psikologji.net
Shtator 03, 2014, 02:57:50 PD *
Miresevini, Vizitor. Ju lutemi identifikohuni ose regjistrohuni.

Identifikohuni me emrin, fjalekalimin dhe kohen e identifikimit
Njoftime: Lexoni materiale të ndryshme në: Psikologji - Gjithçka nga www.Psikologji.net <> Për të pasur të drejta dhe akses të plotë në të gjithë forumin, ju duhet të regjistroheni së pari. Për t'u regjistruar klikoni këtu: Regjistrohuni. Për çdo problem mund të na kontaktoni në: eldi@psikologji.net
 
  Kreu Forum Ndihme Kerko Kalendari Shop Identifkohuni Regjistrohuni  
Faqe: [1]   Shko Poshte
  Printo  
Autor Teme: Petro Marko  (Lexuar 3449 here)
0 Anetare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.
J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« : Mars 10, 2009, 12:01:27 PD »

Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi - Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Petro Marko lindi në fshatin Dhërmi të Himarës më 1913. U shkollua në vendlindje dhe në Vlorë. Pak kohë studioi në Athinë. Që kur ishte nxënës i shkollës tregtare në Vlorë (të cilën e kreu në vitin 1932, filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra). Petro Marko ka një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqiptare. Deri në vitin 1936 ai punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23 vjeçare u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internazionale. Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do të burgoset nga italianët, që aso kohe e kishin pushtuar Shqipërinë, dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin '44, Petro Marko do të marrë pjesë në rradhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi" në Tiranë, por shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rrjesht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t'i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kryesisht nga Beogradi.
Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që e kanë njohur nga afër Petro Markon e kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai e përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet "Hasta la vista"(1958) dhe "Qyteti i fundit"(1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet '70 ai do të shkruajë romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm "Nata e Ustikës"(1989). Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit" në vitet '60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese, por përkundërazi për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet '40, '50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.
Krahas kësaj prirjeje të brendëshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore dhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.
Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triunfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendëshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. (letersia/fajtori)
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #1 : Mars 10, 2009, 12:11:05 PD »

Petro Marko

Dashuria ne ditarin e burgut



E shikoj me atë mall që unë vetëm e kam ndjerë dhe ajo lëvis tani, lëvis krah’ e këmbë e sy e flokë e trup... dhe sikur &nbsp;kërkon të hajë hekurat me dhëmbë, të futet brenda, të më përqafojë fort e të më rrëmbejë e duke më thënë “eja Petrolino im, &nbsp;se goçja jote është vetëm dhe...” të ikim bashkë që të dy e t’i thërrasim qiellit dhe tokës dhe erës... “mjaft më!”. Neve &nbsp;jemi të pafajshëm! Lërnani të numërojmë rrezet e diellit! Lërnani të vazhdojmë se numëruari yjt e jetës! Lërnani të lozim &nbsp;me ngjyart e ylverit dhe me tingujt e Lumturisë, se ne dashurohemi, se ne duam Jetën, e duam Lirin’ e jetës, lirin e të &nbsp;gjallëve...”

 
Nga ADMIRINA PEÇI

Zbulohet ditari i burgut

Në arkivin e familjes së shkrimtarit kemi zgjedhur këtë dorëshkrim në formë ditari kushtuar gruas së jetës së tij, Safo &nbsp;Markos. Në të janë ndjesitë, përjetimet, ëndrrat, kujtimet, brengat, ndonjëherë dyshimet e paqëllimta, një mall i pazakontë &nbsp;që shtrin krahët përgjatë gjithë rrëfimit... Në të janë shkrimtari dhe artistja. Petro dhe Safo, si të ishin një person i &nbsp;vetëm.

Një bllok i vogël që fsheh brenda një himn dashurie. Një rrëfim i pazakontë. Rrëqethës. I shkru ar nga Petro Marko në vitet &nbsp;1947-1950, në një prej qelive të burgut të Tiranës. Fatmirësisht ky dorëshkrim i rrallë i ka shpëtuar zhdukjes, siç ndodhte &nbsp;rëndom në burgjet e diktaturës shqiptare. Në të janë ndjesitë, përjetimet, ëndrrat, kujtimet, brengat, ndonjëherë dyshimet &nbsp;e paqëllimta, një mall i pazakontë që shtrin krahët përgjatë gjithë rrëfimit... Në të janë shkrimtari dhe artistja. Petro &nbsp;Marko dhe Safo Marko, gruaja e jetës së tij. Si të ishin një person i vetëm. Nuk është publikuar kurrë i plotë. Dhe nuk ka &nbsp;dalë asnjëherë nga shtëpia e shkrimtarit, ku sot, vajza e tij Arianita dhe Safo, e ruajnë me fanatizëm. Kapaku i trashë &nbsp;prej kartoni, i zverdhur e me njollat e kohës mbi të, mban përsipër inicialet e emrave të tyre. P.S. (Petro dhe Safo) &nbsp;shkruar me të kuqe. Dy shkronja që ndërthuren me njëra-tjetrën, e që e ftojnë lexuesin që ka fatin ta marrë nëpër duar këtë &nbsp;bllok, tek faqja e parë brenda tij. Në faqen e parë, në krye dallon emri i shkrimtarit. Poshtë tij një titull brenda &nbsp;thonjëzave: “Bisedime me Safolinën”, dhe pak më poshtë Petro Marko vizaton hekurat e burgut, për të vendosur më pas në mes &nbsp;tyre titullin e këtij dorëshkrimi “Takimi i parë”. Në të vërtetë ai ishte takimi i vetëm që ata patën në burg...

***
Më 15 maj 1947, Petro Marko u burgos me akuzën për spiunazh tek të huajt. Atë natë ndodhej në shtëpinë e Safos dhe nënës së &nbsp;saj. Ishte mesnatë kur trokitën. Të atilla ishin arrestimet e intelektualëve atëkohë. Thuajse të gjitha në mesnatë. Një &nbsp;kontroll i imët e me ritme të çmendura në gjithë shtëpinë e vogël dhe mandej hekurat në duart e shkrimtarit. Atëkohë kur e &nbsp;arrestuan ai ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Sapo kishte ardhur nga Spanja, kishte qenë partizan, ndërkohë miqtë e &nbsp;tij ishin futur tashmë në burg. Safo e kujton ende tronditjen e thellë të asaj nata. Nuk mundën të shkëmbejnë asnjë fjalë. &nbsp;Vetëm Petro mundi t’i thoshte: “Më beso se jam i pastër si kristali”. Iku nëpër natë dhe Safo nuk mundi ta shohë më. Prej &nbsp;asaj nate, nisën mungesat, vuajtjet, akuzat e pafund dhe torturat çnjerëzore. Safo shkonte çdo ditë atje. E kërkonte, por &nbsp;askush nuk e ndihmonte, qoftë edhe për ta parë një herë të vetme. I çonte ushqimin që e përgatiste nëna e saj. Merrte &nbsp;rrobat e Petros, të cilat nëna nuk e lejonte t’i shihte. E ç’të shihte? Ishin mbuluar në gjak, prej torturave. Por sërish &nbsp;ajo ngulmonte. Kalonte portën e burgut me ushqimet në dorë, pyeste në mund të takohej me të, sërish pyeste e pyeste… Nga &nbsp;ana tjetër në qelitë e burgut, shkrimtari nuk dinte asgjë për të dashurën e tij. Nuk dinte sa e lënduar ish, sa e trembur, &nbsp;sa po vuante… Derisa një ditë, nga një cep i një dritareje përkundruall, prapa hekurave ai mundi të shquante siluetën e &nbsp;saj. E pa tek kapërceu portën e burgut dhe u fut në oborr. Në trup ndjeu gjakun të rendë me shpejtësi drejt zemrës. Nuk &nbsp;mundi t’i fliste. Nuk mund ta prekte. Mundte veç ta kundronte nga ai cep prapa hekurave. Ishte data 23 prill 1948. Një datë &nbsp;që ai do ta mbante mend gjithë jetën. Prej asaj dite, ai e ndjente, e dinte, kur ajo do të shfaqej në portën e burgut me &nbsp;ushqimet në dorë. Dhe niste mandej një rrugëtim të gjatë në kujtime, në ëndrra. Dhe fliste me Safon, pa qenë ajo aty. Edhe &nbsp;pse në burg, në mungesën e plotë të lirisë, ai mund të “arratisej” përmes kujtimeve e të rendte në rrugët ku kishin ecur &nbsp;bashkë, në zyrën e gazetës “Bashkimi” ku u panë për herë të parë, në atë takimin e paharruar kur e pyeti; “Je e fejuar?”, – &nbsp;Jo, i tha Safo. Pastaj ai e pyeti sërish: “Je e dashuruar”? Sërish jo. Atëherë ai i tha; “do bëhesh gruaja ime”. Ai kujton &nbsp;atje në qeli, i lodhur e i dërrmuar të qeshurën e saj. Kujton se si u takuan sërish, kur Safo i tha të njihte nënën e saj, &nbsp;e kur ai pa e zgjatur ia behu në derën e shtëpisë, i ngarkuar plot me dhurata…

***
Është fundi i vjeshtës 1948. 3 nëntor. Atë ditë ai mundi të takohej për herë të parë me gruan e jetës së tij, atje në burg &nbsp;me hekurat që i ndanin. As e kishte menduar se ai takim do të ndodhte. Ishte takimi i tyre i vetëm në ato tre vite burg. &nbsp;Kujton momentin kur i thanë: “Do të takohesh me shoqen tënde”.

Sjell ndër mend ardhjen e berberit, e cili “më rrojti me të shpejtë”, tek i sollën një xhaketë dhe po “e stolisnin”. Kujton &nbsp;hapat në korridoret e ftohta, që ka matur me lot e gjak. Shkallët që ka ngjitur dhe derën me dy palë hekura. Dy palë hekura &nbsp;me distancën 2 metra në mes. Matanë hekurave e priste Safo. Pranë tyre 5-6 roja. Njëri prej tyre u thotë të flasin. Por &nbsp;çfarë mund t’i thotë ai asaj? Një lëmsh i është mbledhur në grykë. Çfarë thanë? Mundën të thoshin vetëm: “Si je? A je mirë? &nbsp;Mirë! Po ti si je? Mirë, fare mirë…” Sa gjëra kishte ai për t’i thënë? Mijëra fjali që kishte endur me mend, në kushtet e &nbsp;mungesës së saj. Mijëra prekje që kishte ëndërruar, mijëra puthje që s’mund t’ia jepte.

***
Ky është takimi i tyre i vetëm. Njëkohësisht, është boshti i këtij ditari, i këtij rrëfimi intim, ku monologët dhe &nbsp;përshkrimi i ndjesive mbretërojnë deri në faqet e fundit. Aty ku ai shënon: “E shkruajta për ty Safolina ime. Petro yt. 5 &nbsp;Maj 1950”. Dhjetë ditë më vonë do të dilte nga burgu. Rrethanat e kishin shpëtuar nga dënimi kapital. I kishte shpëtuar &nbsp;fundit tragjik, fundit që s’mundën t’i shpëtojnë shumë miq të tij. Ditët më pas? I përjashtuar dhe i lënë krejtësisht në &nbsp;harresë. Për shumë kohë. I papunë. I refuzuar...Por ishte në liri dhe pranë gruas së jetës së tij. Pranë Safolinës.

***
Safo është veshur bukur. Është një prej ditëve të para të nëntorit 2008. Nga takimi i tyre i parë në burg, kanë kaluar plot &nbsp;60 vjet. Ajo e kujton si sot...

Më pret bashkë me Arianitën, vajzën e saj. Kanë nxjerrë nga arkivi i familjes këtë bllok të vogël, ku ai takim i para 60 &nbsp;viteve përshkruhet me imtësi. Ma tregojnë. Kur e marr në duar, Safo lëviz nga vendi. Mjekra e vogël i dridhet. Edhe zëri. &nbsp;“Kujdes, më thotë. Është e Petros. Mos ma humb….!” Pastaj afrohet dhe tregon me gisht inicialet e tyre me të kuqe në &nbsp;kapakun prej kartoni të bllokut. “Jam unë me Petron”, - thotë. Dhe hesht. Pastaj me zërin që i dridhet sikur vajton: “Petro &nbsp;im… Ku është Petro? Petro ka vdekur… Është nën dhe…”. Dhe sytë i mbushen me lot të mëdhenj. Dhe kujton sa ka vuajtur. Sa &nbsp;kanë vuajtur të dy. Përhumbet, me vështrimin ngulur në një pikë të padukshme. Dhe mandej… Duket sikur i përkëdhelet sedra, &nbsp;kur nis të lexoj me zë një pasazh nga dorëshkrimi ditar. “E ka shkruar për mua. E ka shkruar në burg. Atëherë kur s’mund të &nbsp;më takonte, të më fliste…”

***
Nëntori i këtij viti, shënon dhe një përvjetor tjetër për shkrimtarin Petro Marko. 95- vjetorin e lindjes së tij. Bashkë me &nbsp;këtë bllok që duket është kujtimi më i shtrenjtë që Safo ruan nga thesaret Petros, përzgjedhim dhe disa nga kujtimet e &nbsp;fëmijërisë. Janë kujtime që ai ka hedhur në letër vite më vonë, e mandej iu është rikthyer sërish, e sërish, sa herë ka &nbsp;ndjerë se ai “fluturim” në të shkuarën mund ta largonte sado pakëz nga disfatat që i solli jeta. Pas këtij dorëshkrimi në &nbsp;formë ditari, “Milosao” do të botoje dhe disa shënime të tjera që shkrimtari ia kushton Safos si dhe një varg kujtimesh nga &nbsp;fëmijëria e hershme e shkrimtarit.

