një hap epokal, ndoshta po aq sa rrëmbimi i zjarrit perëndive në hershmëri apo dalja e njeriut jashtë sistemit yjor sot. Ky akt, i cili në shumicën e rasteve ishte lënë në një sfond mistik, u trajtua në mënyrë mjeshtërore në veprën e Kadaresë. Doruntinën e solli fjala e dhënë, thotë kapiteni Stres që kryeson hetimet. Doruntinën e solli besa shqiptare, nxitojnë moralistët. Doruntinën e solli pengu i inçestit të pakryer, thonë psiko-kritikët. Doruntinën e solli një aventurier dashurie, një "dikush" i rastit, pohon njëri prej priftërinjve. Nëse në të gjitha këto pohime ka diçka prej së vërtetës, mbetet pa u thënë thelbi: Doruntinën e solli Rilindja, era e furishme e ndryshimeve të saj, tronditja e moralit të Mesjetës dhe kërkimi i një dhjate të re humaniste, rebelimi i mendjeve të fuqishme të kësaj epoke për t'i dhënë njeriut kuptim sublim; përpjekja e tyre për t'u bërë zotër të vetes, për të mbërritur tek shën Njeriu. Atributi i ringjalljes, kësaj radhe nuk ndodh në versionin biblik, Por sipas nje balade laike të vendit. Kostandini është, në mënyrën e vet, një Mesi për bashkatdhetarët. Ai mbërriti të parealizueshmen dhe u afroi njerëzve madhështinë: kthimin nga vdekja, mundjen e saj, qoftë edhe në formë të reduktuar. Fryma e rilindjes dhe shpresa e përtëritjes kanë krijuar historikisht energji shpirtërore të mëdha. Kadareja ekspozoi një nënshtrat krejt të rnospërfillur të kulturës kombëtare. Legjenda e Doruntinës nuk ishte "punë legjendash", por konkluzion i një epoke historike. Ajo shpallte lidhjet e lashta të kulturës së popullit tonë me ato të vendeve të qytetëruara të kontinentit. Në më pak se 50 vargje të parët e shqiptarëve jepnin e merrnin me një botë të tërë, bënin krushqi gjer në Bohemi, lidhnin aleanca me baronë e fisnikë të afërt e të largët, lëviznin të sigurt në gjithë hapësirën kontinentale. Ata ishin pjesë integrale e kësaj bote. Miqësitë e tyre gjendeshin "nëntë male kaptuarë". Të shkoje në viset gjermane apo dhe më tej për ta ishte njësoj si të thoshje: "po shkoj në krushqi". Në Shqipërinë e mbyllur, pa një mik, pa një aleancë, pa një portë të hapur, të fundit të viteve '70, kjo ekspoze mund të ngjallte zemërime e pakënaqësi, mund të shkaktonte inate e mëri. Novela predikonte hapjen, kur politikanët kërkonin mbylljen. Autori u paraqiste si shembull humanizmi bashkatdhetarëve të vet lashtësinë e tyre, kur në vend zotëronte një pikëpamje çuditërisht e ngulitur, sipas së cilës vlerat e vërteta ishin krijuar në gjysmëshekullin e fundit. Mesazhi i Kostandinit është thirrja për një rilindje morale.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #5 : Mars 09, 2009, 11:27:14 MD » |
|
Kronikë në Gur (analizë)
"Kronikë në gur" është një prej romaneve të hershëm të Ismail Kadaresë. Ndryshe nga letërsia e deriatëhershme për Luftën Antifashiste, e karakterizuar nga dy kampe personazhesh - partizanë e pushtues - ky roman solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me rezistencën ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve dhe të kundërshtarëve. Që lufta ishte një kohë mjaft më e ndërlikuar se ajo që shërbehej prej një tradite letrare skematike; kjo mund të shihet edhe në fatin e një familjeje qytetare në vendin e "kronikës në gur", ku konflikti hyn brenda saj, duke ia tronditur regjimin tradicional. Me këtë roman I.Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste, duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi në vetën e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, me "pafajësinë" e vet, megjithëse i ka dhënë romanit njëfarë karakteri autobiografik, njëherësh e ka mbrojtur atë prej qëndrimit të kritikës. Duke qenë vështrimi prej fëmije një vështrim thelbësor në roman, lexuesi e ka të vështirë të dallojë se ku fillon koncepti i arsyetuar i saj e ku mbaron të konceptuarit si lojë. Në studimin "Subversion kundër konformizmit" një studiues ka këmbëngulur se romani "Kronikë në gur" është një vepër hyjnizuese e Luftës Antifashiste, një "roman komisarësh", dhe se përpjekja e autorit për të hyrë në lëkurën e fëmijërisë së vet nuk është gjë tjetër veçse një procedim letrar për të mbuluar konformizmin. Përkundër këtij mendimi, shumica e studiuesve bashkohen në vlerësimin se "Kronikë në gur" është një vepër atipike në pikëpamjen metodologjike, e shkruar me një liri që tejkalonte kufizimin ideologjk dhe vlerësimin e partishëm për luftën. Sipas një pjese të studiuesve, "Kronikë në gur", duke pasur këtë vështrim, në fakt sjell tek lexuesi një përqasje psikanalitike frojdiste rreth luftës, ose jetës së qytetit në kohë lufte. "Kronikë në gur" është një prozë me subjekt të reduktuar, gjë jo fort e përshtatshme nga pikëpamja teorike për një letërsi të orientuar. Me këtë vepër Kadare bëri përpjekjen e parë për t'i dhënë vlerë letrare së zakonshmes, së rëndomtës, madje së shëmtuarës dhe absurdes. "Kronikë në gur" është një vepër e përshkuar nga grotesku. Vështrimi i luftës me sytë e fëmijës i ka dhënë mundësi autorit që t'i shohë ngjarjet dhe personazhet e saj pa ndonjë partishmëri të dukshme. "Kronikë në gur" përmban vlera të rëndësishme të një letërsie të mirëfilltë etnografike. Tradita e kësaj letërsie në qytetin e Gjirokastrës është më e hershme, ajo afirmohet mirë me botimet e Musine Kokalarit në vitet '40, sidomos me "Siç më thosh nënua plakë" dhe "Sa u tunt jeta". Etnografizmi në romanin e Kadaresë u jep edhe mjediseve një cilësi jotipike, ndryshe prej kërkesave të rrepta të metodës së realizmit socialist.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #6 : Mars 09, 2009, 11:28:15 MD » |
|
Nëpunësi i Pallatit të Ëndërrave (analizë)
Libri "Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave" e jep realitetin e kohës dhe të njerëzve të saj prapa metaforave të tilla të gatshme si "pallati i ëndrrave", nëpunësit dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe bash-ëndrra. Të gjitha këto Kadaresë ia ofroi mekanizmi i ndryshkur i shtetit të fuqishëm të perandorisë otomane në fundin e tij . Karakteri shumëkohësh i "Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave", përkundër karakterit shumëkuptimësh të një vargu veprash të tjera të Kadaresë, lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicjen të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigande të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor. Kadareja i ka dhënë karakterin e një konflikti të përjetshëm marrëdhënies pushtet/individ. Çdo përpjekje e individit për t'u matur me shtetin, për të depërtuar në brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë, është e dështuar. Individi në çfarëdo raporti që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej tij. Fati i Ebu Qerimit, që e përjeton si shtegtim nëpër ferr kalimin nga një pjesë e "pallatit të ëndrrave" në tjetrën, ndonëse është i përkrahur nga një klan i fuqishëm që kontrollon e administron pushtetin, siç ishin Qyprillinjtë, është gjithnjë i kërcënuar dhe pikërisht për këtë arsye shërben si një paralajmërim për fatin e shtetasve në përgjithësi. Rruga e mbërrities tek thelbi i "Nëpunësit..." ka qenë e ngatërruar dhe plot keqkuptime, të shmangshme e të pashmangshme.
Mungesa për një kohë mjaft të gjatë e shtetit kombëtar krijoi tek shqiptarët nderimin ndaj tij; kjo ishte krejt e nënkuptueshme: në përgjithësi gjërat e munguara lindin respekt, lakmi, adhurim, deri hyjnizim. Për Shqipërinë e Pasluftës, të gjendur përballë detyrës së ngutshme për të çrrënjosur monarkinë e për të ndërtuar një shtet me bazë të gjerë popullore, siç u nis në krye, ky ishte një shans i madh. Por ky shans mbeti vetëm një ëndërr.
Në marrëdhëniet midis individit dhe shtetit, që pasqyrojnë shkallën e qytetërimit të një shoqërie, në vend e në emër të nderimit hyri përulja, në vend e në emër të respektit hyri lakmia dhe arrivizmi -Ky ka qenë një nga deformimet më të thella dhe një shkallmimi i vërtetë i vlerave dhe i karaktereve njerëzore. Për fat të keq u desh plot një gjysmë shekulli për ta kuptuar këtë. Shkrimtari e pati parathënë një gjë të tillë shumë kohë më përpara. Por edhe këtij shansi iu kalua përbri.
"Nëpunësi i Pallatit të Endrrave" u dha goditjen e parë këtyre marrëdhënieve krejtësisht të shtrembëruara midis të drejtës së njeriut dhe të drejtës së shtetit. Ai e ktheu përrnbys, kokëposhtë, piramidën shtetërore. Ishte hera e parë që nomenklatura e ndereve denoncohej si shkallëzim i fajit dhe i përgjegjësive; që hierarkia e lavdisë karakterizohej si hierarki e turpit; që vlerat e vërteta njerëzore kërkoheshin jashtë korpusit kryesor të piramidës së shtetit, jo brenda saj. Ndoshta kjo ishte arsyeja që kritikët nxituan të shmangnin çdo paralelizëm me kohën, duke zbuluar, madje, për çudi të çudirave, se "Tabir Saraj" paskësh qenë një institucion i vërtetë i administratës perandorake, kështu që "Nëpunësi..." nuk mund të ishte tjetër, përveçse një vepër historike, një kronikë e funksionimit të tij. Me qëllim historia dhe jeta bashkëkohëse, dita dhe tradita, ndryshe nga herët e tjera, u vështruan pa ndonjë lidhje midis tyre. Përfundimi do të ishte i rrezikshëm. Kontestimi ishte hamletian. Duhej të ishe krenar për qenien në një nga zyrat e hierarkisë së lartë të shtetit apo, përkundrazi, duhej të ishe kokulur? Një invers i tillë i përjetimit të statusit të nëpunësit s'ishte parë e dëgjuar ndonjëherë. Pyetja "karrierë apo kalvar", që paraqiti Kadare përmes fatit të Nëpunësit të Tabir Sarajit, qëndronte tashmë si një paralajmërim orakulli: "O ju që hyni në këtë shërbesë, a e dini fatin tuaj? Hiqni dorë nga iluzionet, ose, përndryshe, hiqni dorë nga vetja. Ajo që ju e quani rrugë e ngjitjes nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim i madh. Nëse keni vendosur të mos ndaleni as pas këtij njoftimi, atëhere mos prisni famën, por çpersonalizimin, mos prisni lirinë por syrgjynin. Ju nuk i takoni më vetes!" Me "Nëpunësin..." Kadareja nyjëtoi atë ide që ai vetë më pas do ta quante "faj kolektiv". Tabir Saraji funksionon pikërisht mbi bazën e shoqërizimit të përgjegjësive. Por, ndërkaq, ekziston edhe një shkallëzim krejt i qartë i tyre. Faji i shtetit të panënshtruar ndaj ligjit është kolektiv vetëm në kuptimin që bashkon në përgjegjësi të drejtpërdreitë e të tërthortë njerëz në pushtet e jashtë tij, ideatorë e ekzekutorë, aktivistë e jallan- shahitë, konformistë e servilë. Por më tej faji ndahet sipas një rregulli krejt të përcaktuar. Për të zezën e vet, administrata shtetërore krijoi e ligjëroi emërtesën e mburrjes e të karshillëkut, që do të shërbente më pas për një kallëzim të pagabueshëm të pjesëmarrjes në faj. Gjyqësia e Kadaresë u vërtetua nga koha si një gjyqësi e mençur. Rreptësia ndaj atyre që shpërdoruan respektin e popullit ndaj pushtetit, mirëbesimin e tij, ishte më se e nevojshme dhe ndëshkimet krejt të merituara. Shkrimtari sulmoi bastionin më të rëndësishëm të shtetit, majën e piramidës së tij. Ai çmistifiloi enigmën e asaj që quhet "arsye shtetërore", në emër të së cilës mbulohen turpet dhe fëlliqësitë më të mëdha të kësaj bote. Ai shembi kultin e rangut, mitin e zyrës e të nëpunësit, idoltarinë e fryrë të "atyre që janë lart". Dhe aty ku fillon shembja e idhujve të rremë, aty ka nisur emancipimi.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #7 : Mars 09, 2009, 11:29:02 MD » |
|
Dimrat në Romanet e Kadaresë (analizë)
Në qoftëse "Dimri i madh " (në botimin e parë titullohej Dimri i vetmisë së madhe, 1973), i cilësuar nga kritika (pas përfundimit të fushatës sa cinike, aq dhe mediokre, të ndërmarrë kundër tij) si një roman-epope, kishte qenë dëshmi artistike e një tronditjeje dhe qëndrese heroike, "Koncert në fund të dimrit" (1988) do të jepte kryesisht dimensionin humoristik të një ngjarjeje krejt të ngjashme me të parën, veçse tashmë e njohur dhe e provuar nga protagonistët e saj, të mësuar në rrjedhat e historisë së tyre të lashtë, që rebelohen pa mundim ndaj supershteteve. Në këtë roman serioziteti është po aq i pranishëm sa dhe e qeshura; drama dhe parodia, epopeja dhe farsa, tragjizmi dhe komizmi, aty shkrihen dhe aty alternohen, gjendjet emozionale janë nga më të befasishmet. Me të drejtë vetë autori, në një interviste dhënë gazetës franceze "Le Monde", e ka karakterizuar atë si një "roman me shumë registra, si një "vepër polifonike", si një libër artistik sa dhe shkencor, politik sa dhe filozofik, histori e luftërave ideologjike në shkallë të brendshme e globale, kronikë e një bote të trazuar në këtë fund shekulli novator. Kjo shkrirje e shumë planeve, emocioneve dhe ideve, flet për një vepër që gjykon kohën dhe botën, njeriun dhe shoqërinë, të sotmen, të shkuarën dhe të ardhmen. Ky roman është ndoshta vepra më e kompletuar e Kadaresë nga pikëpamja e mendimit. Spektri ideologjik i saj i përmban të gjitha ngjyrat, bashkë me nuancat e tyre. Polifonia që përmend autori nuk është gjë tjetër veçse një eufemizëm për shumësinë e ideve ose pluralizmin, siç e themi sot me vend e pa vend. I prerë në dy boshte, diakronikisht dhe sinkronikisht, romani ka shtrirjen dhe thellësinë e një vepre të fuqishme, ku hyjnë e dalin shqiptarë e të huaj, nëpunës të thjeshtë e zyrtarë të lartë, ministra të rrëzuar nga pushteti dhe autoritete të reja në ngjitje, djem e vajza shkollarë dhe plaka të sklerotizuara, gjithë bota jonë e vëzhguar nga brenda e nga jashtë, me një përfaqësim enciklopedik; gjithë koha që jetojmë, me një pasqyrim kaleidoskopik. Ai është një libër i menduar me tërë fuqinë intelektuale të shkrimtarit të madh dhe i shkruar fund e krye me gjithë spontaneitetin e poetit shpërthyes. Një libër që lind libra të rinj.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #8 : Mars 09, 2009, 11:34:05 MD » |
|
Edhe kur Kujtesa
Edhe kur kujtesa ime e lodhur Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë, Une ty s'do të harroj.
Do të kujtoj Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu, Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim Si një dëborë e pashkundshme.
Ndarja erdhi Po iki larg teje... Asgjë e jashtëzakonshme, Veç ndonjë nate Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë...
Gjuha Shqipe
Kur në sulm hodhën turqit Hordhitë e pambaruara, Kështjellat e sintaksës S'i muar, që s'i muar.
Në bedena poemash Popullore mbetën Kufoma divanesh e Kufoma bejtesh.
Kur panë se gjuhës S'i hodhën dot prangat, Lëshuan drejt saj Gjithfarë merimangash...