Njohja e Petros me Safon

Safo e kujton si sot njohjen e tyre. Ajo thotë se janë parë për herë të parë në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, ku Petroja &nbsp;punonte atë kohë. Ka qenë viti 1945. Safo thotë se atë kohë kishin dërguar një letër rekomandimi, për të gjetur një punë &nbsp;për të, duke u nisur nga prirjet e saj artistike. Atë letër shkrimtari e ka ruajtur deri në vdekje. Safo e kujton Petron si &nbsp;një djalosh shumë simpatik dhe i veshur bukur. E kishte parë edhe herë të tjera në bulevard, në shëtitjet e famshme të saj &nbsp;kohe. Safo kujton se që në momentin e parë kur janë parë ai e ka pyetur: Je e fejuar? Dhe Safo i ka thënë, “Jo”. Pastaj ai &nbsp;ka bërë një tjetër pyetje: “Je e dashuruar”. Dhe Safo sërish i ka thënë “Jo”. Dhe Petro Marko ka bërë një deklaratë të &nbsp;guximshme: “Atëherë ti do të bëhesh gruaja ime”.

Safo:

Takimi në burg Safo e kujton si sot takimin e vetëm që ata patën në burg. Ndryshe nga Petro, ajo ka pasur të tjera &nbsp;përjetime. Ishte në ankth. E dinte se e torturonin, E dinte se rrobat e tij gjithmonë ishin të gjakosura. Kishte kaluar një &nbsp;vit e gjysmë dhe nuk e kishte parë asnjëherë. Ditën e 3 nëntorit 1948, Safo pa që djaloshi i saj i bukur ishte krejtësisht &nbsp;i shkatërruar, i dobësuar, i torturuar. Kishte frikë mos i kishin thyer këmbët a duart. Ndaj i thoshte që të lëvizte pak sa &nbsp;për ta parë. “Kur e pashë u tmerrova. Nga gjithë ai çun i bukur, i pashëm, ishte kthyer në një skelet që i dukeshin vetëm &nbsp;dhëmbët... Kishte hyrë njeri dhe ishte shndërruar në kufomë...”

 
Petro MARKO

“Bisedime me Safolinën”

Takimi i parë

...që kur ti këndojmë këto rradhë të kërcënojmë... zemërimet e të themi: “tani e tutje nuk do të zemërohemi më!” – Apo jo o &nbsp;Goçe ime?

vazhdon...
« Ndryshimi I Fundit: Mars 10, 2009, 12:16:55 PD nga J@mes » Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #2 : Mars 10, 2009, 12:12:03 PD »