Në përçartje ta kthenin Në delir në jerm, Ishin vite të rënda, Ishin shekuj plot helm.
Të të bënin ty, donin Shqipëri memece, Po ja erdhi Naimi, Si yll mbi ty ecte.
Dorën e zbehtë Mbi ballë të vuri, Të të hiqte zjarrllëkun Prej të sëmuri.
Dhe vdisnin pjesëzat, Thaheshin merimangat, Ndriste si perlat Poezia e madhe.
Kjo gjuhë, që provoi Akrepët e shkretëtirës, Ç'do të thotë përçartje E di, oh, e di mirë. E di ç'do të thotë
Kllapi hermetizëm, Qoftë e ardhur nga Roma, Qoftë e ardhur nga Parisi.
Kjo gjuhë martire, Lehonë e përjetshme Që lindi mes dhimbjesh Art të pavdekshëm.
--------------------------------------------------- Në fillim qe fjala! Zor se mund të ketë poet me të vërtetë të shquar që të mos i ketë kushtuar një shkrim gjuhës së tij. Ismail Kadareja ka pasur rastin të shprehë disa herë vlerësinùn e tij per gjuhën shqipe, duke veçuar sidomos karakterin e saj të dyfishtë, të përzier, si gjuhë me elemente analitike e sintetike njëherësh, gjë që i jep asaj mundësi të pakufizuara shprehjeje, pasurimi. Në një rast, madje. e ka parë atë edhe në raport me shumë gjuhë të tjera të mundshme komunikimi duke pranuar për një çast hipotezën e ekzistencës së qytetërimeve jashtëtokësore në galaktikat e tjera të universit. Poezia "Gjuha shqipe", e bashkërenditur me shumë vjersha të tjera në vëllimin "Koha", është kushtimi më i rëndësishëm i Kadaresë për shqipen. Është për t'u vënë re se këtë vjershë ai e krijoi në kulmin e njohjes e të lavdisë në rrethet letrare ndërkombëtare, atëherë kur kritikët tanë i kishte zënë meraku se mos fama e jashtme do ta joshte së tepërmi autorin për t'i marrë mendtë. "Gjuha shqipe" e prishi traditën e vjetër. Ajo nuk është poezi himn, si kushtimet e poeteve të mëparshëm Kadareja e sheh gjuhën si qytetërim. Ai e vlerëson forcën shprehëse të saj si potencial për art të madh. Njohjen botërore, siç dihet, ai ia dedikon më së pari frëngjishtes, por për të, si poet, ajo është thjesht një teknikë marrëveshjeje. Kurse shqipja është frymë dhe ndërgjegje kombëtare, është informazioni më i rëndësishëm shpirtëror i kompletuar i mbërritur prej të parëve, është shenja e parë e të dhënave bazë të të qenit shqiptar. ----------------------------------------------------------
Kërcënimi
Shtat'qind vjet kam për t'i djegur kullat, Do të t'i vras qentë shtat'qind vjet. Kështu Mujo me modesti pat deklaruar, Ndërsa eposi po hynte në shekullin e tetë.
Erdh' pas tij i nënti, i dhjeti rradhazi. Sa ngadalë në epos mllefi del... Shtat'qind vjet kam për t'i djegur kullat, Do të t'i vras qentë shtat'qind vjet.
Kinema e Vjetër
Kinema e vjetër, Kinema e braktisur, Ku prej kohësh më s'lozin filma të përsëritur, Ku s'bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget, Ku në pushimet e seancave S'shesin kikirikë. Ekrani me njolla, Megafonët prishur, Stolat janë boshe si radhë të pashkruara; Këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur Nga dera e vështroj Plot mall e i menduar. Kinema e fëminisë, Kinema e rrëmujës, Kam parë aq vende, Kam parë aq salla, Por n'asnjë prej tyre s'kam hyrë me aq bujë, Sa tek ti, E shtrenjta barakë, E rralla! Më mirë asgjëkund veten s'e kam ndier, As në sallat luksoze me kadife që shndrit, Megjithëse në to me leshverdha kam qenë, Kurse tek ti vija Me jevgun Rakip. Lekë, lekë, Të mbledhura me mundim paret, Tingulli i gëzuar në biletari, Afishet tek xhamia Dhe tek Qafë e Pazarit Të shkruara nga vetë portieri Qani.
Për të njëjtin film tek njëra afishe Shkruhej titulli ndryshe, Te tjetra. Por kjo asnjeriu punë s'i prishte.
T'i falnin ty të gjitha, E dashura, E vjetra.
Në atë copë ekran, Për herë të parë, Një copë të botës së gjerë ne pamë. Në gjashtë metra katrore.
Bota fund s'kish e anë, Bota ngjante e shkëlqyer, Ndonëse ekrani ish me arna.
Dhe ne ishim me arna, Me arna ish Republika, Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna. Por në sytë tanë Kish të tillë dritë, Që nuk e patën kurrë Më të ndriturat ekrane.
Kinema e vjetër, Kinema e braktisur, Stola ku janë ulur varg Ditët e fëminisë, Cicëronjëse gjithmonë Si një rresht zogjsh Mbi një tel telefoni.
Kinema e vjetër, Kinema e braktisur, Stola të rëndë, të gjatë, të vithisur. Në çdo moshë që të hyj, Në çdo vend që të vete Si hamall këto stole Do t'i marr me vete.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #9 : Mars 09, 2009, 11:37:03 MD » |
|
Koha e Pamjaftueshme
S'kam kohë të harroj shumë gjëra Që nga mendja ti nxjerr përjetë. Për tragjiket e vjetër e shkreptimat Do t'më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten, Për frengjishten tok me plazhet po aq, Ndoshta gratë do të jem duke fshirë Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt Para avionit që niset pas pak I ngarkuar rëndshëm ende Do t'afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë? Ku ta hedh këtë peshë, si? Me të s'mund të zbres atje poshtë Por as lart dot s'e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit Nga mosthënia, nga pengu tragjik, Një shenjë ndoshta të pakuptueshme Do t'ju bëj të gjithëve e do ik.
Kristal
Ka kohë që s'shihemi dhe ndiej Si të harroj unë, dalngadal, Si vdes tek unë kujtimi yt Si vdesin flokët dhe gjithçka Tani kërkoj unë posht' e lart Një vend ku ty të të lëshoj. Një strofë, notë a një brilant Ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s'të pranoftë asnjë varr Asnjë mermer a morg-kristal. Mos duhet vallë prap të të mbart Gjysëm të vdekur, gjysmë të gjallë?
Në s'gjetsha hon ku të të hedh Të gjej një fushë a një lulnajë Ku butësisht porsi polen Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.
Të të mashtroj ndoshta kështu Dhe të të puth e t'ik pa kthim Dhe nuk do të dimë as ne, askush Harrim ish ky, a s'ish harrim.
Ky Dimër
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pafund. E lodhur pudra mbi fytyrën tënde. I mpirë është gëzimi, thua s'ngjallet dot. Apo si ai q'u dergj nga një lëngatë e gjatë. S'do mëkëmbet kurrë ashtu siç qe?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i ftohtë ish. Në pusin e ndërgjegjjes mezi ndihen Tinguj kambanash si rënkim të mbyturish. Ato gjithashtu vdiqën, dot s'i ngjall, Sa gjëra u vyshkën, më e keqe se vetë vdekja Ish vyshkja e tyre e ngadaltë, o zot.
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pashpresë ish. Kinezët që s'duken më në udhëkryqë rrugësh Por vetë ata s'kanë vdekur: qelqe dritaresh Të stilit q'ata sollën vezullojnë ngriraz Duke dërguar ftohtësinë e tyre Mbi mijëra fytyra si prej maske kalimtarësh
Sa kohë vallë do ti duhet Genit të racës atë maskë të shpëlajë. Apo në luftën e maskës me lëkurën Maska do të fitojë më në fund?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i acartë ish, Mbi varrin e tiranit monoton Shiu po bie. Ka gjumë a s'ka nën dhè?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i vrerosur ish. E lodhur pudra mbi fytyrën tënde. Nën pluhur tempujsh, i lodhur shpirti im.
Laokoonti
Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë në muze të Luvrit, në Madrid , në Nju-jork Para syve tuaj e aparate turistësh. qindra vjet kam që vuaj ngaqë sflas dot
Si të flas? A mundet një nofull mermeri të lëvizë një grimë, të korrigjojë diçka? vini re sytë e mi, te zgavrat e thella një enigmë, si amebë të tharë atje ka.
Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit para syve tuaj, në Paris, në Madrid. Ah, do të doja dyfish të m'i shtonit, veç sekretin e madh të shkarkoja një ditë.
Tek më vini rrotull, unë them me vete kaq të verbër të jeni sa të mos të ndjeni këtë, që ky ngërç e ky ankth në qenien time s'është nga gjarpërinjtë, por nga një tjetër gjë?
Mijëra herë në mijëra net e ditë të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim. Me shpresën e marrë se nga kjo përsëritje ndoshta mermeri pëson një ndryshim.
Po s'ndërron ai kurrë. Art i skulpturës gënjeshtrën mbi të ka ngrirë përgjithnjë. I mbërthyer në dëshminë e saj të rremë, të vërtetën kujtoj e qaj për të.
Si çdo gjë e tmerrshme është i thjeshtë sekreti, që brenda boshllëku i gjoksit mban. Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën, mua s'më mbytën gjarpërinjtë por trojanët më vranë.
O, sikur të mundja gjithçka të tregoja. Si do të ngrinit para meje si gur, kur unë i dënuar mes rropamës suaj moskokëçarëse monologun të thurr.
Ju e dini se përpara Trojës ahere, kali i drunjtë, dhurata e grekëve u shfaq. Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët: ta pranonin atë, ose ta flaknin sakaq.
Pajtim me armikun, ulërinin tradhtarët mjaft më me luftë, zjarr edhe helm. Erdhi koha që shpatat ti kthejmë në parmenda armiqtë në miq erdh koha të kthejmë.
Në mbledhje të gjatë "pro" dhe "kundra" kalit, unë "kundra", kryesova me tërbim. Dhe juve ju kanë thënë ahere se hyjnitë gjarpërinjtë më dërguan si ndëshkim.
Ç'përralla kalamajsh, ç'trillim për budallenjtë unë gjarpërinjtë do t'i mbrapsja me një shkelm. Po ç'ti bëj fushatës së tradhtarëve kundër meje shantazheve,letrave anonime plot helm.
Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte, nga shtresat e mesme e gjer lart në qeveri. Ishte vjeshtë. Nën qiellin e hirnosur me erë kali i drunjtë përjashta priste në shi.
Atë kalë unë i pari e kisha goditur, ndaj, e dija, këtë s'do të ma falnin përjetë. Më në fund "vijë e butë" fitoi mbi të "ashprën", dhe ne "kokëfortët" na vunë në arrest.
Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë helmin na dhanë ata të pijmë ata që ulërinin kundër dhunës e shpatës Që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinjtë.
Në mëngjes që pa gdhirë në breg të detit ma hodhën kufomën drejt mbi zhavor. Rapsodët anembanë përhapën versionin fals të gjarpërinjve hyjnorë.
Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin, ju e dini me Trojën se ç'ndodhi pastaj. Tre mijë vjet rrjesht, nga muzeu në muzera, unë hamalli i mermertë, gënjeshtrën mbaj.
Tre mijë vjet...Akoma zjarret e Trojës si floknajë e kuqe më rrinë në sy. Po më i tmerrshëm se zjarret, kumet e vomet ishte fundi fare, kur u bë qetësi.
Trojë e braktisur. Gërmadhë. Hi i ftohtë; dhe poshtë ne të vdekurit shtrirë rresht. Dhe papritur, në muzg sipër tokës së mardhur u ndje diçka që atë çante përmes.
Ç'ish kjo gërvimë kështu, kjo jehonë? Vumë veshin. Kuptuam. grekët e ligj përmbi qendrën e qytetit me parmendë lëronin për të thënë se Troja përjetë vdiq.
Ja më në fund dhe parmenda e tyre. Ah, plugu i saj si na çante më dysh! Nga tradhëtia e Trojës, nga gjithë dhembjet, ky kafshimi i parmendës më i hidhur ish.
T'i kthejmë shpatat më në fund në parmenda. Kështu thërritnin atëherë ata. Midis fjalëve tuaja, si mallkim, si gjëmë veshët më kapën edhe këtë hata.
Më kanë lodhur më shumë, besomëni, ca fjalë, se kjo peshë e neveritshme gjarpërinjsh. Ju, që gjer në hënë kini shkuar, si vallë s'depërtoni dot deri në gjoksin tim?
Gumëzhima juaj si zhaurimë deti më vjen nga çdo anë më përplaset në vesh, nga copëra bisedash shumëgjuhëshe rreth meje shqetësimet e mëdha të botës marr vesh.
Degjoj emra shtetesh të reja që kanë dalë, emra kombesh e popujsh të rinj dëgjoj, veç ai, i vjetri, i tmerrshmi kalë, ashtu si ahere ka mbetur njëlloj.
Prej potkonjve të tij unë rrëqethem akoma dhe kështu në mermer i mbrojtur siç jam, kurse ju, të panjohurit, ju prej mishi dhe kocke vërtiteni mospërfillës nga salla në sallë.
Vërtiteni, flisni për teatrin e për plazhet, për gjithfarë motorësh e gjithfarë qeverish, pa ju shkuar mendja që ai mund të shfaqet në një ditë të rëndomtë, një mëngjes me shi.
Ashtu si ahere... po mjaft, u lodha. Nga vërtitja juaj po më erren sytë, nga rropama juaj veshët më gjëmojnë në muze të Londrës në Luvër e Madrid,
në pafshi ndonjë ditë të behem copëra, nga marazi, siç thonë, të plas, t'ia bëj "krak" jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra, por indiferenca juaj do të bëhet shkak.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #10 : Mars 09, 2009, 11:41:23 MD » |
|
Mall
Ca pika shiu ranë mbi qelq. Për ty unë befas ndjeva mall. Jetojmë të dy në një qytet, Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Edhe m'u duk pak e çuditshme Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes. Qiejt e ngrysur pa lejlekë Dhe shirat pa ylber në mes.
Dhe thënia e vjetër e Heraklitit Seç m'u kujtua sot për dreq: "Të zgjuarit janë bashkë në botë, Kurse të fjeturit janë veç".
Në ç'ënderr kemi rënë kaq keq, Që dot s'po zgjohemi vallë?... Ca pika shiu ranë mbi qelq Dhe unë për ty seç ndjeva mall
-------------------------------------------- Poezia "Mall" është, pas shumë gjasash, i vetmi rast në krijimtarinë e Kadaresë ku shiu nuk është përdorur si simbol i grisë, por është përftuar në ndërgjegjen kritike të kohës thjesht si shi, i padyshimtë, produkt i natyrës së madhe, fenomen i zakonshëm në botën tonë që quhet tokë, madje, në të kundërtën, jo si shenjë errësire, por si simbol bardhësie, gjë e habitshme kjo për faktin e thjeshtë që tashmë ai përbënte një figurë të paragjykuar. Malli, kjo dhunti përjashtimore e njeriut qysh prej kohëve më të lashta, është i pranishëm në tërë veprën e Kadaresë. Kadare zbuloi mungesën dhe mungesa vetvetiu lind mallin. Ai përjetoi mungesën e atdheut, të qytetit të lindjes, të bisedës së plakave katënxhika në oda me dylbi në duar, të miqve dhe njerëzve të dashur. Ishte malli për gjërat e munguara që e ktheu shkrimtarin e madh nga rruga e kotësisë në atë të krijimit. Fenomeni i mungesës e ka tërhequr Kadarenë që në fillimet e kriiimtarisë. Këtë ai e pohoi edhe shprehimisht me largimin nga atdheu. Poezia "Mall" është, si duket, shprehja më e përkryer e këtij fenomeni. Ndoshta pse malli i saj vinte nga një mungesë jo e largët, përkundrazi, nga një mungesë që të bën të çuditesh. "jetojmë të dy në një qytet dhe rrallë shihemi, sa rrallë!' E prandaj ai mall kryeneç lind këtë poezi të bukur, intime. ---------------------------------------------------------
Malli i Shqipërisë
Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë Sonte, kur po kthehesha me autobuz, Tymi i cigares "Partizani" që pinte dikush Dridhej, kaltëronte bënte spirale, Sikur të fshehta më thosh me gjuhën e shqiptarëve Mua bashkëatdhetarit
Të shikoj dua mbrëmjes në rrugët e Tiranës, Ku kam bërë dikur ndonjë marrëzi. Dhe në rrugët ku s'kam bërë marrëzi. Me njohin ato porta të vjetra të drunjta, Inatin akoma do ta mbajnë, Kokën do ta tundin, Po unë s'do ta marr për keq, Se malli më ka marrë.