Takimi i parë

Shekuj a çaste kanë kaluar, këtë nuk ësht’ e mundur ta përcaktoj!Po vetëm një gjë është e vërtetë: që unë digjem nga malli,&nbsp; sa them shumë herë “mor po ta shoh një herë, pastaj le të vdesë!” se merre me ment: or’ e çast, për kaqë shekuj të qaj e të&nbsp; qesh me ty dhe tërë këjo jetë lark teje, vetëm në fantazi, vetëm duke përsëritur e ripërsëritur çapat që këmbët tona linin&nbsp; në hapësirën e bardhë të një lumturie që jetonim, po që nuk çmonim! “Ta shoh një çikë, pakëz ti shohë syt e saj për së&nbsp; gjalli! A do ta kem këtë fat? “- Se tërë forca e dëshirave të mia, e ëndrrave të mia të fundit përsërisnin or’ e çast. “Ta&nbsp; shikoj edhe një herë para se të vdesë!”. …Unë dua të të shoh një herë, vetëm një herë – me kusht që ti të mos më shikosh&nbsp; mua se e di që duke të parë ty do të kuptoj më mirë se sa e dhëmbshur është jeta, sa e shtrenjtë është jeta, sa e shenjtë,&nbsp; madhështore, hyjnore… është jeta! Sa fuqi dhe ç’burim është Jeta! Se vetëm në syt e tu shkruhen dhe llamburitin ligjet e&nbsp; fuqishme të jetës… Dhe këtë ta them duke u betuar në llahtarin’ e ëmbël dhe të tmerrshme të valles që zemra ime kërcen në&nbsp; hapësirën e kësaj ndarje tragjike- që vetëm syt e tu, forca e tyre dhe kushtrimi i tyre më thoshin: “Jeto!”… Po ç’e do! Të&nbsp; jetosh me shekuj lark syve të tu, thoshin disa se me distancën e kohës humbiste dhe fuqia magjike që kërcënon dëshpërimin&nbsp; dhe mortjen! Dhe ja ku po ta them: këjo nuk është e vërtetë! E vërteta është se duke u ndritur me shekuj prej syve të tu,&nbsp; drita e tyre përdita shtohet e shtohet sa arrin që të shkrijë hekura dhe errësirë dhe çdo gjë që prek e shoh të më duket:&nbsp; Jetë! Mjerë ata që nuk drejtohen nga sy të tillë! Dhe isha i lumtur e isha i mjerë! Se unë nuk desha të çkëputesha nga syt&nbsp; e tu! Syt e tu më kanë puthur me ëmbëlsinë dhe nanuritjen e syve të tu! Po unë desha ti shikoja edhe një herë! Edhe një&nbsp; herë! Çdo njeri para se të shuhet nga lista e të gjallëvet, ka të drejtë të kërkojë diçka...(Është një traditë që meriton&nbsp; të përmendet) Po si?... Kalonin dit’ e netë! Çaste dhe shekuj! “Ah ta shihja edhe njëherë! Ta shikoja pakëz...!” ...Dhë&nbsp; nëse do të ketë njerëz - dhe ka që thonë: E ç’kuptim ka të plotësosh një dëshirë, kurse çdo gjë të marrë funt?!” Unë këtyre&nbsp; u përgjigjem: “E ç’kuptim ka për ju jeta kurse nuk jetoni?” Ose edhe: “Ç’kuptim ka për ju vdekja, kurse nuk kini jetuar?” E&nbsp; di: kalojnë ditë dhe kalojnë netë dhe gjithënjë digjem e përvëlohem të dëgjoj një herë zërin tënt! Se zëri yt është kënga e&nbsp; jetës, është simfonia e ëndrrave të mia! Po ç’e do! Kalojnë muaj dhe vjetë dhe shekuj! Ti tani flet, e sheh, e punon, e&nbsp; ëndërron ... Siç flasin burimet e maleve, siç shohin yjt’ e qiellit, siç punon zëmëra e kohës, siç ëndërron agimi i&nbsp; Jetës... dhe unë këtu mas pulsin e frymës sate, se nën rithmin e tij akoma e mbaj lart flamurin e Jetës! “Të të shoh edhe&nbsp; njëherë, pa pastaj le të vdes!... Se kam frikë që nuk do të tretem po s’të pashë edhe një herë. E di o Safolina ime, se&nbsp; forca e Dashurisë s’matet as me lotët, as me këngët, as me trimërit’ e rrëmbimeve ... po me numrin dhe gradën e lenteve të&nbsp; syve që dashurohen, bile edhe me ngjyrën e tyre. Ja, për shembull, se ç’janë për mua syt e tu: ato smadhojnë edhe rrudhat&nbsp; më të holla të ballit të Jetës dhe ndriçojnë edhe pallcën e errësirës, ato sbukurojnë dhe trevat ku ra çkatërrimi, ato çdo&nbsp; gjëje i japin ngjyrën e krijimit... ato zbusin, pajtojnë, e nderojnë... të bëjnë të jeç krenar që je njeri dhe të drejtojnë&nbsp; për në brigjet e Triumfit të Jetës! Me ato sy pash horizonte të pakufishme mijra-ngjyrash, mijra-agimesh, mijra-shpresash,&nbsp; mijra-tingujsh! ... Ah, dhe për këtë unë sa dëshiroj t’i shoh edhe njëherë, se me to unë do të shoh bukurin’ e fundit të&nbsp; kësaj toke të bukur, me to unë do të shohë për herën e fundit ngjyrat e Jetës që thonë: “Sa yj fshihen akoma, sa lule&nbsp; fshihen akoma! Dhe ti sa gjurmë të bukura mund të lije në këtë arenë të pasosur të krijimit!” ... Dhe ja! Një ditë prilli-&nbsp; pas afro një vit. - Ti me sefer-taset në dorë ishe në derën e burgut dhe unë nga një cep, nga një cep i vogël i dritares&nbsp; përkundruall derës së oborrit, të PASH! TË PASH! TË PASH! ... PASH SAFOLINËN TIME! Dhe gjaku, dhe fryma, dhe JETA nisi të&nbsp; marrë mijra tinguj e mijra ngjyra! Tinguj që këndonin hymne malli e dëshire, gëzimi e dëshpërimi, tinguj Dashurie! Ngjyra&nbsp; që hekurat i bënin lule, muret i bënin qiej te pa funt dhe çimenton oqeane! Ngjyra që çdo gjëje i veshnin petkun e ëmbël të&nbsp; Dashurisë! Dhe unë TË PASH! Ti qëndroje kokë-ulur! Ti shikoje brenda dhe syt e tu depërtonin mure dhe hekura dhe unë&nbsp; nëpërmjet tyre NISA PRAPË TË SHIKOJA JETËN! Dhe kështu 23 Prilli 1948 u bë edhe këjo një datë e shënuar e Jetës sime! Dhe&nbsp; pastaj përditë ... përditë ... ah si e prisja unë atë orë, aty nga një cep i dritares përkundruall derës së oborrit që&nbsp; hapej pak centimetra, unë SHIKOJA SAFOLINËN TIME! Dhe sa i lumtur dhe sa i mjerë isha! ... Dhe qeshja dhe qaja – jetoja -&nbsp; me ty! Ti vije! Qëndroje aty para derës (herë e veshur si parëverë, herë si verë, herë si vjeshtë) dhe stinët unë i shikoja&nbsp; në veshjen tënde. Se në fytyrën tënde shprehej një agoni që vetëm sy që dashurojnë munt të kupëtojnë! Të flisja! Më&nbsp; përgjigjeshe: “Duro për mua! Jeto për mua! Unë, Goçja jote jam aty me ty, se të dua fort unë! Dashuria jonë është e drejtë&nbsp; prandaj dhe do të trimfoj! Ti je i pastërt dhe Drejtësia do të triumfojë! Unë do të pres! Rroj vetëm për ty! ... Dhe këto&nbsp; fjalë më bënin krenar dhe me të drejtë thosha se lumturia e njeriut gjendet edhe në konditat e mija...! Dhe kështu më&nbsp; shikoje e të shikoja nga një vrim’ e vogël e dritares përkundruall derës së oborrit që hapej pak centimetra- në shi e në&nbsp; borë, në vap’ e në të ftohtë dhe malli më shtohej: “Ah, kur do të takohemi!” “Të takohem një herë, të flas me të, pastaj le&nbsp; të vdesë! Po kur? Kalonin dit’ e muaj dhe ti mbete në dyert e burgjeve! Kur? Imagjinata ime nuk la horizont pa shkelur me&nbsp; syt e tu!. Çdo çast e çdo dit’ e çdo natë, fluturoja me ty atje ku s’ka shkelur këmbë njeriu! Po kur të shikoja pakëz aty&nbsp; përpara derës me ushqimet në dorë, thoshja : “Gjer kur?” Dhe kështu kalonin muaj të tëra! Monotonia e pritjes qëllonte fort&nbsp; si një vare në daullen e agonisë! Gjer kur? Ah! Vetëm një çast të takoheshim! Të flisnim! Të çmalleshim! T’i thoshja: “Si&nbsp; je? Safolina ime, si jeton pa mua?” Dhe të dëgjoja zërin e saj! Të dëgjoja vetëm një herë të më thoshte: “Goçja jote është&nbsp; e fortë! Ajo të pret!... Ti thoshja vetëm dy fjalë: “Safolina ime! Jam ashtu siç më njeh! S’të kam fshehur asgjë! Jam i&nbsp; pafajshëm! Të dua si poeti të bukurën e dheut, si unë Safolinën dhe Lirinë!... Dhe çdo gjë që të ngjasë ... ti jeto!” (Po&nbsp; unë jam i krisur! Ç’vete e mejtoj! Po nuk dihet! A ti them: “Dashurove një fatkeq? – Mos vallë të pengoj lumturinë dhë&nbsp; rrugën tënde? Ti je e lirë! Mos humb të rit’ e tu! ...sa i marë që jam! Ajo më dashuron, dhe unë...? Po ç’të them! Vuaj,&nbsp; sepse ajo vuan! Ajo vuan më shumë se unë, se nuk është mësuar në të tilla dallgë të egëra! Po Ajo është forcuar dhe e di se&nbsp; ku vete se ka Dashurinë Yll Polar! Ajo bën atë që i thotë zemëra! Ajo është goçja ime! Ajo më pret, se është e sigurt se do&nbsp; të triumfoj Drejtësia!) Dhe kështu u mësuam në këtë jetë.. të kënaqur se kishim fatin e mirë të shikoheshim çdo drekë: Ajo&nbsp; përjashta derës s’oborrit me sefër-taset në dorë, me zemrën gur dhe me shpirtin e saj në qeli pranë meje - dhe unë prapa&nbsp; hekurave të dritares, në vetminë time plot tinguj lëngate po me sytë e zemërës sime pranë Safolinës sime që e ndiqja çap&nbsp; për çap me një llahtarë dhe një ëmbëlsi, me një dëshpërim dhe lumturi të pathënë. Ngjarjet historike, duke dënuar sistemin&nbsp; që na ndau dhe na largoi, bënë kthesën e famëshme që ngrohu zemërat e viktimave të gjalla ... Syt e Safolinës sime&nbsp; çkëlqenin nga kënga e shpresës së triumfit të Drejtësisë. Zemëra e saj e ngrirë, u ngroh nga dielli i besimit mi Drejtësinë&nbsp; dhe një këngë e re na lajmëronte: “Së shpejti do të BASHKOHENI!” Çudi! Lum ata që janë të pastërt si kristali dhe që&nbsp; trembin mortjen me sinqeritetin e besimit të tyre! Lum ata që trumbetojnë iden’ e tyre edhe nga varri! ... Po si ta them&nbsp; tani ditën e shënuar të takimit tonë të parë? Më mirë është që të flas ashtu siç ngjau: Vetëm këtë mbaj mënt” Kur e pash –&nbsp; si gjithënjë, jashtë derës më fliste me sy, me këmb’ e me duar! Ishte e dehur nga një gëzim i pa shembëlltë! Po çdo jetë?&nbsp; Mos vallë do të lirohem?” dhe unë - si ajo mënt fluturoja nga gëzimi! Po pse? (Ah kush ka ndjerë çaste të tilla, s’ka&nbsp; mbajtur mënt asgjë, se të tilla çaste janë kulme dehjesh sublime dhe s’kanë të bëjnë aspak me gëzimet dhe lumturitë e&nbsp; rralla!) Po megjithatë skalisen thellë në arenën e kristalt të kujtesës dhe bëhen rezervë forcash gjallërie, bëhen të&nbsp; përjetshme... Pastaj mu bë sikur erdhi roja “më buzëqeshje - çudi!” dhe sikur më tha “ Eja! Do të ta-ko-hesh me shoqen&nbsp; tënde!” dhe pastaj sikur erdhi berberi, ky më rrojti me të shpejtë! Më prunë një xhaketë! Më stolisnin! (Çudi! ) Dhe unë&nbsp; mënt po çmendesha! Mejtimet e mia përziheshin dhe përqafonin Safolinën time! DO TË TAKOHEMI! (Gjëra që duken çudi e&nbsp; përrallë. Po thonë se do TË TAKOHEM ME SAFOLINËN). Bëj atë që më thonë! Ato rojet dhe berberi i ynë-ah... gjithënjë më&nbsp; flasin! E ç’më thonë? Unë vloj në mejtime: “Po a ësht’ e vërtetë? Po ç’do ti them? Po si do të jetë vallë?.. sa kohë kaloi&nbsp; qysh nga 15 maji 1947? Sa jemi sot? Po sikur të na linin pak çaste pranë e pranë? Ku do ta puth më parë? Në sy! Pastaj në&nbsp; buzë, pastaj në SY dhe do ta shtrëngoj fortë, fortë duke i thënë: merrmë me vetë! Mos më lë këtu më! Po pastaj ...” ... Dhe&nbsp; kështu si i ndezur nga diçka që të shpie në majat më të larta të një dehje të lumtur ... më shpien nëpër korridoret – ah&nbsp; këto korridore që janë matur me lot’ e gjak – më hypin nëpër shkallë e më shpien drejt derës lart – aty ku janë dy palë&nbsp; hekura, aty ku këmbët e mia sa mijra herë kanë shkelur, aty ku duart e mia sa mijra herë janë mbajtur (kur në kohërat e çdo&nbsp; regjimi vinin e më vizitonin ...) dhe ku një herë motra ime më tha: “E pse s’u vrave në Spanjë, ose në ndonjë kënd tjetër?&nbsp; Kështu do të kishim qarë njëherë e përgjithënjë, kurse tani ne të qajmë për ditë!... (Po unë nuk u vrava në asnjë kënd të&nbsp; dheut, se në një kënd të dheut më priste SAFOLINA ime!)... Aty në hekurat, mu parakalua tërë e kaluara ime dhe nuk dëgjoja&nbsp; gjë dhe nuk shikoja gjë! Mu bë sikur përpara meje- në hekurat e matanshme, nja dy metra lark hekurave të këtejshme-&nbsp; qëndronte silhueta e SAFOLINËS. Kishte zënë hekurat me të dy duart, kishte shtrënguar kryet e saj në hekurat, sikur&nbsp; kërkonte ti lakonte e ti shkrinte dhe të futej brënda! ... Ajo ishte! Ishte SAFOLINA, se cdo gjë: era e ëmbël e saj,&nbsp; silueta e ëmbël e saj... Po SYTË? Ku ishin sytë e saj? Po unë nuk shoh gjë? Po çdo gjë që shoh është Safolina!... Dhe nyja&nbsp; në fyt bëhej më e trashë dhe silhueta gjithënjë bëhej më SAFOLINA ose më silhuetë që binte erë SAFOLINA, që kishte SY, e&nbsp; ball, e flokë, e këmbë e duar... SAFOLINA. Vetëm një harmoni ngjyrash SAFOLINA! Vetëm një ishte jeta që më shikonte! (Aty&nbsp; ishin grumbulluar pesë a gjashtë roje) dhe nyja në fyt bëhej më e madhe! Dhe veshët më trumbetonin ... Kurse një zë “ë de&nbsp; folni, pse nuk flisni?” më bëri që të mblidhja veten dhe diçka desha të thosha, desha të thosha atë fjalë që or’ e çast – dit e natë- e kam përmendur, desha të thoshja “SAFOLINA IME!”...po AJO lëvizi dhe pa pritur dëgjova zërin e saj: “Petrolino&nbsp; im”!... ...Pastaj mu bë sikur dëgjova : “Si je?”. Ishte zëri i saj! “Si je Petro im!”... Dhe nyja e fytit ç’u bë! Ajo më&nbsp; mirrte frymën! Po zëri i Safos sime prapë pyeste me ankim e me lumturi, me dëshpërim e me krenari “Jam una goçja tate!” Une&nbsp; besoj se edhe i vdekur po t’isha do të përgjigjesha: “Unë jam poeti tat” ... po çudi! E shikoja dhe gjithënjë më dukej një&nbsp; silhuetë që humbiste që shkrihej vetëm në një: SAFOLINA. Pastaj mu bë sikur pash hekurat më të trasha e më të dendura dhe u&nbsp; shkunda: “Safo, po ti si je?” e pashë që buzëqeshi dhe zemra nisi të rrihte me ritmin e pulsit të saj. “Unë jam fare mirë!&nbsp; - Edhe unë! Po ti si je? –Fare mirë, mirë! Po ti si je? – Mirë, mirë! Si je ti? – Fare mirë! Mirë! Po si je nga shëndeti? –&nbsp; Fare mirë, mirë, mirë, fare mirë! – A je mirë? – Mirë, mirë! Po ti?...” Pastaj mu bë sikur ajo më tha: “Pa ec pak! Lëviz&nbsp; pak! Pak sa të të shoh...” Dhe unë pa dashur lëvizja krah e këmbë dhe kur u ktheva prapë në vend të parë, pash SYT e&nbsp; SAFOLINËS SIME që çkëlqenin nga gëzimi! “Je mirë? Unë jam fare mirë! Po si je Petro? A je mirë?” Po dale pak! Dua të flas!&nbsp; Ajo siluetë eshtë safolina ime! Është goçja ime! Ay zë, ajo këngë plot harmoni lëngimi, del nga shpirti i Safolinës&nbsp; sime!...Ja ku është! Ja... ja... zgjat duart...nuk arrijnë! ( Ah këta hekura!)... Po ç’ti them? “A je&nbsp; mirë?...Mirë!...Mirë!” Dhe pastaj mbaj mënt se gjaku im i pakët nisi të vlonte kudo si fjalët që kërkonin të dilnin më&nbsp; vrull tufani po që ah, s’dilte asnjë, se njëri mejtim mundte tjetrin me shpejtësinë e nje mejtimi si ay imi që kërkonte të&nbsp; bënte me gjuhë bilbili, edhe hekurat e kryqëzuara! Dhe tërë ato fjalë që për kaqë shekuj i kisha përsëritur me miliona&nbsp; herë...as që më vinin nër mënt! Dhe sa para vlenin fjalët? Përpara meje qëndronte SAFOLINA ime! Më shikonte dhe e shikoja.&nbsp; Dhe kjo ishte SAFOLINA ime të cilën kaq shumë e kisha idealizuar, kaqë me densitet kisha rrojtur me të gjatë shekujve të&nbsp; ndarjes, sa tani duke qenë para saj-ja ku ishte dy metra lark meje!- S’di ç’ti them! E shikoj me atë mall që unë vetëm e&nbsp; kam ndjerë dhe ajo lëvis tani, lëvis krah’ e këmbë e sy e flokë e trup... dhe sikur kërkon të hajë hekurat me dhëmbë, të&nbsp; futet brenda, të më përqafojë fort e të më rrëmbejë e duke më thënë “eja Petrolino im, se goçja jote është vetëm dhe...” të&nbsp; ikim bashkë që të dy e t’i thërrasim qiellit dhe tokës dhe erës... “mjaft më!”. Neve jemi të pafajshëm! Lërnani të&nbsp; numërojmë rrezet e diellit! Lërnani të vazhdojmë se numëruari yjt e jetës! Lërnani të lozim me ngjyart e ylverit dhe me&nbsp; tingujt e Lumturisë, se ne dashurohemi, se ne duam Jetën, e duam Lirin’ e jetës, lirin e të gjallëve...” Po... në këto&nbsp; çaste kushtrimi kundër padrejtësisë buçiti zëri i Safolinës sime: “Të pres! Ti je i pafajshëm! Ti djal’ i lirisë dhe i&nbsp; Revolucionit! Të pres! Ti je njeriu im! Ti je i drejtë...prandaj të pres me orë pranë meje!...” e dëgjoja si nëj njeri që&nbsp; dëgjon vendimin e gjykatës së lartë të ndjenjës dhe të dhimbjes! Dhe ato çaste isha më i lumturi i botës, se ky vendim që&nbsp; dilte nga Drejtësia e Dashurisë ishte vendimi i prerë i një jetë që ëndërroi dhe që luftoi nën flamuj të një Dielli të Ri,&nbsp; ku kënga, krijimi, dashuria-Liria, t’ishin nenet e përjetshme të kushtetutës njerëzore! “Të pres! Jemi të pafajshëm!”&nbsp; ...Dhe e pash që buzëqeshi! Pash më në funt edhe SYT’e saj që më flisnin me një krenari duke më thënë: “Këjo ishte Prova e&nbsp; Madhe e Dashurisë sonë! Neve bashkë- se jemi një- do të shkelim në gjurmët e shtigjeve të reja! Bashkë...gjer në funt, se&nbsp; Dashurohemi!” Unë s’mbaj mënt tjetër gjë! Vetëm kur roja tha “Mjaftë më! Shkoni!”. Atëherë vura re, se Safolina ime nuk&nbsp; ndahej nga hekurat! Ishte mbërthyer aty dhe më shikonte! “Shkoni tani”- përsëriste roja...Edhe unë nuk çkulesha dot! E ku&nbsp; të veja? E pse të ndaheshim? Ajo të shkonte rrugëve e vetme dhe unë në qelin time i vetëm? E pse? “Dëgjuat? Shkoni?!- na&nbsp; urdhëronte roja! (Epo të mendoç tani dhe të thuash: “Pse nuk largoheshit nga hekurat, po rrinit aty që të dy si të ngrirë?”&nbsp; Unë të përgjigjem: “Nuk ishim të ngrirë! Përkundrazi ishim ndezur! Çdo gjë ishte në flakë: edhe hekurat, edhe padrejtësia!&nbsp; Dhe të betohem se atë çast një revoltim i pa shembëllt, po i ndërgjegjshëm më nxiste të thërrisja: “Mjaft më! Nuk u kënaqët&nbsp; në shekujt e ndarjes sonë? Nuk u kënaqët me lëngatën tonë? Eja SAFOLINA ime! Mermmë!Mos më lër këtu!...” Po atë çast duart&nbsp; e forta të rojeve me çkulën nga hekurat dhe unë duke pasur gjithënjë syt e ngulura në silhuetën e SAFOLINËS sime po&nbsp; largohesha...Ajo fliste: “shko, shko ti i pari, dua të të shoh nëse ecën...po mos u mërzit se unë jam jotja, jam goçja jote&nbsp; besnike, të pres...se je i drejtë...se jemi të pafajshëm!...”

***
Kur roja hapi prapë qelinë time, isha i hutuar! Mbaj mënt vetëm këtë: e pyeta me zë të shuar: “Sa kemi sot? “Dhe ay:- TRE&nbsp; NËNTOR 1948! Domethënë ishte dita (nuk e pyeta rojën se ç’ditë e javës ishte...po do ta gjej ndonjë ditë në kalendar) TRE&nbsp; NËNTORIT, dita e takimit të parë me Safolinën time... Tani pyes veten: “A do ta harroj kurrë këtë ditë? Dhe a mbaj mënt gjë&nbsp; mi Takimin e Asaj Dite? ...Çdo gjë e Asaj dite ishte skalisur thellë e thellë me skarpellon e dhimbjes dhe të mallit, me&nbsp; çekiçin e lëngatës dhe të shpresës...dhe a ka në shekuj tufane dhe thellime që të shuajnë gërmat e thella të çasteve të&nbsp; tilla-çaste gas-lëngate dhe çqetësimi që kompozojnë Sinfoninë e një Dashurie të pashembëlltë?

(E shkrova për ty o Safolina ime)

Burg më 5 maj 1950 Petro yt
« Ndryshimi I Fundit: Mars 10, 2009, 12:18:15 PD nga J@mes » Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #3 : Mars 10, 2009, 12:24:39 PD »

"Petro Marko dhe fshati me i bukur ne bote"



Jeta e tij.

Petro Marko ka lindur në Dhërmi në 1913. Fëmijëria e tij ka kaluar në fshatin e tij të lindjes për të cilin ai thotë se "Dërmiu është fshati më i bukur në botë". I edukuar nga familje e njohur dhe patriotike himariotase, Petroja më pas do të ndiqte studimet në Shkollën Tregëtare të Vlorës. Pasi mbaroi shkollën në vitet 30-të atë e caktojnë mësues të gjuhës shqipe në zonën e Dropullit. Pikërisht në ato vite Petroja filloi të shfaqte talent në fushën e dorëshkrimeve dhe të gazetarisë. Në atë kohë Petroja kujtonte me respekt Branko Merxhanin nga i cili u lidh në fushën e botimeve. "Ora" do të ishte gazeta e parë ku Petro Marko 25 vjec do të fillonte të shkruante shkrimet e para të cilat sulmonin regjimin  e Zogut për prapambetje shoqërore kulturore dhe ekonomike në të cilën ndodhej vëndi. Më pas me gazetën tjetër "ABC" Petro Marko do të shtonte talentin e tij në firmimin intelektual sidomoson kundër frymës së re që sapo kishte sunduar në Europë, atë të fashizmit. Për disa shkrime të botuara ai u burgos disa herë nën censurën e fortë të regjimit të Zogut. Petro u shkëput herët nga Himara dhe kontaktet me familjen e tij i mbante për së largu. Atë kohë ishte vendosur në Tiranë dhe rreth viteve 1934 -35 ai përfitoi një bursë për të ndjekur studimet në Paris ku vecanërisht ministri i atëhershëm i Arsimit të Mbretërisë së Zogut Hill Mosi, e ka ndihmuar duke parë penën e fortë të Petros për të vazhduar studimet jashtë shtetit. Petro Marko do të detyrohej të ndërpriste studimet kur filloi lufta në Spanjë. Në atë kohë ai u bashkua me patriotë dhe revolucionarë sic thoshte ai në atë kohë që  "Të gjithë ishin komunistë të vendosur"  për të luftuar ndaj fashizmit. Pikërisht në vitin 1936 Petro Marko së bashku me shumë shqiptarë të tjerë regjistrohet në Brigadat e forcave vullnetare të Spanjës. Atje vec luftëtarëve të të gjitha vëndeve ai njohu dhe të famshmin Ernest Heminguej për të cilin ai thoshte se ishte një kolos i  përmasave të mëdha. Ngjarjet e Spanjës Petro do ti hidhte në letër dhe do ti botonte në kohën e Diktaturës së Hoxhës por me një natyrë krejt të vecantë, atë të censurës, të ndalimit të veprave dhe vargjeve dhe të diktuara prej propagandës komuniste e asaj kohe. Pushtimi I Italisë fashiste e gjeti Petron në mërgim në Francë I cili ishte kthyer pas luftës së Spanjës. Në Shqipëri vjen menjëherë dhe takohet me patriotë dhe komunistë përfshi Nako Spiron, Sejfulla Malëshovën, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Koci Xoxen etj dhe mer  pjesë në rezistencën guerilje kunder fashizmit. Në vitin 1941 kur vepronte në Tiranë arestohet dhe cohet në Burgjet e Ustikas në Itali nga ku lirohet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Pas clirimit Petro Marko do të themelonte gazetën "Bashkimi" por në vitin 1947 ai do të arestohej së bashku me grupin e Koci Xoxes si agjent I anglo amerikanëve. Pasi ka qendruar rreth dy vjet në burgjet e komunisteve te Hoxhës, Petroja do të fillonte jetën ndryshe nga ckishte dashur dhe ckishte luftuar për vëndin e tij, nën sundimit e gjatë të dinastisë së Hoxhës, kohë për të cilën ai vetë fliste se "ta dinte se Shqipëria do të kishte përfunduar nën diktaturë, do të kishte qëndruar diku në perëndim dhe prej andej ndoshta do ti shërbente më mirë vëndit dhe kombit të tij, se sa nën kërcënimin e kulisave të diktaturës komuniste në Shqipëri. Martuar me Safon piktoren bukuroshe, Petro do të edukonte dhe dy fëmijët e tij Jamarbërin dhe Arianitën, nën frymën bashkohore të artit dhe të kulturës qytetare. Por pikërisht këtu fillojnë dhe aventurat e jetës së tij. Shkrimtari I cili më pas do të bëhej profesionist I vërtetë,  me publikimet dhe reportazhet e tij si në shtyp dhe në botime do të gëzonte shpejt respektin e shumë shqiptarëve dhe patriotëve jo vetëm në vënd por dhe jashtë saj. Botimet e Petro Markos filluan të përktheheshin në gjuhë të ndryshme të botës. Vepra te tilla si "Hasta La Vista", "Qyteti I fundit" "Ara ne Mal" "Një emër në katër rrugë" "Shpella e Piratëve" etj do të mbushnin libraritë shqiptare dhe europiane madje dhe deri në Japoni dhe Amerikë. Me daljen e botimeve të Petro Markos letërsia shqiptare hyri në frymën e letërsisë moderne, origjinaliteti I të cilës i kaloi dhe kufijtë imagjinarë. Pikërisht ishte Dhërmiu për të cilin ai thoshte se ishte fshati më I bukur në Botë, vëndi ku Petro do të fillonte të lidhte gjithë krijimtarinë e tij artistike dhe letrare. Dhërmiu dhe Himara do të mbeteshin të paharuara në kujtesën e Petros për të cilin ai thoshte se "Në atë vënd dhe gurët dhe retë flasin bashkë, ndërsa nuk mund ta përshkruante dot me fjalë përplasjen e dallgëve dhe zhurmën e tyre me shkëmbinjtë mbrëmjeve buzë detit" Për gjatë gjithë karierës së tij letrare deri sa Petro Markon e larguan nga Lidhja e Shkrimtarëve, Dhërmiu dhe njerëzit e tij të thjeshtë do të përbënin thelbin e personazheve të shkrimeve dhe veprave të tij, ku shpesh emra dhe karaktere të legjendave të brigjeve të Himarës, do të tërhiqnin me interes botën e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare. Personazhet e librave me heronjë, piratë dhe kapedanë, do të shndëroheshin në filma, ndërsa me botimet e romanëve modernë të letërsisë sonë ai do të fitonte dhe tituj të lartë si në vitin 1959 cmimin e Republikës. Pas persekutimit të tij moral dhe profesionist Petroja nuk hoqi dorë nga veprat dhe shkrimet. Ai shkruante thjesht në një shtëpi për të cilën nuk e ndëroi deri në vdekje përballë Hotel Arbërisë, në një dhomë ku vetëm dëgjohej goditja e makinës së shkrimit dhe ndihej era e thellë e duhanit që ai pinte deri natën vonë. Në shtëpinë e tij kanë hyrë me qindra patriotë dhe bashkëfshatarë si nga Himara dhe vëndë te tjera të Shqipërisë, probleme halle pse jo dhe talente për të mësuar më pas artin e Petros. Ndërkaq persekutimin e tij ai do ta ndjente akoma më shumë kur Madu sic I flasin shkurtë djalit të Petros, do ta futnin në burg për propagandë antikmuniste. Në vitet e rëzimit të diktaturës Petroja do të kishte në duar dorëshkrimet më të bukura të jetës së tij, por ai dha shpirt në 24 Dhjetor të 1991. Pak kohë më parë ai kishte themeluar Partinë Republikane për të cilën ai thoshte se duhet të bëhet vërtetë republikane me koncepte moderne dhe jo komuniste. Amaneti që kishte lënë në familje ishte jo shumë I cuditshëmt për njerëzit që kanë lindur në Bregun e Detit Jon. Ai dëshironte të varrosej në Dhërmi. Autori i këtyre radhëve ka jetuar tri vitet e fundit të jetës së Petro Markos, bashkë me të momente trishtimi dhe gëzimi, që nga fillimi i botimeve të Petros dhe deri në vdekjen që s`ju nda për asnjë cast nga pas, pikërisht në atë dhomë të vogël ku Petroja i shtrirë në shtrat priste dhe përcillte me mijëra miq dhe dashamirës së tij, sikur dëshironte të cmallej dhe vetëm të cmallej me ta. Por ja një natë dimri, ndërsa televizioni shqiptar njoftoi për shuarjen e një prej kolosëve të letërsisë shqiptare Petro Markon, të nesërmen trupi i tij do të udhëtonte dhe do të varrosej pranë gurëve të Dhërmiut, tek vari i të parëve të tij, dhe pse Llogorai atë ditë mbuluar me borë dhe akull do ta lejonte arkivolin dhe miqtë që e shoqëronin, pa asnjë pengesë. Petro Marko prehet sot në "Fshatin më të bukur në Botë", Dhërmi, mes ullinjve dhe portokalleve por dhe aromës së jodit të Jonit. Sot pas kaq vjetësh Presidenti i Republikës së Shqipërisë Rexhep Meidani i ka akorduar pas vdekjes titullin e lartë "Mjeshtëri i Madh i Punës" Petro Markos, për meritat e tij të larta në shërbim të kombit, atdheut, artit dhe letërsisë. Me veprën e Petro Markos, Teatri i Qytetit të Vlorës mori emrin e tij.                         