Dhe t'eci rrugicave plot gjethe të thara Gjethe të thara gjethe vjeshte, Për të cilat krahasimet gjenden aq lehtë.
Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë; Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë, Për vrapin e kaltër të dallgëve adriatike Për retë që në muzg si kështjella digjen, Për alpet mjekërbardha e mjekërgjelbra, Për netët e najlonta që nga flladet fërgëllojnë, Për mjegullat që si indianë të kuq muzgjeve shtegtojnë.
Për lokomotivat e kuajt, Që të djersitur avullojnë e hungërojnë, Për qiparisat, kopetë, e varret Malli më ka marë, malli më ka marë, për shqiptarët.
Më ka marë malli e së shpejti vij atje Duke fluturuar mbi mjegullat si mbi dëshira, Sa i largët, aq edhe i dashur je, Atdhe.
Aerodromi do të dridhet nga uturima Mjegulla do të rrijë pezull mbi humnera. Ata që shpikën shpejtësinë reaktive Larg Atdheut sigurisht do të kenë qenë ndonjëherë.
Në Leksion
Shi në rrugë bie pa pushim Ç'po mendon atje ti shpirti im? Në atë kënd, e vetme, ç'të mundon? S'mban shënime, vija vizaton.
Tetëmbëdhjetë vjeçe nuk është shpejt që menduar xhamat t'i vëresh duhemi por zemra seç të ndjell Sytë e bukur trembur pse mi hedh?
Koha ikën klasën do kujtosh do të gdhihet befas një mëngjes sytë rreth do hedhësh të shikosh se si derdhet shiu në mes resh Por në bankën pranë s'do ta gjesh djalin që e deshe dhe të desh
Në Parkun që e Mbuluan Fletët
Në parkun q'e mbuluan fletët Të dy ne ecim qetësisht, Pas shijes saj ka shtruar vjeshta Qilim të verdhë natyrisht.
Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë Ju fanit një muzg i vonë Ky park q'e kan' mbuluar fletët Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.
Nga vagabondët me cigare Ti mos u tremb e dashur kot Imazhin tënd as dinosaurët Shekuj më parë s'e shtypën dot.
Që ti të vije kaq e bukur Me këta flokë, me këtë hap Toka të egrën klimë e zbuti Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.
Dhe s'kish se si të ndodhte ndryshe Të ndodhte ndryshe s'kish se si. U desh të zhdukeshin përbindshat Që te kjo botë të vije ti...
Një Vajzë
Duke të puthur, pa të dashur Në shpirt ai ty të plagoi Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu, si vrasës tinëz shkoi
Krenar që ty "të shtiu në dorë" Gjith' shokëve emrin tënd ua tha. Pranë gotës së birrës për ty folën në park, të dielave ata.
Dhe ti e vetme mbete, bosh mbenë sytë e ty në net bilbilash Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi Një katastrofë automobilash.
Tani kur shkon Rrugës së Dibrës Ata me sy të ndjekin pas Pataj me bërryl i bien shokut "E sheh filanen? E ka pas..."
Dhe ti ul kokën shpejton hapin T'arrish tek shoqja sa më shpejt Të përsërisësh fjalët standart: "Ah, njëlloj janë të tërë djemtë"
Të dyja t'ulura pranë radios Do ndizni heshtur një cigare tek supi i saj, nën fjalë lajmesh një çast dremitja do të t'marrë
Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër M'e gjerë, m'e bukur dhe më e re Atje në sfond fabrikash, njerëzit Nga kembët s'do të të venë re.
Atje ku t'ecësh midis turmash Në një grup djemsh, ndoshta midis Dikush me brryl do t'i bjerë shokut: "E sheh filanen? Ishim miq..."
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #11 : Mars 09, 2009, 11:44:52 MD » |
|
Tetor
Ti ike udhës së pafundme Ku zverdhin drurët gjetherënës Mbi gjokse pellgjesh tani tundet I arti medalion i hënës.
Lejleket ikën, fill pas teje Si stof i keq u zbeh blerimi Dhe ngjajnë toka, pylli, reja, Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar Ku nis të fryjë erë e ftohtë, Ku ca mullarë të gjysmuar Duken që larg si Don Kishotë.
Ç'të bëj, po them me vehten time, Në këtë orë të vonë të muzgut, Ku qerrja baltave bën shkrime. Të lashta sa të Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet, Të pi në gjunjë duke rënë, Në grykë e di, do të më mbetet I ftohti medalion i hënës.
Fund Vjeshte
Autobuzët urbanë nga periferitë drejt qendrës mbi xhama bien brymën vjeshta si luaneshë krifëverdhë ruan ditët e fundit nga dimri.
Te vitrinat, tek xhamat e kafeve kalimtarë të shumtë ka në reflekset e flokëve të tua një nuancë e kuqërremtë rà.
Pranë ditëve të tua të bardha, kalova sot rastësisht ti u trembe?...unë ujk nuk jam, as dele nuk jam natyrisht.
Po ti eja andej të shkojmë pa i përfillur fjalët e botës ku nga avulli xhamat e kafeneve ngjajne si pamje që s'janë në fokus
Në autobuzët urbanë eja të kalojmë periferive me brymë, të shohim se si vjeshta krifëverdhë ruan ditët e fundit nga dimri.
Qiell Dimri
Qiell dimri, Dyndje kujtimesh. Unë ndeza një cigare, u afrova te dritarja. Më ngjan, se nuk bien flokë dëbore nga qielli. Por mijëra letra, që kurrë nuk i mora. Letra të largëta, Shkruar nga duar të largëta, Edhe se retë më të largëta.
Të Huaj Jemi
Të huaj jemi ne prej kohësh Ç'ish për t'u thënë është thënë. Si gurët që zënë vend në tokë Një jetë vend ne kemi zënë.
Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur Të gjitha rrugët edhe shtigjet Si dy qytete mesjetarë Me mure, heshta dhe me pirgje.
Por natën kur i lodhur truri Portat i Mbyll me qetësi, Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda Një shteg që vetëm ti e di.
Futesh dhe si n'rrugica parqesh Shetit mes cirkonvolucionesh. Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur, Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.
Po kur mëngjesi zë ofrohet Nis shqetësohesh befas ti. Dhe heshturazi del përjashta Nga shtegu që veç ti e di.
E dita vjen. Rrjedh prap jeta Dhe ne të dy si dhe më parë Të ftohtë rrimë e të pamposhtur Si dy qytete mesjetarë
Ti dhe Hëna
Kësaj nate me hënë të vjeshtës Dola fushës të bredh kuturu Retë shtuhen me vrap pa reshtur Hëna duket aty-këtu
Porsi retë mendimet e mia Po më shtyhen ndër mend më shpesh dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti si kjo hënë që duket mes resh.
Hëna shpejt do të zhduket dhe netët do të mbeten pa të kurse ti në ëndërrimet e mia përjetë perëndim s'do të kesh kurrsesi.
Ti ishe për Mua
Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja Troja që unë dot s'e pushtoja. Ti ishe për mua e pakuptueshme, Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske
Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra T'i përqafoja flokët e dendura. Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja Se gjithë grekët kur ra Troja.
Vetëm në ëndrra m'ishe e kuptueshme, Ti, e shtrenjta ime etruske.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #12 : Mars 09, 2009, 11:50:26 MD » |
|
Ti qave
Ti qave dhe më the me zë të ulët Se unë të trajtoja si prostitutë. Athere lotëve të tu s'ua vura veshin Të desha, pa e ditur se të desha.
Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m'u duk, Athere kuptova ç'kisha humbur, Ç'kisha fituar kuptova gjithashtu.
Më rrezëllinte si smerald mërzija, Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re... Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja Sepse secila m'e bukur se tjetra qè.
Se ish i tillë ky koleksion bizhush Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht, Që njëqindfish etjen për jetën shtonte, Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.