Stavri Marko
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #4 : Mars 10, 2009, 12:28:49 PD »

Intervistë me Vetvehten

Po më shumë se në çdo vepër filozofia e të jetuarit të P.Markos ndjehet veçanërisht në librin monumental "Intervistë me vetveten", lënë dorëshkrim dhe botuar 10 vjet pas vdekjes së autorit. Në këtë vepër rrugën e tij jetësore, jetëshkrimin e tij Petro Marko i lë si dëshmi të drejtpërdrejta, pa u distancuar përmes personazheve letrarë, siç vepron në shumicën e romaneve. Rrëfimi është i rreptë dhe total, ai ngrihet në shkallë të një metafore për rrugën e Shqipërisë gjatë 60 vjetëve, në metaforë të luftës së pandërprerë të njeriut mes së mirës dhe së keqes. Luftëtar dhe kryeluftëtar në Spanjë, në Francë dhe Itali, kryengritës burgjesh nëpër Evropë dhe në Mesdhe, P.Marko marshon fuqishëm drejt atdheut të vet, i cili ishte dhe ai i pushtuar nga fashizmi. Autori shfaqet gjatë rrëfimit të historisë së tij në "Intervistë me vetveten" si një kriiesë mitologie e lindur ta mbajë shpatën ngritur dhe të gatshme për të goditur të keqen kudo qoftë ajo, i bindur se ashtu e pastronte dhe qiellin e tokës së vendlindjes. Me këtë besim madhor Petro Marko pas vitesh e betejash të pandërprera nëpër Evropë, më 1944 do të kthehet në Shqipëri.
Në moshën 30 vjeçare, por me aq bëma mbi shpinë, sa në jetën e një njeriu të zakonshëm nuk mund të
ngarkohen as për një shekull, P.Marko sa qe gjallë, do të përjetojë në atdhe zhgënjimin dhe dhembjen më
të thekshme. Ditët e para në Tiranë, pasi e emërojnë përgjegjës shtypi, i caktojnë shtëpinë ku do të
jetonte. Vonë në mbrëmje, që natën e parë, ai do jetë dëshmitar i një takimi trishtues me famlijen,
pronarin e vilës: "Shoku Petro na kanë dhënë urdhër t'jua lëshojmë sbtëpinë me krejt çka ka në të, ku do të vendosemi dhe a mund të marrim me vete ndonjë gjë personale", e pret zonja e shtëpisë duke u dridhur.
Petroja trishtohet, lë shtëpinë dhe kërkon sqarim nga shokët - mos është ndonjë gabim apo keqkuptim?
Kështu e fillon rrëfimin e vet P.Marko në veprën voluminoze "Intervistë me vetveten", që është një nga dëshmitë më rrënqethëse për atë që do të vinte dhe do ta mbërthente Shqipërinë gjatë diktaturës Komuniste. Po ashtu do ta detyrojnë Petro Markon që të futet nën tutelën e gazetës "Borba" të Beogradit. Por ai nuk pranon: "Ne kemi më shumë traditë, jemi vazhduesit e gazetës "Bashkimi i Kombit" para lufte, le të mësojë "Borba" nga ne", dhe këtu do të zinte fill kalvari i ri i burgosjeve dhe i persekutimeve të një egërsie që nuk e kishte provuar më parë. Një bashkëluftëtar nga Italia pas afro 50 vjetësh, diku para vdekjes, do t'i thotë Petros "Shkruaje rrugën, historinë tënde se ajo vlen më shumë se 100 romane." Dhe vërtet, libri "Intervistë me vetveten" është historia për gjysmë shekulli e Shqipërisë, rrëfimi me fuqi rrezatimi i përmasave të një bibliotekë të tërë dokumentash. Përmes kësaj vepre njihet më mirë drama e kombit dhe e Shqipërisë dhe pas leximit të këtij libri duhet më shumë dhe më pastër atdheu e kombi.
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #5 : Mars 10, 2009, 12:29:54 PD »

Hasta la Vista

Është romani i parë i autorit dhe më i rëndësishmi për kohën, kur e shkroi, si në rrafshin artistik ashtu dhe në atë tematik. Rëndësia e tij qëndron veçanërisht, se lajmëroi kthesën në rrjedhat historike të romanit shqiptar. Romani sjell rrëfimin e luftës në Spanjë, ku kryesisht veprojnë personazhe nga mesi i vullnetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Në të rrëfehen betejat e shumta gjatë viteve të kaluara në front, të cilat përshkruhen me një gjuhë të gjallë dhe të papërsëritur. Krahas ngjarjeve për rrjedhat e luftës, rrëfehet dhe linja e dashurisë ndërmjet luftëtarit shqiptar Gori dhe infermieres spanjolle Anita. Ngjarja, pra, në romanin "Hasta la vista" rrjedh në dy binarë: rrëfimi për luftën dhe rrëfimi për dashurinë. Në rrëfimin e parë, shkrimtari e kuadron luftën mes republikanëve që u vijnë në ndihmë vullnetarë nga mbarë bota dhe, monarkistëve të ndihmuar nga fuqitë fashiste evropiane. Në rrethin e të parëve janë dhe vullnetarët shqiptarë që së bashku me të tjerët luftonin fashizmin, që, gjatë luftës në Spanjë (gjysma e dytë e viteve '30) ishte forcuar dhe paralajmëronte Luftën e Dytë Botërore.
Anë e fuqishme e rrëfimit për luftën është ndërtimi i personazheve, shpalimi i karaktereve, i psikologjisë dhe i filozofisë së tyre. Numri më i madh i personazheve është nga radhët e vullnetarëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin personalitete të shquara të kohës si Skënder Luarasi, Asim Vokshi, Mehmet Shehu, Xhemal Kada, vetë Petro Marko etj. Këta dhe personazhet e sajuara përmes imagjinatës, autori do t'i sprovojë në rrethanat e luftës. Dhe një sprovë do të jetë e rreptë: të ballafaquar shpesh sy më sy me vdekjen, ata hapen plotësisht para të tjerëve, pa mundur të fshehin asgjë. Dhe pikërisht në këtë faqe të artit të vet tregimtar, Petro Marko do ta bëjë shmangien e parë nga shablloni i doktrinës zyrtare: edhe pse grupi i vullnetarëve të luftës mendohej të ishte pjesë e më të zgjedhurve të mjedisit dhe të kohës shqiptare, të vënë përballë rrezikut të vdekjes, jo të gjithë do ta përballojnë atë njësoj. Në mesin e tyre, prandaj, do të vërehet ndonjë luhatje që, nën presionin e frikës, do të manifestohet si ikje, si fshehje, si dezertim. Pra, Petro Markoja, edhe brenda rrethit të personazheve të zgjedhura për kauzën pozitive mbarënjerëzore, do të dallojë dobësi, cene dhe anë të shëmtuara mes tyre.
Në linjën e dytë, në rrëfimin e dashurisë mes Gorit dhe Anitës, autori arrin efekte nga më të shënuarat në artikulimin artistik. Dashuria mes tyre, në këtë rast, është vendosur në një kontekst ngjarjesh të veçanta, të jashtëzakonshme. Lufta jepet e pranishme kudo e në çdo çast, si shpërthim gjylesh topi apo granate, aty rrotull e nëpër këmbë, e parashikueshme dhe e paparashikueshme njëherazi, është pikërisht ajo që përcakton rrjedhën e ngjarjeve të ditës, të çastit. Në kuadër të kësaj vetëdijeje dhe nënvetëdijeje lindja e dashurisë mes Gorit luftëtar dhe Anitës infermiere, do të ketë një tjetër shije, tjetër intensitet dhe forcë emozionale Anita, gjimnazistja e bukur spanjolle, në rolin e infermieres, në një kamp të improvizuar që vlon nga rrëmuja e luftës dhe lodhja për t'u ndihmuar të plagosurve nga fronti, befasisht do të ndeshë shikimin e një të plagosuri të ri. Ky luftëtar rreth të njëzetave, kaçurrel e me një bukuri apolonike, prej nga të ketë ardhur vallë për të luftuar, për të vdekur në Spanjë, për Spanjën? Kështu e përjeton Anita takimin e parë me ata sy, duke e përfytyruar Gorin, si një krijesë jashtëtokësore, mitologjike. Dashuria midis tyre, e ngjizur dhe e ndezur në këto rrethana do të jetë po ashtu, e përmasave të jashtëzakonshme. Edhe kjo ishte e veçanta që sillte Petro Marko në temën e dashurisë në romanin shqiptar të asaj kohe.
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #6 : Mars 10, 2009, 12:30:34 PD »

Qyteti i Fundit

Në këtë roman bëhet fjalë për fundin e ushtrisë pushtuese italiane në Shqipëri. Pas kapitullimit të fashizmit, në portin e Durrësit tubohen ushtarët e mbetur nga lufta dhe presin anijet nga Italia për t'u kthyer në vendin e tyre. Pikërisht gjatë ditëve të pritjes në këtë qytet të improvizuar buzë detit, shkrimtari Petro Marko do të zbulojë histori, drama, karaktere, psikologji të nxjerra nga njerëzit e qytetit të fundit. Përveç kësaj autori do të sjellë edhe rrëfimin për dashurinë e oficerit të ri shqiptar Lekës dhe prostitutës së bukur italiane Ana Maria Monte, viktimë po ashtu e luftës dhe e fashizmit.
Brenda 7 ditëve, aq sa qëndrojnë italianët e mbledhur në portin e Durrësit për t'u kthyer në Itali, shkrimtari në romanin "Qyteti i fundit" do të zbulojë dhe do të rrëfejë historitë dhe fatet e disave nga ushtria fashiste që para 4-5 viteve e kishte pushtuar Shqipërinë. Në këtë pleksje historish e fatesh, autori do të sajojë linjën e rrëfimit që ndjek hetimi për zbulimin e një krimineli lufte, të maskuar dhe të fshehur brenda turmës së "Qytetit". Në krye të grupit që duhet ta organizojë dhe ta udhëheqë këtë zbulim është toger Leka. Pista që ndjek togeri në këtë drejtim, e ngjashme me labirintet e romaneve dedektive, do të ecë dhe përmes prostitutës italiane - Ana Maria Monti. Dhe do të lindë dashuria mes tyre, që është shumëfish më "mëkatare" se ajo mes Gorit dhe Anitës. Leka është toger i Sigurimit Shtetëror të Shqipërisë së sapodalë nga lufta, që la pas shkatërrime dhe krime, ndërsa italiania Ana është e palës që i kreu ato krime, e palës së cilës i shërbente.
Kështu shkrimtari, duke ndjekur këtë linjë do të ecë nëpër një teh të mprehtë: do ta lejojë togerin e Sigurimit t'i nënshtrohet zërit të brendshëm dhe të dashurohet me italianen e bukur, apo do të nxjerrë para tij fuqinë e përgjegjësisë dhe të mëkatit ndaj "mollës së ndaluar"? Romani "Qyteti i fundit", në këtë drejtim, sjell mjeshtërinë e të rrëfyerit të Petro Markos, që, i futur vetë mes dy zjarreve, arrin të manovrojë dhe t'u krijojë hapësirë artikulimi të dy krahëve, duke realizuar portrete komplekse, në radhë të parë si ai i toger Lekës. Gjithsesi ai si shkrimtar, pati i pari kurajo krijuese që të prekë sfera delikate, të rrezikshme të realitetit shqiptar të kohës, pasojat e të cilave i ndjeu gjithë jetën.
Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #7 : Mars 10, 2009, 12:31:15 PD »

Një Emër në Katër Rrugë

Romani i Petro Markos me titull "Një emër në katër rrugë" në faqen e fundit mban datën e vitit 1972. Ai mbeti dorëshkrim, nuk u lejua botimi i tij edhe pse duket të jetë më pretenduesi në veprën letrare të shkrimtarit. Ky roman u botua vetëm pas 29 vjetësh, më 2001. Pas leximit të romanit sikur bëhet më i qartë fati i tij. Në të autori rrëfen botën shqiptare të viteve '30 dhe pjesën e parë të '40-ve përmes katër perspektivave të mundshme, katër realiteteve dhe alternativave që barten përmes katër Gjikëve. Që të katërt kanë lindur në Dhrimadh, buzë detit jon, prej nga marrin udhët e botës dhe si jehonë jetësore kthehen rishtas te kjo vatër e gjallë. Katër Gjikët mëtojnë ta përthithin tërë realitetin shqiptar të kohës si dhe të nesërmen shqiptare.
Nëpërmjet tyre fokusohen katër mundësi fati dhe të fatalizmit shqiptar në prag të luftës çlirimtare, pra në prag të kthesës së madhe shqiptare.
Për të qenë i hapur deri në fund dhe për t'u dhënë shanse të barabarta katër perspektivave shqiptare, ndjehet hapur abstenimi i autorit. Në këtë roman ka një galeri të tërë personazhesh të vërteta, me identitet historik, dhe të sajuar, duke filluar që nga mbreti Zog, kryeministra dhe ministra, parlamentarë dhe intelektualë të shquar të kohës, përfaqësues turmash, revolucionarë komunistë etj.
Ja si duket shkurtimisht profilizimi i katër personazheve të realitetit shqiptar. Njëri Gjikë, Gjikë Nina nuk lëviz nga vendlindja që simbolikisht është në funksion të mburojës etnike të truallit, të Dhrimadhit. Gjikë Mërtiri, i dyti, student në Francë dhe gjykatës në Shqipëri, shfaqet si intelektual liberal i tipit evropian. I treti, Gjikë Argjiri del sinonim i së keqes dhe i shëmtimit, ndërsa i katërti, Gjikë Bua, që në këtë roman voluminoz, përveç personazh i zgjedhur i autorit është njëkohësisht dhe narratori formohet dhe kultivohet brenda botës dhe atmosferës së grupeve komuniste shqiptare të kohës. Si i tillë ai do të bëhet dhe një nga krerët e luftës antifashiste.
Gjikë Mërtiri gjykatës është figura artistikisht më e realizuar e romanit; i veçantë dhe karakteristik është dhe qëndrimi i narratorit (autorit) ndaj tij. Ai kthehet në Shqipëri me bindjen dhe shpresën se do të mund ta ushtrojë detyrën e atij që ndan drejtësi, pa u lakuar dhe pa u thyer nga presionet dhe pesha e padrejtësisë. Ka iluzionin se para drejtësisë mund të nxirret cilido shkelës, qoftë ai dhe ministër. Kur do të bindet përfundimisht për pamundësinë e vet, kur do të bindet se nga salla e gjyqit del i pafajshëm ai që jep më shumë para dhe që ka mbështetjen e pushtetit, do të zhgënjehet rëndë. Pikërisht me këtë përcaktim të autorit ndaj këtij personazhi, lind një problem që nuk është i panjohur në praktikën narrative përgjithësisht.