Unë pashë lulet e para
Unë pashë lulet e para që çelen kudo përmbi dhe Pashë zogjtë e parë shtegtarë q'u kthyen sërishmi tek ne
Në brigje, në kopshte, në ara gjithçka është e parë, gjithçka Ndërmend dashuria e parë ato kur i pashë më rà.
Do vyshken të gjitha të parat dhe prap do kthehen ato përveç dashurisë së parë as vyshket, as kthehet ajo...
Varri
Jashtë ngrenë, piramidën e turpit Me ulërima, brohoritje, thirravaj. Dritaret unë i mbylla trishtueshëm, Të mos hyjë zhurmë e tokës, pluhuri i saj.
Shkretëtirë grimcash, parrullash. Saharë plenumesh. Të kërcet Në dhëmbë kuarci i frazave, Të vdekura qysh nga viti '40.
Jashtë ngrenë piramidën e turpit Të murtajës, të hoxhës së zi. Ndërsa unë pranë oxhakut të studios i vetëm mbi varrin e tij.
I thellë ky varr duhet të jetë Që piramidën ta gëlltisë krejt, Që prej gropës së tij të mos dalë As hoxha, as fantazma e vet.
Mih e gërmo ditë e natë Thellohu kon dantesk. Me emrin varrmihës do ta nderroja Prej kohësh emrin poet.
Postuar nga Trebeshina
Ardhja e vjeshtes
E pandryshueshme si perhera Ia mberriti vjeshta perseri, Modifikime avionet paten, Po krahet e zogjve,kurrsesi.
Ndryshim nuk pati as modeli I fletes qe te parku ra. Gjithcka perreth kerkon kujtese Dhe per kujtese mall vec ka.
Te hyrja e teatrit prape U shtyne per bileten e fundit. ne prova regjizori u bertet Njelloj Cezarit si dhe Brutit.
Pas nje rremuje gazmore shqote Si grua e re krehur sakaq, Qe nje karfice ve mes flokesh, Me nje ylber dita u shfaq.
1980
Fluturimi i patave te egra ne forme"V"
E krijuan germen E vetme qe dine: V-ne superbe Dhe u nisen fluturim.
Dicka lene pas Dicka marrin mbi re. Faleminderit,pata, Per aq sa bete per ne.
Me nje germe te vetme Ne qiellin e madh Sa nje raft librash Na zgjuat mall.
1980
Renia e debores
Ty ndoshta nuk te shkoi ndermend Se qielli rastesisht s'u mbyll Se kjo debore qe shtroi kudo Ne te vertete ra per ty.
U projektua cdo kristal I saj ne qiell te madh diku Dhe nuk pushoi se reni ajo Gjersa i gjeti floket e tu.
Qe ti ta shkundje me nje gjest Shkujdesshem krejt e gjithe gezim Nje nate te tere qielli punoi me ernat ne bashkepunim.
Dhe ne mengjes i zbehte ai, I ftohte hapej madherisht, ndersa shetisnim ne te dy Nen altruizmin e tij te hirte.
1980
Mars
Ajri ngrohet nga pak Po mbasditeve ben fresk. Mberijne zogjt befas Si me teleks.
Ne lajmet e botes Ka shqetesim jo pak. Mbi catine e shekullit Nje ylber rri nderkaq.
Si mengjes i bruzte. Pa ankthin qe iu prish Vjen fundi i mijevjecarit Pa apokalips.
1981
Ftohja e tokes
Me buje qiejt gatiten per dimerim.
Pleqte thone:dimeron ne toke e jo ne qiell. Ruaju nga dimri i tokes, Nga e thjeshta, E ftohta e saj, E tmerrshmja.
1979
Sapuni "Ledi Makbeth" Antireklame
Ka katerqind vjet Qe duart ajo lan Me sapune gjithfare markash "Lux","Camay".
Por asnje prej tyre Nga duart dot s'ia heq Njollat e gjakut Ledit Makbeth.
Cdo nate ne TV Reklama gjithfaresh, Sapuni gjakshlyes Do te shpiket valle.
Perpara ekranit, Ledi, ti pret me kot. Bimesi e globit Me kot u lodh.
U lodhen mendjet E shpikesve ne bote S'do te shpiket kurre Ai sapun kob.
Ne qofte se ky planet Ka nje grusht cilesish, Nje nder me te cmuarat Eshte kjo,natyrisht.
1987
Kercenimi
Shtat'qind vjet kam per ti djegur kullat, Do te t'i vras qente shtat'qind vjet. Keshtu Mujo me modesti pat deklaruar, Ndersa eposi po hynte ne shekullin e tete.
Erdh'pas tij i nenti,i dhjeti radhaz. Sa ngadale ne epos mllefi del... Shtat'qind vjet kam per ti djegur kullat, Do te t'i vras qente shtat'qind vjet.
1986
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
J@mes
|
 |
« Pergjigje #13 : Shtator 08, 2009, 06:39:00 PD » |
|
Kadare, Shqipëria dhe "Poshtërimi në Ballkan"
TIRANE
Poshtërimi i popujve, veçanërisht i popullit shqiptar, shkaqet dhe pasojat që sjell ky fenomen, përbëjnë objektin e librit më të fundit të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. "Poshtërimi në Ballkan" e ka titulluar Kadare librin në fjalë, tek i cili personazhet, konfliktet dhe ngjarjet nuk vijnë me anë të figurave letrare, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk është fjala për një roman, por për një esse, që Kadare ka preferuar ta quajë sprovë. "Poshtërimi i popujve, shkruan Kadare, sjell dy të këqija madhore. E para, e çon popullin viktimë drejt katastrofës. E dyta, e egërson viktimën duke ia shtrajtuar karakterin gjer në atë shkallë sa ta shtyjë drejt shkërbimit të xhelatit të vet". Duke dashur të shtjellojë pikërisht këtë përkufizim, Kadare sjell shembuj konkretë poshtërimi të shqiptarëve. Duke nisur kështu që nga incidenti apo "shpërthimi i pezmit antishqiptar në krahinën e Himarës", më pas "me dyshimet e hedhura mbi prejardhjen e Nënë Terezës" e së fundi, një emision televiziv ku disa përfaqësues të pakicave kombëtare në Shqipëri arritën deri aty sa "kërkuan shpalljen e Shqipërisë si vend shumë-kombësh". Në librin e tij, Kadare argumenton se përse "Shqipëria paraqitet sot si një vend që nuk e duan", "lehtësinë për ta çuar atë drejt otracizmit (veçimit)", "lehtësinë për të shtuar problemet e paqëna" etj.
Viktimizimi, një nga pasionet e ballkanasve
Në të gjitha acarimet ballkanike poshtërimi ka pjesën e vet. Ai lidhet me viktimizimin, një nga pasionet kryesore të ballkanasve. Zakonisht të gjithë hiqen viktima, madje xhelatët më fort se të tjerët. Në rrethana të tilla çështja e poshtërimit dhe bashkë me të ajo e viktimizimit, janë tepër delicate në këtë zonë të Evropës. Rrjedhimisht, rënia e kambanës për poshtërim kërkon një përgjegjësi të lartë morale. Një kushtrim të rremë nuk e ndan veçse një hap nga thirrja për krim kundër tjetrit… Historia ballkanase në përgjithësi, e me të bashkë, historia shqiptare, duhet të zhvishen sa më parë nga madhështitë e rreme hijerënda, apo nga idilet rozë, po aq të rreme. Ajo duhet të pastrohet nga pluhuri që mbulon të vërtetën, nga pudra që përpiqet të mbulojë turpin, nga joshja për cubnitë dhe nga krejt kultura e krimit e paraqitur si kulturë herioke. Vetëm kjo shpëlarje do ta ndihmojë Ballkanin të kthjellojë në fillim ndërgjegjjen, e fill pas asaj mendësinë e vet. Gadishulli ynë, më shumë e më ngutshëm se kurdoherë ka nevojë sot për të vërtetën. Popujt e Ballkanit nuk duhet të kenë frikë nga e vërteta, sepse pavarësisht nga prapësitë që kanë bërë me shumë zell, ka gjasë të kenë megjithatë një bilanc të përgjithshëm pozitiv." (Gazeta Shqiptare, 27.01.04)
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
Gresa Pirana
|
 |
« Pergjigje #14 : Tetor 01, 2009, 04:37:27 MD » |
|
Letërsia e gjuhës së ndaluar (Ismail KADARE)
Shkrimi i ndaluar në pesëqind vjet pushtim osman dhe krijimi i një race shkrimtarësh nën komunizëm që mbajti në këmbë metodën e realizmit socialist. Ja dy ndodhitë fatale kur autoritetet kanë vepruar kundër letërsisë. Kjo është një lectio magistralis, "Letërsia e gjuhës së ndaluar", që shkrimtari Ismail Kadare lexoi pak kohë më parë në Universitetin e Palermos, me rastin e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa.
Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin "Doctor honoris causa", gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor. Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë.
Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t'i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.
Në thelb nuk ka ndonjë gabim kushedi çfarë. Shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence. Rrjedhimisht, trajtimi i kësaj shtypjeje mund të bëhej në të njëjtin stil.
Të gjitha rendet autoritare në botë kanë patur probleme me letërsinë. Në të gjitha rastet është letërsia që, në fund të fundit, ka ngadhënjyer. Ndërkaq, duhet thënë se nga të gjitha rendet, i vetmi që iu afrua fitores kundër letërsisë ka qenë komunizmi. Është folur shumë për këtë, ndaj nuk do të zgjatem.
Do të kujtoj vetëm pyetjen që është bërë shumë herë: a ka shpikur komunizmi ndonjë armë të re, një armë që do të ishte fatale kundër letërsisë?
Përgjigja është po. Është përdorur vërtet një shpikje e re. Komunizmi ishte i pari rend në botë që e kuptoi se letërsia e madhe nuk pësonte asgjë, as prej censurës, as prej burgjeve e as prej tmerreve të tjera. Për ta vënë në gjunjë përfundimisht duhej diçka tjetër.
Kjo shpikje e re ishte krijimi i një race të re shkrimtarësh, një racë që me duart e veta do ta prishte artin e fjalës. Me fjalë të tjera, për të perifrazuar Josif Brodskin, nuk ishte e nevojshme të rrënohej drejtpërdrejt ngrehina e letërsisë, mjaftonte të prisheshin tullat, pra lënda me të cilat ajo ishte ngritur. Kështu, me tulla të sabotuara, ngrehina vetvetiu do të binte. Kjo zgjidhje radikale u arrit vetëm pjesërisht, nëpërmjet atij që u quajt "realizëm socialist".
Përse nuk triumfoi përfundimisht? Çfarë nuk mjaftoi? Mosha e sistemit, ndoshta?
Ka gjasë të ketë qenë kjo e fundit. Komunizmi, dihet, ka pasur dy mosha, njëra 70-vjeçare, që e arritën vetëm dy shtete, Bashkimi Sovjetik dhe Mongolia dhe drejt së cilës po ecën Kuba me Korenë e Veriut. Dhe mosha tjetër 45-vjeçare, që është pak a shumë ajo e vendeve të Europës Lindore, ku hynte edhe vendi im, Shqipëria.
Në historinë e njerëzimit, ajo që e përmenda si "zgjidhje radikale për letërsinë", ka pasur edhe një version tjetër tepër të rrallë e tepër të lemerishëm. Ky version nuk ka lidhje me komunizmin, por me një tjetër fatkeqësi: sundimin osman.
Ju e dini këtë sundim. Ai u shtri mbi krejt Gadishullin Ballkanik. Ai vuri nën vete dhjetëra popuj, gjuhë, kultura. Ai e shkëputi Ballkanin nga Europa, synoi pushtimin e qendrës së Europës në veri dhe gadishullin tuaj italian, në perëndim.
Ashtu si në rastin e komunizmit, edhe në rastin e pushtimit osman, vendi im, Shqipëria, kurrsesi nuk mund të pretendojë se ka qenë një viktimë e vetmuar. Ajo ra nën atë sundim bashkë me gjithë popujt e Ballkanit.
Ajo vuajti të njëjtin ferr. Meqenëse e përmenda moshën e komunizmit, po theksoj se koha e sundimit osman për nga gjatësia mund të quhet pa frikë infernale: pesëqind vjet.
Tingëllon e pabesueshme, dhe është vërtet aq e pabesueshme, saqë kohët e fundit, revizionistët e historisë kanë ngritur tezën se një pushtim kaq i gjatë nuk mund të quhet pushtim. Ata janë duke kërkuar një emër tjetër, më të ndryshëm e, sidomos, më të përshtatshëm me vizionin e sotëm europian për pajtimin e popujve.
Me gjithë përpjekjen për mirëkuptim, personalisht nuk besoj se do të gjendet një tjetër fjalë për të zëvendësuar fjalën pushtim. Ashtu siç nuk ka ndodhur për fjalën "vdekje", e cila ndonëse është shumë më e gjatë se çdo pushtim, vazhdon të quhet, ashtu si dhe më parë, "vdekje".
Tërhoqa vëmendjen tuaj për kohëzgjatjen pesëqindvjeçare të pushtimit osman, jo për të rritur dramacitetin e diçkaje, të cilit dramaciteti i del dhe i tepron, por thjesht për të ardhur prapë te problemi që përmenda më lart, ai i zgjidhjeve radikale të problemit të letërsisë. Është fjala për një tjetër zgjidhje radikale, dy herë, ndoshta dhjetë herë më të lemerishme: ndalimin e vetë shkrimit.
Po e them qysh në krye: nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, ajo që unë përdor, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet.
Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë. Përse? Si u gjykua më pas, përse nuk ndryshoi me kalimin e shekujve, si vazhdoi gjer në fund, në çastet kur perandoria plakë po jepte shpirt?
Këtyre pyetjeve e kam vështirë t'u përgjigjem. Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim.
Në kronikën botërore të arsimimit, nuk besoj se gjenden raste kur mësues e vocërrakë, të kapur tek mësonin në fshehtësi shkrimin e gjuhës, masakroheshin aty për aty pa mëshirë dhe pa pendim.
Çfarë mund t'i ndodhë një gjuhe që pëson një lemeri të tillë?
Ç'ndodh brenda saj, në thellësi, atje ku vërtiten mekanizmat? Si bashkëjetojnë veglat e gjalla me ato që njëra pas tjetrës vdesin? Vetë gjuha si mbahet në këmbë, si zbutet apo egërsohet? Ç'cilësi fiton, apo humb? Cilësi engjëllore apo më shumë demoniake?
Gjer më sot nuk kam ndeshur në studime që të merren me këto çështje. Thjesht mund të përsëris se jam njëri prej shkrimtarëve që kam përdorur këtë gjuhë. Dhe tani më lejoni të flas diçka më tepër për të. Më saktë, të rikujtoj disa shënime që i kam marrë vite më parë, në një periudhë jo të lehtë, jo vetëm të jetës s'ime, por të gjithë popullit që i përkas.
"Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit." Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.
Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462.
Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër.
Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.
Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther. Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi "këngën e përshpirtshme", vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:
Gjithëve u thërres, kush do ndejese, Të mirë të kreshté, burra e gra Mbi fjalë të Tinëzot të shihni meshe Se s'ishte njeri nesh që mkate s'ka.
Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër.
Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur.
Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.
Shumë kambana ranë e u mbytën në det. Ende dergjen atje, në terr e në ndryshk Me gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë, E q'ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.
Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s'është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s'qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s'ishin më ata që kishin qenë.
Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s'ribëheshin më.
Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit.
Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë.
Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullimë drite, makina e lashtë u trand përsëri.
Kishte qenë përherë aty, por disi jashtë vëmendjes, sidomos qysh nga koha që shqiptarët kishin mësuar të shkruanin, madje të botonin edhe libra në gjuhën latine, si gjithë evropianët e ditur. (Njëri prej tyre, prifti shkodran, Marin Barleti, qe përkthyer ndërkaq në krejt gjuhët e Evropës.) Pra, makina kishte qenë aty, veç tani, në ditët e apokalipsit, u duk se sa shumë i duhej këtij vendi.
Por ajo, si çdo makinë e këtij lloji, kishte teknologjinë e saj trillane: nuk punonte dot veç me brumë të lashtë. Ishin ligje misterioze të trashëguara që në kohërat homerike. Sytë e rapsodëve, ndërsa qenë të veshur për gjashtëqind-shtatëqind vjetët e afërt, shikonin shkëlqyeshëm, përtej tyre: shtatëqind e pesëdhjetë, tetëqind, një mijë vjet.