Që Gjikë Mërtiri del më i artikuluar dhe më i fuqishëm, më mbresëlënës, edhe pa dashjen e autorit, nuk është rastësi. Nuk është vështirë të kapet simpatia e pashprehur, por e pranishme e autorit për të edhe pse deklarativisht autori ndjen nevojë të jashtme, ekstrakrijuese, që të distancohet nga pikëpamjet e këtij intelektuali liberal-perëndimor. Prandaj shtrohet pyetja: mos vallë shkrimtari ndjehej më pranë kësaj rruge dhe kësaj alternative shqiptare gjatë viteve '30?
Prandaj simpatia për Gjikë Mërtirin, qoftë dhe si realizim artistik e vë atë në pozita superiore përballë të tjerëve. Pikërisht për këto tipare dhe individualitet të formuar dhe të fuqishëm, fundi i tij, zgjedhja e rrugës për vetëvrasje vjen si një imponim i jashtëm dhe jo i natyrshëm.

Gjikë Argjiri është personazhi më i realizuar negativ i romanit. Është shprehje e koncentrimit të faqes më të shëmtuar të realitetit shqiptar të kohës. Me veti të kameleonit Gjikë Argjiri do t'i përshtatet çdo pushteti. Ai i nënshtrohet çdo eprori nga i cili varet, i gatshëm për çdo rast korrupsioni dhe, mizor deri në absurd ndaj të nënshtruarve. Është i të gjithëve dhe i çdo kohe. Petro Markoja me intuitën e intelektualit, e pati ndjerë se nga ky soj i qenies sonë nuk do ta marrë veten kollaj bota shqiptare.
Gjikë Bua që rrëfen dhe për rrugën e tij jetësore dhe për atë të të tjerëve, mëton të jetë zëri i autorit. Ai do të jetë bartës i ideve revolucionare, komuniste, në roman dhe rruga e tij mes katër të mundshmeve do të jetë zgjedhje e autorit dhe më e vërteta sipas kësaj perspektive. Gjikë Bua nuk vendoset në situata të mprehta, të paktën jo në atë shkallë siç ndodh me Gjikë Mërtirin, ku autori ka derdhur pjesën e vet më autentike apo atë më të ëndërruarën.
Karakteristikë e narracionit në këtë rrëfim romanor, është mbështetja në faktografinë, identitetin historik, të hapësirës dhe të njerëzve, është prirja për një rrëfim të dokumentuar.
Por ajo çka duket më e rëndësishme në lidhje me natyrën, me misionin dhe perspektivën e narratorit, është se Petro Markoja në këtë roman heq dorë nga narratori i gjithëdijshëm, karakteristikë për tërë epokën e romanit realist të shekullit XIX, me jehonë dhe gjatë shekullit që lamë pas. Narratori kësaj here është njëri nga personazhet dhe ai do të rrëfejë nga perspektiva e atij që mund të dijë aq sa mund të dijë çdo njeri dëshmitar i drejtpërdrejtë apo i tërthortë. Megjithatë, autori, përmes zërit të vet, nuk mund të përmbahet plotësisht pa përzgjedhur apo pa gërshetuar mes personazhit dhe narratorit zërin e vet autorial.
Por nëse çdo personazh është personalitet i veçantë, kryepersonazhi është i pajisur dhe me boshtin plus. Duke qëndruar dhe vrojtuar nga një perspektivë superiore ai i sheh më qartë lëvizjet e njerëzve dhe të dukurive në hapësirën e fokusuar. Zakonisht ai qëndron më pranë filozofisë jetësore të vetë autorit.

Në fillim përmendëm shkurtimisht katër rrugët e Gjikëve: misionin e të parit nuk do ta marrë Gjikë Nina, simbol i rrënjës së lashtë dhe i mburojës jetike të truallit, as Gjikë Mërtiri që sjell diplomën e juristit dhe frymën e qytetërimit evropian të kohës, por Gjlkë Bua, shkollar i Vlorës dhe pjesëmarrës aktiv në grupet komuniste tiranase. Pikërisht ky, me dashjen e autorit, do të jetë më pranë zërit të tij. Romani kështu del me tezën se ideja revolucionare komuniste e mbjellë në fillim të shekullit në Evropë dhe që gjen truall dhe në tokën shqiptare, do të bartet përmes personazhit të Gjikë Buas. Dhe pikërisht me këtë përcaktim zë fill dhe ndodh mosmarrëveshja ose vetëmashtrimi mes Petro Markos shkrimtar dhe Petro Markos njeri. Ndërsa kryepersonazh i konvencioneve të kohës, pra i diktimeve nga jashtë do të bëhet Gjikë Bua, me Gjikë Mërtirin, shkrimtari Petro Marko do të shprehë vizionin e vet jetësor e filozofik si dhe pjesën më substanciale të shpirtit të vet.
Pavarësisht nga ky "disekuilibër" në sipërfaqe, narratori arrin të zhytet dhe të depërtojë në skutat më të errëta të personazheve dhe të ngjarjeve të kohës. Këto vlera, qoftë në shkallë të ideve apo të realizimeve artistike, bëjnë që romani "Një emër në katër rrugë" të jetë ndër më të realizuarit e veprës romanore të Petro Markos.

Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #8 : Mars 10, 2009, 12:34:19 PD »

Nata e Ustikës

Romanet "Hasta la vista", "Një emër në katër rrugë" dhe "Nata e Ustikës", janë romanet më autobiografikë në letërsinë tonë. Pas personazhit kryesor të secilit roman (Gori, Gjikë Bua, Andrea) lexuesi fare lehtë do ta identifikojë vetë autorin. Sidomos lexuesi që e ka parasysh dhe veprën-ditar "Intervistë me vetveten", ku rrëfehet jeta apo biografia, që është nga më të bujshmet e shkrimtarëve shqiptarë.
Në romanin "Nata e Ustikës" Petro Markoja rrëfen një frag-ment nga betejat, burgjet, dramat dhe dashuritë e tij nëpër Evropë giatë viteve '30 dhe '40 të shekullit XX - pra para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1940 Petro Markoja u kthye nga lufta e Spanjës. Një vit më vonë u arrestua prej pushtuesve italianë dhe u internua së bashku me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin e Ustikës (në veri të Sicilisë). Në burgun e Ustikës, një ishull famëkeq në afërsi të Palermos, në mesin e mijëra të burgosurve, edhe grupi i shqiptarëve do të qëndrojë deri në kapitullimin e fashizmit. Prej këtej e merr subjektin e tij romani prej 380 faqesh "Nata e Ustikës".
Rrëfimi në këtë roman karakteristik për stilin e Petro Markos (dinamik, i drejtpërdrejtë), arrin ta fusë dhe ta ambientojë lexuesin në botën e kampit që në 20 faqet e para të veprës. Rrëfimi ndjek dy linja narrative: atë të terrorit të ushtruar ndaj të burgosurve, përkatësisht organizimin, vetëorganizimin e brendshëm të të burgosurve për t'i qëndruar e rezistuar dhunës, dhe linja intime, ajo e dashurisë ndërmjet Andreas dhe sllaves së burgosur Sonjës.
Petro Markoja, siç e përmendëm dhe në romanet e tjera, i dha një vend të dukshëm ndjenjës së dashurisë, si për të treguar apo për të reaguar ndaj shpërfytyrimit që i bëhej personazhit të letërsisë skematike zyrtare të kohës. Pa këtë ndjenjë, duket se nënvizon në të gjithë krijimtarinë e tij, nieriu as nuk mund të jetë njeri dhe aq më tepër të mbijetëojë në realitetin më të egër dhe pa asnjë dritë shprese. Me personazhin femër P.Markoja theu disa tabu të forta të kohës, jo vetëm se femra përgjithësisht ishte e huaj, jo vetëm se dashuria jepet si ndjenjë aq universale sa mund të lidhë dy njerëz të kombësive të ndryshme, por edhe për faktin se femra zuri një vend të merituar, qoftë dhe kur ishte prostitutë. Shkrimtari është në anën e saj dhe e mbron e i adhuron guximin, por dhe ferminitetin, ide këto tepër të guximshme për letërsinë shqiptare në përgjithësi.
Ngjarjen në roman e rrëfen në vetën e parë vetë kryepersonazhi Andrea, ai ruan veçantitë narrative të njohura të Petro Markos: dinamik në zhvillim me shpërthime të fuqishme herë pas here. Shtrati fabulativ e ruan boshtin unik edhe përpos prirjes për ndërhyrje e digresione, që jo domosdoshmërisht derdhen në atë shtrat.
Edhe në këtë roman kemi një vështrim realist ndaj personazheve, ata shfaqen me të gjitha virtytet, veset dhe dobësitë njerëzore, ndërsa simpatia e autorit bie mbi personazhin me ide revolucionare, por kjo në kuptimin e ideve të përparuara të kohës, të cilat duhej të përfshinin dhe shoqërinë shqiptare.

Nata e Ustikës (fragment)

PËR NË KAMPIN E USTIKËS:
Më duket se motori e rralloi forcën, - më thoshte Iloja.
U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! - tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s'dihet. Vetëm kur Iloia tha: "Pse s'ulemi?", atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen...
- Zoti e di se ku jemi!
- Unë them të shtrohemi e të hamë... Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime... Më mirë t'i kemi në bark sesa...
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç'i pëlqente... Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s'ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin... Po ujë? Ku ka ujë? Ç'bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: - Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím... Vrisja mendjen... dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar... po do të linim nam.
Iloja tha: - As për një çast nuk e mendova vdekjen.
- Kadriu - unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S'ka tmerr më të madh.
Alqi - Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim... si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti - Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri - Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen... Prandaj gjithë natën s'më ra ndër mend mortja...
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç'kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: - ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin... - si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla... sikur ishin gati për të na shtypur... Pamë litarë dhe direkun... Po ç'thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
- Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien... Lart kokën, si shqiptarë që jemi...
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç'të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
- Spie! Spie!
- (It.: Spiunë! Spiunë!)
- A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
- (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
- Traditori! Spie di un cane!
- (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç'është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit...
Një fishkëllimë e gjatë bilbili... Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni... - Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. - Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë... Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona... Pastaj na sulmonin nga shpina... - bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
- Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç'kishin me ne? ç'kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
- Ne nuk jemi banditë! - bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. - Banditë janë ata që na zunë derën... që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
- Ja ku janë banditët... ja ku janë kasapët e popullit italian! --dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera...

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! - urdhëronte oficeri me duar e këmbë...
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar.
--------------------------------------
Ky fragment përshkruan udhëtimin e të burgosurve shqiptarë me anije, të cilët të hedhur atje si thasë me patate e të lidhur në pranga po i çojnë për në kampin e Ustikës. Nata është e gjatë dhe atë e bën më të gjatë gjendja tragjike e burrave të burgosur. Ajo është aq e gjatë sa ia kalon dhe vetë vdekjes, nënvizon shkrimtari. Nga ana tjetër në një mënyrë shumë të thjeshtë e të natyrshme si për t'iu kundërvënë fatalitetit, të burgosurit flasin për shijet e tyre në të ngrënë. Fundi i fragmentit është aq ngjethës kur shkrimtari mbi majën e anijes vendos të burgosurit shqiptarë, ndërsa poshtë turmën që nuk e kupton për se ka aq urrejtje për njerëz që janë po aq viktima nga xhelatët e luftës sa vetë ata vetë. Kënga me fjalët internacionaliste jepet pikërisht në këtë situatë që duket se pret zgjidhje.
---------------------------------------------------

Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #9 : Mars 10, 2009, 12:36:08 PD »

Hasta la Vista (fragment)

TAKIMI I GORIT ME ANITËN:
Aeroplani ra mbi ullinjtë. I digjeshin krahët. Të tjerët u larguan, se pothuaj gjithë vagonat u bënë shkrumb e hi. Një tërkuzë e gjatë vagonash ishin katandisur skelete hekuri në zjarr. Disa ishin të përmbysura dhe akoma lëshonin zjarr e tym.
Ata që duallën nga aeroplani, kërkuan të shpëtonin, po u zunë. Ishin tre hitierianë të divizionit "Kondor" dhe një frankist. Garibaldinët i zunë, i lidhën dhe i shikonin me zemërim.
-E çmi mbani gjallë, -thirri dikush. - Hidhini n'atë zjarr që ndezën vetë! Brigantët!
Një tjetër u afrua dhe nxori revolen t'i vriste, po dora e tij u ndal nga Ramizi.
Këta janë robër lufte! Do të dërgohen te shokët e tyre! Mos i ngini! Po i ngau njeri...
Fjalën e Ramizit e preu Alvarezi.
- I çarmatosni mirë dhe i shpini në shtabin e brigadës, aty pas ullinjve. ju të tjerët ndihmoni shokët!...
- Ç'më rrini kështu sikur shikoni ndonjë Sfaqje!
- Plumbin qenve! Plumbin - u dëgjua përsëri nga mesi i ushtarëve.
- Dëgjoni thirri me zë të prerë komisari Alvarez - po i ngau njeri, plumbin ka. Shpejt, sikush në kompaninë e tij...
Kishte nga ata kurreshtarë që deshën të shikonin ç'fytyrë kishin bishat që bombardonin ditë e natë Spanjën republikane. S'lanë shtëpi e fshat, stacion e qytet pa bërë shkrumb e hi. Mirë! Ata sipas ligjeve të luftës së tyre të padrejtë, mund t'i sulmonin trenat e luftës e t'i shkatërronin siç bënë tani! Po kush i lajmëroi? Kush e dërgoi lajmin se ky tren ishte i brigadës së 12-të? Eh, luftë o luftë!
- Mor po këta qënkan simpatikë! - tha njeri. -janë të rinj. Pa shikoi! Flokëverdhë, bukuroshë! Pa shiko frankistin! Një moreno, tërheqës për vajzat, që ç'ke me të...
- Derrat! - thirri një tjetër.
- Qënt e qënit! - ia priti një tjetër.
- Të katër robërit, shkonin kryelartë. Bile ndezën dhe cigaren. Flisnin midis tyre... dhe siç dukej, atë që ato po bënin, e bënin për Fuhrerin që i kish verbuar dhe ndërsyer.. Kush e di! Pa tjetër do të vinin në vete ndonjë ditë, po të shpëtonin nga ky zjarr që ndezën ata me urdhërin e perëndisë së tyre.
Agimi, si nga hera, vazhdonte të derdhte dritën e argjendë nga lindja ku shtrihej deti Mesdhe. Pastaj një valë resh të kuqe u dalluan në horizontin e hapur! Eh, ç'agim! Sa keq për Gorin që s'e pa këtë agim! I kishin folur për agimet e kuqërreme të Spanjës së bukur. Po ja që s'pati fat ta shikonte këtë agim vjeshte. Ish i shtrirë, aty rrëzë një ulliri, i rrethuar nga shokët. Asimi nuk fliste. Prisnin doktorin, që mjekonte ata që ishin të plagosur më rëndë.
Kush e di sa shokë të rinj si Gori, që kapërcyen kufi e dete, për të ardhur gjer këtu, u vranë tani, pa ja shkrepur asnjëherë, pa shfryrë asnjë herë zemërimin dhe urrejtjen e tyre kundër fashizmit!
-Ka patur dhe më keq, - mendonte Asimi. - Ka patur shokë që u vranë pa shkelur fare në tokën spanjolle. Bllokada e turpshme dhe barbare e kapitalit internacional me fashizmin si xhandar, kush e di sa e sa shokë ka vrarë në det e në stere...
Gori geli sytë! Herën e parë nuk mundi të përmblidhej e të kuptonte se ku ish. Po kur pa pranë fytyrat e dashura të Asimit e të Xhemalit, të Ramizit e të Dragushit, të Fatosit e të Arxhelit e të shumë garibaldinëve të tjerë, e kuptoi se po i linte përjetë. Mbylli prapë sytë dhe lotët i rodhën pa dashur.
Në këto çaste të mallëngjyera, Vjen xha Kola, i cili, sa dëgjoi plasjet e para, kish këcyer përjashta dhe kish marë frymë tutje kanalit. Ishte mbledhur kruspull në një guvë ulliri, kishte mbyllur sytë dhe qëndroi aty gjersa pushoi zjarri dhe rrëmuja. Kur ra agimi, atëherë u kujtua për armët dhe sidomos për çantën, ku mbante gjëra të vlefshme, siç thoshte ai, dhe nuk linte njeri t'ia prekte... Për këtë i vinte plasja dhe ish enduar shumë që s'mori të paktën çantën e vogël. "Po lëkura qënka më e dhëmbshur se floriri!" - kur shikonte lemerinë që ish bërë.
- Ka vdekur njeri nga tanët? - pyeti , kur pa shokët rreth Gorit.
- Po ti ç'u bëre? - pyeti Ramizi. - Nga bridhje! Ne kujtuam se... re dëshmor!
- Mortja nuk merr. shtoi Xhemali.
Ra buria! Të gjithë të mblidheshin në kompanitë e tyre.
Gori e dëgjoi. çeli sytë dhe bëri të ngrihej.
-Mos lëviz! - e porositi Ramizi, - ja tani vjen doktori. Dhe me të vërtetë erdhi doktori me infermierët. E zbuloi. I pa mirë kokën, trupin e këmbët! I lidhi kryet, krahun dhe tërë gjoksin dhe porositi infermierët ta shpinin n'ambulancën që u ngrit tej kanalit.
Komandanti i brigadës dhe komisari që erdhën aty, pyetën doktorin dhe ky u tha se s'ka rrezik - frakturë dhe tronditje.
-Shoku shqiptar! Kur të shërohesh të presim në brigadë, - i tha komisari, dhe e përkëdheli duke i lëmuar flokët. -ju garibaldinët e Shqipërisë, përshëndetuni me shokun se po nisemi.
Gorin e vunë mbi vig. Ai nuk i çelte sytë nga turpi se i ishin mbytur në lotë.
-Gori! - i tha Asimi. - Ne po ndahemi, se brigada niset. Erdhi treni. Të presim! - dhe e puthi. E puthi dhe u largua, se një nyje i u bë në fyt.
Të gjithë e përqafonin. Po Gori nuk i çilte sytë të shikonte shokët, vëllezërit për të cilët krenohej jo vetëm ai, po krenoheshin tërë shqiptarët antifashistë. S'kishte fuqi të thoshte një fjalë, vetëm një fjalë: "Luftoni dhe për mua!" Kur nuk i dëgjoi më, kur ndjeu se infermierët e kishin ngritur, çeli sytë dhe pa se po e shpinin në drejtim të kundërt nga ai i shokëve që duke u larguar, kthenin kokën pas dhe i tundnin dorën duke e përshëndetur.
..........................................................
Fishkëllima e trenit ngrinte peshë më tepër zemrat e ndezura të garibaldinëve, që lanë shumë të vrarë dhe të plagosur. Po kënga gjëmoi.
Këtej autoambulancat mbartnin të plagosurit. Ata që ishin me plagë të rënda i shtruan aty pranë në një shtëpi fshatari, kurse Gorin e shtrinë në një shtrat të autoambulancës. Në shtratin tjetër ishte një shok italian që rrënkonte thellë. Pranë Gorit rrinte një infermiere e re, e cila i lëmonte ballin. Gori mbylli sytë dhe s'dinte ç'të mendonte. I vinte turp... Çahu dhè të futem! Si? I shtrirë dhe i lidhur në këmbë, kurse brigada shkoi në Aragonë! Çfat i keq! Po kjo vajzë! Sa e mirë! Sa e dashur!
Ajo i foli në një gjuhë që Gori s'mori vesh. Pastaj i foli me gjuhën e ëmbël spanjolle. Gori, që dinte mirë italishten, e kuptonte spanjishten.
Befas maqina u ndal! Si një britmë e vetme gjëmuan thirrjet e të plagosurve. Dyert përnjëherë u çelën dhe infermierët rrëmbyen vigjët me të plagosur dhe vrapuan nën ullinjtë. Aeroplanët fashistë fluturuan shumë ulët. Gjëmimi i tyre bënte të dridhej dhe dheu! Për pak çaste toka u drodh dhe aty pranë në Alkala de Çis shtëllunga tymi u ngritën përpjetë si uji i detit nga plasja e bombave të mëdha. Gori pa dritën e tokës spaniolle. Sa dritë ka qielli dhe deti i Spanjës! Kudo që të hidhje sytë shikoje pyje me portokalle! Pyje me ullinj! Dhe ja, aty pranë, deti ish i shqetësuar dhe era kafshonte valët duke zbardhur dhëmbët si një qen i egërsuar. Infermierja, që i rrinte Gorit mbi kokë si një pulë që mbronte zogjtë e saj nga ndonjë skifter, Kristina, siç e quanin infermieren suedeze, e ruante të plagosurin nga aeroplanat.
- Janë shumë çnjerëzorë! Edhe autoambulancat i sulmojnë! Sa herë na kanë mitraluar!
Doktori që shoqëronte kollonën vizitoi edhe Gorin. E gjeti mirë, më të qetë.
- Jemi fqinjë! - i tha.
- Nga jini ju? - e pyeti Gori.
- Jam bullgar! Dr. Klimgev! Ti je shqiptar, apo jo?
- Po! jam shqiptar!
- Aty në spital, do të gjesh dhe një infermiere shqiptare. Është një shoqe e mirë.
Në rrugën e bukur, që përshkon bregun e detit Mesdhe, rrugë plot pemë dhe vreshta, plot vila dhe fshatra të bukura, tani përsëri nisën të lëviznin maqinat: kamionë me ushtarë e me mall, vetura, autobuzë, motoçikleta, biçikleta qerre - ç'lëvizje e madhe për në Castellon de la Plana! Maqina të mbuluara me giethe, me dega: si duken së largu! Si një kopësht lëvizës!
Shumë maqina ndalen dhe vizitojnë të plagosurit. Edhe Gorin e vizitojnë, i buzëqeshin, i urojnë shëndet. Dhe Gori u buzëqesh me zor, se ndjen dhembie të madhe në gjoks e në brinjët dhe në majë të kokës. Ah, kjo erë e bendeve e mbyti fare! S'e duron dot! Sikur infermiera të mos ishte infermiere, po infermier, do të thërriste një herë e shumë herë: "Nënë! Moj nënë!", po kishte turp nga ata dy sy të kaltërt të shoqes suedeze që e shikonin me atë ëmbëlsi që e shikonte edhe qielli i Spanjës. Shtrëngonte dhëmbët dhe... ja para tij, pa dy sy, dy sy spanjollë, që kurrë s'do t'i harronte.
Një kolonel francez, burrë i shkuar nga mosha, me flokë të drejtë e t'ergjëntë, me mustaqe të shkurtëra si furcë e fortë, me dhëmbë të florinjtë, me beretën baske bojëhiri, u afrua dhe pyeti:
- Franse?
- Jo Shqiptar! - i tha infermiera -
- Shqiptar? Shqiptar?! Sans blague! (Fr.: Pa shaka: Vërtet) Sa mirë! Trim shqiptar, e? Si je, mon petit? (Fr.: biri im) Si je, mon petit? - dhe u afrua, i vuri dorën në ballë dhe i tha diçka frëngjisht. E puthi me dashuri. Vajza që e shoqëronte, e shikonte në thellësitë e syve, sikur kërkonte të kridhej brënda në sytë jeshil të Gorit, i cili ndjeu një diçka që s'e kish ndjerë kurrë gjer ahere. Koloneli e përshëndeti, kapi vajzën nga krahu dhe u largua, kurse e reia, duke e shikuar akoma, po me atë mënyrë të çuditëshme, u kthye i përkëdheli flokët, u ngritë duke e parë në sy si i hutuar, sikur deshi t'i thosh diçka... i hodhi një degë ulliri që mbante në dorë dhe u largua duke e hequr prej kolonelit dhe duke i thënë Gorit:
- Hasta la vista! (Sp.: mirupafshim)
Gori lëvizi pakëz, e shikoi më mirë, kur ajo largohej. Infermierja tha:
-Buena chiquita! Muy guapa! (Sp.: Vajzë e mirë! Shumë e bukur)
Gori s'foli gjersa e vunë prapë në autoambulancë. Maqina ecte në rrugën e asfaltuar drejt Murcias. Infermierja, me sjelljen e saj shumë të dashur, nuk ia hoqi degën e ullirit. Gori si i truar e kish pyetur:
- Mua më tha: "Hasta la vista?"
- Po! Të tha me zemër spanjolle "hasta la vista!" dhe të uroj ta rishikosh. Të fali dhe këtë degë ulliri.
------------------------------------------
Takimi i Gorit me Anitën është nga pjesët më të bukura të romanit, i cili është aq i ngarkuar me mundimet dhe dhimbjet njerëzore. Duket se dashuria bën magjira, ndihet nënteksti i kësaj ndjenje në tërë romanin. Vështrimi në thellësi të syve të ushtarit shqiptar me infermieren spanjolle nënvizon me forcë vetinë universale të kësaj ndjenje, që nuk pyet as për gjendje të vështirë, as për kohë dhe aq më tepër për kombësi të ndryshme. Dega e ullirit që Anita ia dhuroi Gorit është simbol i fitores, dhe i një dashurie të përjetshme. Me lidhjen e këtij çifti P.Marko solli në letërsinë shqiptare çiftet më simpatikë dhe më të guximshëm të të dashuruarve. Dhe ideali i njëjtë që kanë këta dy të dashur jepet në planin intim njerëzor dhe aspak si një propagandë e letërsisë zyrtare të kohës.
----------------------------------------------------