Dhe kështu, ndërsa Shqipëria po jetonte një tragjedi të re, ata, të verbër ndaj saj, iu rikthyen një tragjedie të kryehershme, dyndjes sllave.
Poshtë në rrafshultë, ndiheshin ndërkaq tek-tuk ca kambana të rralla, regëtinin ca zjarre, një këtu, një aty, nëpër famullitë gjysmë të shkreta. Diku midis viteve 1566-1622, një tjetër prift katolik, Pjetër Budi, shkruante vargjet:
Ku janë ato gra e vasha nde sqimë e nde madhështi me petka të mëndafshta nalcuom mbë zotërij? Gjithë mortja i rrëzoi Sikur i pret me shpatë...
Ato të kujtonin çuditërisht vargjet e François Villonit: Ku janë zonjat e dikurshme Ku është bora e vitit që shkoi?
çka dëshmonte se ciklonet poetike e kanë përshkruar rruzullimin tokësor edhe atëherë kur dukej se gjithçka ishte ndarë dhe se ndërkomunikimi midis poetëve ishte i pamundur. Pas Pjetër Budit, në letërsinë shqipe erdhi Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botë shqiptare.
Ai ishte poet, filozof e dijetar i madh. Në gjithë veprën e tij ndihet mundimi, lodhja e një titani. Ka gati dyqind vjet që Shqipëria ndodhet në natën osmane.
Pra ajo është ende afër mesnatës (ora e mesnatës duhet të bjerë pas pesëdhjetë vjetësh, përderisa nata e gjithë do të jetë e gjatë pesëqind vjet). Pavarësisht se askush nuk e di se në ç'pjesë të natës ndodhet vendi, poeti e ndien.
Ai e ndien se nën peshën aziatike, bota shqiptare jep çdo ditë krisje e pëson shembje. Feja është një nga ledhet e para që trandet.
Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në veri dhe kretasit në jug, bëjnë kthimet e para në fenë islamike.
Janë tepër të vjetër dhe janë lodhur nga krishterimi? Ashtu siç qenë ndër të parët që të lodhur nga paganizmi kishin marrë krishterimin? Askush s'mund ta shpjegojë gjer në fund enigmën.
Pjetër Bogdanit, që është peshkop katolik, i dhemb pa dyshim kjo çarje. E bashkë me të i dhembin shumë gjëra të tjera, krejt universi shqiptar që shkon drejt teposhtjes.
Ai e ndien se po irnosen ngjyrat e veshjeve, po zvarget si e damllosur muzika, madje lëvizjet e shqiptarëve po flashken edhe në trutë e tyre pikë-pikë po depërtojnë përftimet orientale: "javashllëk" dhe "kismet".
Ai e ndien madje se edhe gjuha shqipe, sado sipërane e tigreshë të ishte në krahasim me turqishten, po lodhej prej goditjes së shurdhër të bishtit të tjetrës.
Ai i ndien të gjitha këto, ndaj vendos të ndërmarrë diçka titanike: t'i vërë supet botës që rrezikon të shembet. Kjo kushtëzon përftimin si prej galaktike të veprës së tij, universalizmin e saj, vizionet planetare dhe sidomos motivet kozmogonike.
Këto të fundit e mahnitnin veçanërisht Lasgush Poradecin. Duke kujtuar njohjen e tij të parë me veprën e Bogdanit, ai shkruan: "Kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht.
Kozmogonia e të Madhit Shqiptar u bën ballë, me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogoninë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenjta".
Titanizmi, ashtu sikurse dhe katastrofa, do të shfaqen herë pas here në letërsinë shqipe, njëlloj si ciklet kozmike. Ato do të shfaqen gjatë Rilindjes Kombëtare me Naim Frashërin. Ato do të rishfaqen në fund të shekullit XX gjatë dramës së Kosovës, që ende mban erë shkrumb.
Pjetër Bogdani është nga Kosova, por s'është kjo arsyeja kryesore, që vepra e tij është studiuar më mirë atje. Arsyeja e thellë është se pikërisht atje u përsërit tragjedia e vjetër. Ashtu si në epikën gojore shqiptare makthi turko-osman ringjalli dyndjen sllave, ashtu në letrat kosovare, makthi sllavo-serb ringjalli dyndjen osmane.
Shkreptima idesh i karfosnin harmonikisht letrat shqipe, ato që duke lindur me formulën e shenjtë të pagëzimit kanë mbyllur ciklet e ringjalljes me një tjetër formulë të shenjtë: Shqipëria u ngjall së vdekurish.
Në mbyllje të kësaj fjale do të doja të kthehesha përsëri te fillimi i saj: ndalimi i shkrimit të gjuhës shqipe.
Ç'do të bënin shkrimtarët e mundshëm (potencialë) shqiptarë me një gjuhë të tillë? Zgjedhjet nuk ishin të shumta. Dhe, veç kësaj, të gjitha ishin të trishtueshme. E para gjë që të vjen ndër mend në kësi rastesh është heqja dorë prej një prej pasioneve më të vjetra të njerëzimit: krijimit letrar.
Dhe, shumica e shkrimtarëve të mundshëm shqiptarë bënë pikërisht këtë: e braktisën artin e të shkruarit. Ne nuk e dimë dhe as mund ta dimë numrin e tyre. Ne dimë me saktësi vetëm një gjë: që humbja e kulturës shqiptare ishte e pandreqshme.
Një zgjedhje tjetër, më tepër iluzore se e vërtetë, ishte rikthimi i shkrimtarëve në traditën e vjetër rapsodike të letërsisë gojore. Ndërkaq, duhet thënë se, pavarësisht glorifikimit që i bëhet shpesh kësaj tradite, ajo mbetet përherë e mangët në krahasim me letërsinë e shkruar.
Një zgjedhje e tretë, në thelb e pikëllueshme, ishte përdorimi i gjuhëve të tjera për t'u shprehur, kryesisht latinishtja e pas saj, gjuhët e tjera europiane.
Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë u strehua kështu në gjuhë të tjera, duke i dhënë fjalës emigrim një tingëllim dyfish dramatik. Një letërsi e tërë u krijua kështu nga ata që u cilësuan si shkrimtarë katolikë të veriut, letërsi e fuqishme, brenda kostumit latin të së cilës ndihej drama shqiptare.
Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi.
Në këtë brumë, gjuha shqipe zinte një vend minoritar. Si në një pasqyrë dukej qartë se si ajo po jepte shpirt e asfiksuar prej shtrëngimit të një tjetër gjuhe që, jo vetëm ishte gjuhë e pushtuesit, por që nuk ishte as e familjes indoeuropiane. Në kushte dhe dilema të tilla, shkrimtarët shqiptarë u vërtitën një kohë tepër të gjatë, si tigrat në kafaz.
Një zgjidhje të fundit, nga ato që krijon vetëm dëshpërimi, do të merrte shkas ndoshta nga një model i vjetër, dhe pikërisht nga fraza e parë e gjuhës shqipe të shkruar, formula e pagëzimit, që përmenda në pjesën e parë të fjalës s'ime. Kjo formulë, e hartuar, siç thashë, më 1462-shin prej peshkopit shqiptar të Durrësit, gjendet brenda një teksti latinisht.
Shkrimtarëve shqiptarë nuk u mbetej veçse ky model: të strehonin tekste të kursyer shqip, brenda teksteve të gjuhës latine, të cilën nuk e kapte dot ligji osman. Me fjalë të tjera, të shpresonin që ca modele të gjuhës së tyre të rrezikuar, t'i strehonin për mbrojtje në trupin e ftohur të një gjuhe që nuk frymonte më.
Më lejoni ta mbyll fjalën time me këtë përfytyrim, që sa ç'duket tragjik, aq është edhe mallëngjyes në simbolikën e vet.
Simbolikën e shpëtimit që gjuha e popullit tim ka kërkuar te gjuha, që vërtet nuk ishte më e gjallë, por pa të cilën nuk mund të përfytyrohet qytetërimi europian. ikub
|
|
|
|
« Ndryshimi I Fundit: Tetor 02, 2009, 12:41:53 MD nga J@mes »
|
Identifikuar
|
|
|
|
|