Identifikuar


J@mes
The World Is Yours
Administrator
Qytetar/e Nderi
*****
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Mashkull
Postime: 2803
7493.00 Kredite

View Inventory
Send Money to J@mes


Shiko Profilin WWW
« Pergjigje #10 : Mars 10, 2009, 12:37:09 PD »

Një Emër në katër Rrugë

EPISODI I NISJES:
"Rroftë jeta!" Ashtu më dukej sikur përsërisnin ditë e natë, e sidomos natën, kur oshëtima e tyre ishte më e fuqishme, dallgët e detit jon, që përplaseshin në bregun shkëmbor, të fshatit tim Dhrimadhe. Këtë refren të përhershëm të dallgëve të detit jon më dukej sikur shprehnin pa zë dhe fshatarët e mi, se lufta që bënin atë moto kishte: "Rroftë jeta!" . jeta mbi gurë, jeta në dallgët e detit, jeta kur ishte zor të jetoje, zor të dashuroje, zor të ëndërroje dhe zor të vdisje.
Ky refren i pashpallur me zë, me vaj apo me këngë, që pulsi i nxitjes për të jetuar me luftë të ashpër mbi gurë në furtunat që rrëmbenin dhe dheun e gërxheve.
Kaloje nga ndonjë monopat dhe shikoje ndonjë burrë qe ngrinte ledhe për t'i mbushur pastaj me dhè dhe e pyesje:
- Ç'po bën aty? - Dhe ai të përgjigjej:
- Ja, luftoj!
Shihje ndonjë grua që bënte dru në pllaja të pjerrëta, gërxhore dhe të zhveshura, se dhitë nuk i linin kurrë xinat, cfakat dhe anticfakat të rriteshin, dhe e pyesje:
- Ç'po bën aty? - Dhe ajo të përgjigjej:
- Ja, luftoj!
Shikoje në prakun e dyerve të oborreve plaka të heshtura që tirrnin duke shikuar detin, detin që u kishte marrë burrin apo djalin, dhe i pyesje:
- Ç'po bëni aty! - Dhe ato të përgjigjeshin:
- Ja, luftojmë!
Shikoje burra, gra, të rinj, e të reja që çanin gurë, që rrëmihnin tokën, që mbillnin agrilidhe apo shartonin nerënxa, që shkundnin ullinj o që kërkonin mbi çatinë se cilën qeramidhe kishte rrëmbyer tramundana e natës, kurrë nuk të përgjigjeshin: "Ja punojmë", por: "Ja luftojmë!" - Lufta ka qëne jeta e tyre. Luftë me të huaj, luftë me urinë, me sëmundjet, me borxhet, me kurbetin, me xhandarin, me vdekjen. Dhe kjo luftë kishte si bajrak refrenin e pashpallur kurrë me zë:
"Rroftë jeta!"
Dhe me luftën e tyre ata mbijetuan! Dhe unë tani që shoh, mendoj e them: ,Mbijetuan, se hodhën rrënjë në gurë dhe u ushqyen me gjakun e gurit..."
Këto mendime mua më kishin larguar nga bisedat e shtruara që bëheshin atë mbrëmje në shtëpinë e Mitro Balit, i cili rrinte në krye të vatrës duke pirë duhan pas duhani, nga ato cigare që i hidhnin njërën pas tjetrës gjitha ata burra që vinin darkë për darkë për ta ngushëlluar e për t'i lehtësuar dhembjen dhe gjëmën e madhe që i erdhi nga miniera e Firminisë për vdekjen nga veremi i djalit të tij, Vangjelit. Aty pleqtë, që dinë shumë gjëra nga jeta, tregonin ngjarje të çuditshme nga bota e gjerë që kishin gjezdisur, aty rriheshin mendime mbi politikën dhe mbi fuqitë e mëdha që kanë fatin e njerëzimit në dorë... Hera-herës zinin në gojë dhe qeverinë e Tiranës, po emrin e mbretit nuk e zinin kurrë në gojë.
Pastaj, si kurdoherë, xha Foti fillonte me qyfyret e tij të hidhura dhe atmosfera ndryshonte fare, bëhej më e lehtë dhe dalëngadalë hiqte nga fytyra e Mitro Balit perden e zymtë të dëshpërimit, bënte të tjerët të mblidhnin këmbët dhe të pregatiteshin për të qeshur. Se, xha Foti, që kishte gjezdisur gjithë brigjet e globit si marinar nën shumë flamuj, sidomos nën flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe që kishte lundruar për dyzet vjet në detin e Karaibeve, kushedi se sa herë e kishte kënduar "Dekameronin" e Bokaçios dhe, pasi asnjëri nga fshatarët e mi nuk dinin se ç'ishte "Dekamereoni" dhe kush ishte ky Bokaçio, të gjitha aventurat, thoshte se i kishte bërë vetë ai, me disa shokë të tij detarë nga Spanja dhe Gjenova e Italisë.
Dhe, pasi kallëzoi një aventurë, të gjithë qeshën. Ky, xha Foti, tani ishte plak, po mbahej mirë me shëndet dhe me humor. Kishte tre vjet që ishte kthyer pa asnjë lek, po me humorin e hidhur të botës që kishte parë. Humori i tij ishte njëra nga pasuritë më të mëdha që mund të sillte një mërgimtar, se në luftën e ashpër dhe të hidhur të jetës së fshatit tonë, më shumë dëgjohej vajtimi se kënga, më shumë mbinte gjembi i urisë se sa blerimi i vjeljes së gëzimit.
Me habinë time dëgjova të merrte fjalën dhe Gjikë Mërtiri, i cili tha:
- [Hodha grepin nga qielli] dhe [nuk kapa as zogj, as re e as yje], [po kapa bishtin e botës së lutjeve] [drejtuar perëndisë nga ara që vanë]. [Dhe qesha siç do të qeshin të nesërmit për mua!].
Kur mbaroi Gjikë Mërtiri, hyri Kolë Dede. Ra heshtja. Ashtu ishte. Kur hynte njeri, heshtja binte për disa çaste, pastaj vazhdonin biseda. Kola ndenji afër derës. I hodhi një duhan Mitros. Dhe unë prita që Gjikë Mërtiri të vazhdonte. Ai tundi kokën dhe, duke shikuar Kolën, e pyeti se kur kishte dalë nga burgu.
- Më mirë të mos kisha dalë! - tha Kola.
- Mirë e ke! i tha duke qeshur Gjikë Argjiri. Gjikë Argjiri shtoi dhe disa fjalë që nuk i dëgjoi njeri. Kolën, pasi nuk kishte paguar borxhin te zoti Kosta, zoti Kosta e kishte hedhur në gjyq. Ishte dënuar me tre muaj burgim. Dhe sipas ligjit, zoti Kosta duhej t'i paguante pesë lekë Kolës për çdo ditë që të mbahej në burg. Po Kola në burg vetëm një lek prishte. Katër lekët e tjerë ia dërgonte familjes.
- Ku ta gjesh këtë që të jesh në burg dhe t'i dërgosh katër lekë në ditë familjes. Mua më ra bretku dhe nuk fitoj një lek në ditë! - shtoi me zë të lartë Gjikë Argjiri.
- Burgu është i rëndë! Pa shikoje se si është katandisur i gjori Kolë! - tha Gjikë Nina - Ku jemi mësuar ne me burgje! Po nuk na pa dielli përditë e po nuk u shtrimë në dyshemenë tonë, vdesim shpejt.
Pasi folën për burgjet dhe për ligjet, për fajdexhitë dhe për borxhet, prisnin të merrte fjalën Gjikë Mërtiri, se Gjikë Mërtiri ishte i vetmi njeri i ligjeve. Ai kishte mbaruar në Francë drejtësi dhe i dinte të gjitha. Ai e kuptoi nga shikimet që i hidhnin, prandaj lëshoi këtë shprehje, nga e cila unë nisa të mendoja ndryshe dhe të shkruaja këtë rrëfirn të vërtetë.
- Kohë të vështira për njeriun e ndershëm ! tha Gjikë Mërtiri.
Kur i tha këto Gjikë Mërtiri, unë e shikova në sy. Ai, me atë fytyrë të bardhë dhe me ato syze pa rrathë, shikonte Kolën. Dhe Kola pinte duhan sikur të ishte në burg.
- Sipas teje, o Gjikë Mërtiri, që ke marrë diplomë drejtësie në Francë, kurse shumica jonë ka fituar veremin nga minierat e Santetienit dhe të Firminës - dhe i hodhi një shikim Mitros - kush është i ndershëm dhe kush pa nder? - e pyeti duke mbledhur këmbët dhe duke u kapardisur Gjikë Argjiri.
Aty për aty unë u hodha një shikim të shpejtë Gjikëve që folën dhe, pasi edhe mua më quajnë Gjikë, Gjikë Bua, qesha me vete. Më pëlqente që adashët të dalloheshin sipas thënies së zotit, gjyshit, se ne gjyshit i themi zot. Zoti ka si detyrë që pas tri ditëve të lindjes së mashkullit në familje të shkojë tek i porsalinduri dhe me një hanxhar apo shpatë të qëllojë tri herë në krye të djepit duke thënë: "T'u ndiftë emri, more bir!" Unë gëzohesha kur dalloheshin Gjikët, se në fshatin tonë Gjikët ishin të paktë dhe nuk kishin ditë shenjtori për mesha dhe të kremte, prandaj priftërinjve nuk u pëlqente që djemtë të pagëzoheshin me emrin që s'kanë shenjtor. Shtatë ishim gjithsej, duke përfshirë dhe Gjikë Bixhilin që kishte vdekur në Rusi, që po përmendej se gjithë paratë që kishte fituar atje gjithë jetën e tij i kishte dërguar në fshat për të ngritur shkollën ku mësova dhe unë. Fytyrën e tij e shihja përditë katër vjet me radhë, se në çdo klasë ishte varur dhe një fotografi e tij e zmadhuar.
Vura re se aty, atë mbrëmje, ishim katër Gjikë. Dy të tjerë, kushedi se nga ishin. Po, të them të drejtën, ata të dy nuk para përziheshin me asnjeri. Dhe siç ish e varfër jeta e tyre, edhe qenia e tyre në fshat nuk sillte ndonjë notë. Sikur të mos ishin fare. Prandaj dhe unë nuk i përmend. Do të merrem me këta të tre që janë këtu dhe patjetër dhe me rrugën e jetës sime për të rrëfyer ngjarjet ashtu siç rrodhën.

Thonë se emri lot një farë roli në karakterin dhe ndërgjegjen e njeriut, po këto unë nuk i besoj. Se ka njerëz me emër të mirë dhe vetë janë të ligj. Ashtu dhe ne të katër Gjikët, me të vërtetë një emër kemi, nga një fshat jemi, po ai diell na ka ngrohur, sytë tanë po atë det kanë parë dhe mushkëritë tona po atë erë kanë marrë, po, siç do ta shihni edhe ju, secili nga ne mori rrugë të ndryshme, dhe me rrugë të ndryshme fituam kafshatën e gojës...

--------------------------------------------------
Është kapitulli i parë nga romani voluminoz "Një emër në katër rrugë". Bën fjalë dhe përshkruan vendlindjen e katër Gjikëve, katër personazheve kryesorë të romanit - Dhrimadhin buzë detit jon. Duke përshkruar jetën e rëndë , -si luftë për ekzistencë, autori, që në faqet e para të romanit, mëton të paralajmërojë katër rrugët e ndryshme të personazheve që do të jenë përcaktime në përputhje me karakterin dhe botëkuptimin, filozofinë e tyre të veçantë, të ndryshme nga njëri-tjetri.
Mesazhi i romanit është dhënë në formën e një parrulle Rroftë jeta! Që në krye Petro Marko shpall krejt filozofinë e tij të të jetuarit dhe të krijuarit. Lufta jepet në kuptimin e saj më të gjerë. Njeriu nuk lufton vetëm në luftë dhe me armë.
Më kryesore është si të mbijetosh në vështirësitë dhe dramat e jetës: Ja punojmë! Ja luftojmë! Thonë personazhet e tij.
----------------------------------------------------------
Identifikuar


Faqe: [1]   Shko Lart
  Printo  
 
Shko te:  

SimplePortal Classic 2.0.5
Mundeshuar nga MySQL Mundesuar nga PHP psikologji.net | Mundesuar nga SMF 1.1.7.
© 2005, Simple Machines LLC. Te Gjitha Te Drejtat Te Rezervuara.
XHTML 1.0! CSS!
Faqja u krijua ne 0.2 sekonda me 21 veprime.